Dezinformatat me keqpërdorimin e inteligjencës artificiale mund të jenë të dëmshme për zgjedhjet (Galeri)

Seanca e fundit e Konferencës Ndërkombëtare “e-Shoqëria.mk” që u mbajt sot nën organizimin e Fondacionit Metamorfozis për të 19-n herë, iu kushtua dezinformatave dhe keqpërdorimit të inteligjencës artificiale për ndikim të dëmshëm ndaj demokracisë, më konkretisht ndaj zgjedhjeve dhe opinionit të votuesve, raporton Portalb.mk.

Për temën “Dezinformata me steroide: Kërcënim për integritetin e procesit zgjedhor” folën: Jan Zingel, themelues dhe kryetar i “Strategic analysis” nga Sllovakia, Bojana Kostiq, hulumtuese dhe përfaqësuese për të drejtat digjitale nga Holanda, Fitim Gashi, koordinator i projekteve për dezinformatat në “Sbunker”, Kosovë, si dhe Filip Stojanovski, drejtor për zhvillim nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”.

Stojanovski fillimisht e prezantoi projektin Western Balkans Anti-Disinformation Hub, i cili i iniciuar nga Metamorfozis përfshin gjashtë organizata nga Ballkani Perëndimor që përpiqen që me përpjekje të përbashkëta të zhdukin ndikimin e dëmshëm të dezinformatave, të cilat për shkak të afërsisë ose barazisë gjuhësore shumë lehtë i kalojnë kufijtë në Ballkan. Stojanovski prezantoi disa nga shembujt më të spikatur të dezinformimit përmes teksteve të kontrolluara nga verifikuesit e fakteve nga gjashtë organizatat.

Përvoja sllovake me ndikimet e dëmshme ndaj zgjedhjeve u prezantua nga Jan Zingel. Zgjedhjet që u zhvilluan në Sllovaki në shtator të këtij viti pas një periudhe të caktuar të udhëheqjes të vendit nga një qeveri teknike, ishin edhe momenti i parë kur inteligjenca artificiale u përdor për të ndikuar në opinionin publik.

“Përveç pranisë së narrativave pro-ruse që u përhapën kryesisht përmes rrjeteve sociale, ne patëm edhe dy shembuj të keqpërdorimit të inteligjencës artificiale, gjegjësisht krijimin e “deepfakes”, të cilat edhe pse ishin të cilësisë së dobët dhe dukej qartë se ishin produkt i inteligjencës artificiale, ia dolën mbanë të mashtrojnë shumë njerëz që të besojnë se janë të vërteta, domethënë ndikuan tek një numër i madh votuesish”, sqaroi Zingel.

Shembulli i parë i deepfake, d.m.th. i përmbajtjes të pavërtetë audio të krijuar me inteligjencë artificiale ishte me cilësi të ulët dhe nuk u mor shumë seriozisht. Bëhej fjalë për montimin me inteligjencë artificiale të një “bisede” të presidentit të partisë “Sllovakia Progresive”, në të cilën ai gjoja thotë se nëse fitojnë do të rrisin çmimin e birrës. Edhe pse kjo çështje është një temë shumë e ndjeshme në një vend ku pihet birra, nuk arriti të mashtrojë shumë njerëz, shpjegoi ai.

Por videoja e dytë ka pasur një efekt shumë më të fuqishëm.

“Audioja e dytë e gjeneruar nga IA ishte më e sofistikuar. Ishte një bisedë e supozuar që kryetari i Partisë Liberale e ka zhvilluar me një gazetare investigative e cila shkruan për skandalet korruptive të qeverisë së kaluar. Në atë bisedë kreu i partisë gjoja se ka bërë plane se si t’i manipulojë zgjedhjet – si t’i blejë votat e romëve, si t’i blejë gazetarët dhe tema të ngjashme. Cilësia e kësaj audio ishte gjithashtu e dobët, por megjithatë filloi të përhapet kryesisht në kanalet Telegram të figurave publike pro-ruse. Më pas u përhap edhe në mediat sociale”, shpjegoi Zingel.

Ai theksoi se efekti i atij mashtrimi ishte më i madh tek elektorati i djathtë.

“Ata njerëz që donin të votonin për të djathtën dhe të djathtën ekstreme thanë se liberalët donin të vidhnin zgjedhjet. Deepfake i konfirmoi dyshimet e tyre. Por kjo nuk e ndryshoi mendimin e shumë njerëzve që donin të votonin për liberalët”, tha Zingel.

Fitim Gashi nga “Sbunker” foli për problemin e ndikimit të dezinformatave në situatën politike në Kosovë, por edhe për disa dezinformata “më skandaloze” në territoret shqipfolëse, kurse ekspertja Bojana Kostiq foli për masat e marra deri më tani në BE për mbrojtjen e të drejtave digjitale dhe luftën kundër dezinformatave, si dhe për masat që duhen marrë për ta parandaluar keqpërdorimin e inteligjencës artificiale.

Përkujtojmë që edicioni i 19-të i konferencës ndërkombëtare “E-shoqëri.mk” nga Fondacioni Metamorfozis filloi mbrëmë me “Cyber ​​Shake” diskutimin për të rinjtë “Pse të mësoj kur ka inteligjencë artificiale?”Cyber ​​Shake” diskutimin për të rinjtë “Pse të mësoj kur ka inteligjencë artificiale?”.

Folësit, në panel diskutimi me temë “Pse të mësoj kur ka inteligjencë artificiale?” theksuan se studentët mund ta përdorin Inteligjencën Artificiale (IA) si vegël shtesë për studimet e tyre, por nuk duhet të mbështeten plotësisht në programe të tilla, pasi që para se gjithash ata duhet të mësojnë atë të cilën IA-ja e ofron të gatshme.

Përndryshe, Konferenca Ndërkombëtare “e-Shoqëria.mk” organizohet nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri Metamorfozis, në sinergji me projektet “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor” financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës dhe projekti “Qeverisja e mirë në sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor” i realizuar nga Qendra e Menaxhimit të Sektorit të Sigurisë së Gjenevës (DCAF) dhe Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.