Banorët e Kumanovës të shqetësuar, një javë që NP “Pastrim dhe Gjelbërim” s’ka mbledhur mbeturinat, rrezikohen fëmijët
Disa lagje të Kumanovës janë zhytur prej disa ditësh në mbeturina, si pasojë e mosveprimit për pastrimin e kontejnerëve nga ana e NP “Pastrim dhe Gjelbërim”. Kjo situatë po shndërrohet në një kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve dhe po rrezikon ambientin jetësor, shkruan Portalb.mk.
Problemi me grumbullimin e mbeturinave po kthehet në një shqetësim kronik për qytetin e Kumanovës. Tashmë u bë më shumë se një javë që NP “Pastrim dhe Gjelbërim” në Kumanovë nuk i ka pastruar kontejnerët në disa pjesë të qytetit.
Banorët e rrugëve “Tode Mendol”, “Blagoj Ilievski”, “Zhikica Jovanoviç – Shpanac” dhe “Doktor Ribar”, ankohen se mbeturinat nuk janë grumbulluar për ditë të tëra, ndërsa nga kontejnerët po përhapet një erë e keqe dhe e padurueshme. Ky nuk është rasti i parë që mbeturinat lihen të patrajtuara për një kohë të gjatë.
Fotografitë e siguruar nga Portalb.mk, dëshmojnë gjendjen e renduar aktuale në të cilën gjenden pikat e grumbullimit të mbeturinave në këto rrugë.
Banorët thonë se situata po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, sidomos për shkak të temperaturave të cilat po rriten dita-ditës, duke shtuar rrezikun për shfaqjen e insekteve dhe problemeve higjienike. Ata kërkojnë nga organet kompetente që të ndërhyjnë sa më shpejt për normalizimin e gjendjes.
Ramadani, banor i kësaj lagjeje, për Portalb.mk thotë se era që kundërmon është e papërballueshme, por përveç erës, rreziku më i madh u kanoset fëmijëve të cilët lëvizin në këtë zonë, ku rritet mundësia për ndonjë infektim.
“Mos-grumbulllimi i mbeturinave ësthë edhe një pasqyrë e keqe për qytetin dhe përveç se dëmton shëndetin tonë, ata rrezikojnë edhe natyrën”, thotë ai.
Menaxhimi i mbeturinave në nivel shtetëror
Ndryshe, në RMV gjatë vitit të kaluar u regjistrua rritje e sasisë së mbeturinave të grumbulluara komunale, krahasuar me vitin paraprak. Pjesa më e madhe e tyre përbëhet nga mbeturinat e përziera, 86.5 përqind.
“Sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të krijuara në vitin 2025 është 755.789 ton. Sasia vjetore e mbeturinave komunale të krijuara për kokë banori në vitin 2025 është 417 kg, që është për 4.8% më pak krahasuar me vitin paraprak”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.
Më së shumti sasi të mbeturinave të grumbulluara vijnë nga ekonomitë familjare, 84% ndërsa sasitë e tjera janë mbeturina komerciale. Pjesa më e madhe e mbeturinave, 99.8% hidhen nëpër deponi.
“Sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të grumbulluara në Republikën e Maqedonisë së Veriut është 639 668 ton. Krahasuar me vitin 2024, sasia totale e mbeturinave komunale të grumbulluara në vitin 2025 ka shënuar rritje prej 0.3%. Rritja është si rezultat i rritjes së numrit të vendbanimeve të përfshira në sistemin kolektiv të grumbullimit të mbeturinave”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.
Nga sasia e përgjithshme, vetëm 1.879 tonë e mbeturinave të grumbulluara janë metal, 15.500 tonë janë plastikë, ndërsa letër janë 10.217 tonë.
- LEXO: Për shkak të mbeturinave, minjtë janë kërcënim për Shkupin, çfarë sëmundjesh transmetojnë ata?
- LEXO: Qyteti i Shkupit: Mickoski, kë po kërcënon? Ministria juaj e Shëndetësisë i ka borxh miliona euro Higjienës Komunale
- LEXO: Kaosi me mbeturinat: Qeveria e urdhëroi MPB-në dhe inspektoratet për kontroll të jashtëzakonshëm në Qytetin e Shkupt dhe Higjienën Komunale