Presidenti sllovak, Pellegrini: Asnjë vend nuk duhet të hyjnë në BE në rrugë të shkurtër, do të ishte e padrejtë për vendet e Ballkanit Perëndimor

Zgjerimi duhet të jetë i drejtë, i parashikueshëm dhe një proces i bazuar në të njëjtat rregulla që vlejnë për të gjithë kandidatët – tha presidenti sllovak Peter Pellegrini sot gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidenten e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Bratisllavë, transmeton Portalb.mk.

Pellegrini tha se Sllovakia mbështet perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe e bën këtë si një mik, partner dhe aleat. Ai tha se Maqedonia e Veriut, por edhe rajoni në të cilin bën pjesë vendi, është shumë i rëndësishëm për të gjithë Evropën, duke vlerësuar se nuk duhet të mbetet hapësirë ​​për konkurrencë dhe lojëra gjeopolitike.

“Pozicioni i Sllovakisë është i qartë – një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm, i begatë dhe i orientuar drejt Evropës, sepse kjo është në interesin strategjik të të gjithë Evropës. Ne jemi partnerë që mbështesim rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe në të njëjtën kohë e dimë se besimi në Evropë bazohet në rregulla dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Ambicia jonë nuk është të zgjidhim çështje të ndjeshme nga perspektiva e një gjyqtari, por propozimi është të respektojmë perspektivën evropiane të rajonit, duke respektuar edhe dinjitetin e të gjitha palëve të përfshira”, tha Pellegrini në një konferencë të përbashkët për shtyp me Siljanovska-Davkovën.

Presidenti sllovak pohon se vendet kandidate duhet të përmbushin kriteret e dakorduara, por se BE duhet të dërgojë sinjal të qartë se përmbushja e kushteve do të thotë edhe hapa konkretë përpara.

Duke iu referuar Ukrainës, ai tha se asnjë vend, pavarësisht sa e vështirë është situata e tij, nuk duhet të ketë avantazhin e hyrjes në Union me rrugë të shkurtër, por duhet të ndjekë rrugën e negociatave dhe reformave, sepse përndryshe do të ishte negative në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë qenë në negociata për shumë vite.

“Prandaj, vendet që kanë të drejtë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian janë kryesisht vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut. BE-ja ka rregullat e veta që duhen ndjekur. Në rast se Ukraina i plotëson këto kushte dhe ndjek atë rrugë, Sllovakia sigurisht që do ta mbështesë Ukrainën në atë proces, por nuk do të mbështesë asnjë rrugë të shkurtër, as privilegje që do t’u ofrohen vendeve të caktuara mbi të tjerat”, shtoi Pellegrini.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ndodhet për vizitë zyrtare në Sllovaki sot dhe nesër.

Përndryshe, presideni sllovak i referohet propozimit të kancelarit gjerman Friedrich Merz. Në letrën drejtuar udhëheqësve të Bashkimit Evropian, kancelari gjerman propozon që Ukraina të marrë një model të “anëtarësimit asociativ” si një fazë kalimtare drejt anëtarësimit të plotë. Ky model do të mundësonte pjesëmarrjen e përfaqësuesve ukrainas në punën e institucioneve të BE-së pa të drejtë vote, si dhe zbatimin gradual të legjislacionit evropian.

Lidhur me Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë, Merz propozon integrim të përshpejtuar dhe gradual përmes qasjes së privilegjuar në tregun e brendshëm të BE-së dhe përfshirjes më të ngushtë në institucionet evropiane.