Dezinformimi i huaj synon dobësimin e institucioneve demokratike 

Në një mjedis global të fluksit të pakontrolluar të informacionit, manipulimi i opinionit publik është i pandalshëm, duke filluar nga SHBA, BE dhe Ballkani Perëndimor. I gjithë manipulimi i huaj është i përqendruar në dobësimin e institucioneve demokratike, por disa zgjidhje që shtetet mund të ofrojnë mund t’i zvogëlojnë efektet negative.

Pasi SHBA, BE dhe një pjesë e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të procesit zgjedhor, dezinformimi dhe manipulimi do të luajë një rol vendimtar në formësimin e politikave të brendshme dhe të jashtme. Të gjitha këto aktivitete të jashtme do të kërkojnë një përgjigjje të mirë dhe të mbështetur me aksione konkrete nga qeveritë.

Në këtë drejtim, Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen kanë nënshkruar të enjten një memorandum mirëkuptimi për të forcuar bashkëpunimin midis SHBA-së dhe Finlandës për të luftuar manipulimin e informacionit.

”Manipulimi i informacionit nga shtetet e huaja, që përfshin dezinformimin dhe propagandën, është një kërcënim transnacional i sigurisë që mund të krijojë ose të shfrytëzojë përçarje brenda, dhe midis vendeve, të rrezikojë integritetin e zgjedhjeve dhe të minojnë besimin e publikut ndaj qeverisë”. “

Në njohjen e kërcënimit për të gjitha shoqëritë demokratike, SHBA dhe Finlanda do të zgjerojnë shkëmbimin e informacionit rreth dezinformatave të huaja, do të ndajnë praktikat më të mira për ta luftuar atë dhe do të rreshtojnë politikat përgjatë pesë fushave kyçe të veprimit të vendosura në Kornizën e Departamentit të Shtetit të SHBA për Kundërshtimin e Manipulimit të Informacionit”- thuhet në kumtesën e Departamentit të Shtetit.

Në luftën e keqpërdorimit të informacionit që besohet që daton që nga 1945-ta, një rol kritik mund të luajnë edhe shërbimet e sigurisë së një shteti. Roli i shërbimeve informative të sigurisë në luftën kundër aktorëve të huaj është vendimtar në ruajtjen e sigurisë, dhe të integritetit të një shteti apo të një koalicioni të shteteve.

Në bazë të misionit, shërbimet e sigurisë janë përgjegjëse për mbledhjen e informatave, përpunimin, analizën dhe përpilimin e masave për të gjetur e luftuar aktorët e huaj. Në Ballkanin Perëndimor, kryesisht shërbimet e sigurisë në luftën e dezinformimit po përdorin disa metoda të vjetra. Duhet nënvizuar se pavarësisht politikave dhe metodave të përdoruara, shërbimet e sigurisë kanë qenë pjesërisht të suksesshëm në misionin e tyre kundrejt aktorëve të jashtëm.

Në një ambient demokratik, shërbimet e sigurisë të mbikqyrura nga institucionet demokratike duhet të kenë një rol më të madh para dhe gjatë fushatave zgjedhore. Edhe pse shërbimet e sigurisë dhe grupe të caktuara brenda një sistemi kanë prirje të devijojnë nga misioni i një agjencie të sigurisë, përsëri rolin e tyre duhet parë në shërbim të interesit kombëtar.

Zakonisht shërbimet e sigurisë, bashkë me shërbimet që kanë për mision kundërzbulimin dhe ato të zbatimit të ligjit, nëpërmjet bashkëpunimit në mes veti kanë mundësi më të mëdha të hulumtimit, dhe të vëzhgojnë aktorë të huaj të përfshirë në aktivitete të ndryshme si: terrorizmi, dezinformimi, sulmet ndaj infrastrukturës kritike etj etj.

Një zhvillim interesant që ka shtuar shqetësimet vitet e fundit në kuadrin e dezinformatave të huaja kundër institucioneve demokratike, kanë qenë reklamat politike dhe publikimi i materialeve (video) të rreme. P.sh. në SHBA agjencitë e inteligjencës, kanë vërtetuar se ndërhyrja e Rusisë gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës ishte e pranishme në disa forma. Qeveria federale dhe disa shtete në SHBA ndërmorën disa veprime konkrete si: detyrimi i shkrim-leximit mediatik në shkollat publike, po ashtu Kongresi amerikan në tetor të 2017-ës ju kërkoi platformave online si Google dhe Facebook t’i regjistronin kopjet e reklamave, t’i bënin ato publike dhe të tregonin se kush është sponzori i tyre.

Veprime të ngjashme janë marrë në Evropë, Australi e deri në Japoni. Në Ballkanin Perëndimor, përveç projekteve ndërkombëtare për të luftuar dezinformimin, gjatë viteve të fundit janë organizuar puntori rreth shkrim-leximit mediatik si një ndër mënyrat për të kuptuar më shumë rreth propagandës dhe dezinformimit.

Lufta në fushën e propagandës së huaj gjatë fushatave zgjedhore, dhe ndaj institucioneve demokratike është e vështirë të fitohet nga të gjitha palët. As më pak nxjerrja e ligjeve, e rregulloreve duke përfshirë dhe dënimet nuk mund të parandalojnë dezinformimin dhe manipulimin. Ditë më parë Sekretari i NATO-s Jenes Stotelnberg tha se Rusia me vite është përpjekur të infiltrojë spiunë në mesin e anëtarëve të aleancës.

Në disa raste Moska ka qenë e suksessshme me paraqitje të një rreziku të lartë për anëtarët e NATO-s duke hyrë në brendi të sistemeve të sigurisë. Mirëpo, në ndërhyrjet gjatë zgjedhjeve, ndikimi duhet parë në manipulimin e figurave politike duke ju ofruar ndihmë financiare ose shpërblime të tjera. Andaj agjencitë e sigurisë të shteteve të koalicionit demokratik duhet të bëjnë më shumë në shpërndarjen e informatave në mesin e anëtarëve, dhe njëkohësisht të kenë mundësi tu paraprijnë ngjarjeve dhe manipulimeve.

A do të mund që SHBA, BE dhe vendet tjera pjesë të koalicionit të bëjnë më shumë? Kjo mbetet të shihet gjatë këtij viti kur do të sprovohen demokracitë e konsoliduara, dhe ato të brishta. Këtu bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut ku numri i dezinformatave është i lartë për arsye historike, fetare dhe politike, por pa ndikim të lartë gjatë zgjedhjeve.

Diplomatë të lartë perëndimorë janë zotuar se do të vëzhgojnë procesin e ndërhyrjeve nga jashtë gjatë zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut dhe në rajon. Lufta kundër dezinformimit dhe manipulimit do të jetë e pranishme në kohën tonë dhe pavarësisht nga rezultati, aktorët global e rajonal janë të interesuar për këtë lloj lufte informative në epokën e digjitalizimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.