Kamill Slivovski: Inteligjenca artificiale na bën më produktivë, por nevojiten rregullore dhe përdorim i ndërgjegjshëm (Galeri)

Është emocionuese se në sa mënyra të reja do të përdoret dhe tashmë po përdoret inteligjenca artificiale (IA) në jetën tonë, por ne duhet të jemi të kujdesshëm me Kutinë e sapo hapur të Pandorës. Ishte ky konstatimi i Kamill Slivovskit, dizajnues i aktiviteteve dhe përmbajtjeve mësimore nga organizata polake INKO (Poloni), gjatë edicionit të 19 të Konferencës Ndërkombëtare “e-Shoqëri.mk” që mbahet sot me temën “Inteligjenca artificiale dhe të drejtat e njeriut: Gjetja e ekuilibrit të duhur midis inovacionit dhe përgjegjësisë”. Ky event organizohet nga Fondacioni Metamorfozis, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në fjalimin e tij frymëzues, Slivovski theksoi se hulumtimet tashmë po tregojnë se teknologjia e IA e rrit produktivitetin. Konkretisht ajo ndihmon në gjenerimin e ideve gjatë shkrimit, në formimin e versioneve fillestare të teksteve, si dhe në lehtësimin e kryerjes së detyrave të caktuara repetitive dhe “të mërzitshme”.

“Inteligjenca artificiale e rrit produktivitetin tonë pa pasur nevojë të mësojmë shumë aftësi të reja. Këtu dallon nga mjetet e mëparshme digjitale që na mundësuan qasje në më shumë kreativitet, si për shembull programet për montimin e videove ose programet e dizajnit grafik. Edhe pse këto mjete janë relativisht të thjeshta për t’u përdorur, sidomos në krahasim me paraardhësit e tyre analogë, sërish është e nevojshme të mësohen disa shkathtësi që të mund t’i përdorim ato. Teknologjia gjeneruese e IA është aq e thjeshtë për t’u përdorur, e kështu e rrit produktivitetin e shumë fillestarëve. Në fakt, më pak e rrit produktivitetin e ekspertëve”, sqaroi Slivovski.

Konferenca "e-Shoqëri", foto nga paneli “Etika në dizajn: Ndërtimi i zgjidhjeve teknologjike gjithëpërfshirëse dhe jondërhyrëse”
Konferenca “e-Shoqëri”, foto nga paneli “Etika në dizajn: Ndërtimi i zgjidhjeve teknologjike gjithëpërfshirëse dhe jondërhyrëse”

Slivovski thekson se e ardhmja e IA nuk qëndron vetëm në mjetet popullore për përdorim të përgjithshëm, siç është ChatGPT, por edhe në mjetet e specializuara që do t’i ndihmojnë kompanitë dhe organizatat joqeveritare. Për shembull, ekziston një shërbim që përdor IA që ndihmon në mënyrë specifike me formulimin e fushatave publike për mbledhjen e fondeve.

Përveç kësaj, një fushë tjetër që ka shumë potencial në të ardhmen janë të ashtuquajturat Shërbimet “multimodale” të IA, gjegjësisht ato që kombinojnë leximin dhe gjenerimin e përmbajtjeve me tekst, fotografi, audio dhe media të tjera. Për shembull, ai tregoi se si Bard, konkurrenca e ChatGPT e zhvilluar nga Google, mund të interpretojë një fotografi nga një diagram, ta përkthejë tekstin dhe më pas ta vendosë tekstin e përkthyer në atë fotografi.

Në fund, Slivovski e theksoi llojin e IA që është potencialisht më i tmerrshmi, e kjo është teknologjia që mundëson imitimin e fytyrës dhe zërit të njerëzve të tjerë. Ai tregoi se si e ka “përkthyer” një video të fjalimit të tij një minutësh në disa gjuhë, e ku është e vështirë të identifikohet se cili është regjistrimi origjinal.

Gjatë marrjes së vendimit nëse do të përdoret IA në kryerjen e një detyre të caktuar, Slivovski apeloi që t’u kushtohet vëmendje disa aspekteve: a nevojiten rezultate të sakta, a bëhet fjalë për të dhëna personale, nëse të dhënat janë të ndjeshme dhe kush e zotëron të drejtën e autorit të të dhënave që përdoren.

Por, Slivovski thekson se kur përdoret IA kujdesi në nivel personal nuk mjafton, por nevojiten rregullore, sidomos për transparencën e kompanive të mëdha të IA për atë se çfarë të dhënash përdorin gjatë trajnimit.

“Dhe në fund, nëse duam të flasim për përdorimin e përgjegjshëm të IA duhet pasur parasysh ndikimi ndaj mjedisit jetësor dhe kushtet e punës. Për shembull, përdorimi i teknologjisë IA përdor shumë më tepër energji elektrike se sa gjatë kërkimit të diçkaje në Google. Tashmë ka vende që po e ndjejnë këtë ndikim. Ndërtimi i qendrave ku mund të trajnohet për IA kërkon shumë energji dhe punëtorë”, përfundon Slivovski.

Konferenca "e-Shoqëri", foto nga paneli “Etika në dizajn: Ndërtimi i zgjidhjeve teknologjike gjithëpërfshirëse dhe jondërhyrëse”
Konferenca “e-Shoqëri”, foto nga paneli “Etika në dizajn: Ndërtimi i zgjidhjeve teknologjike gjithëpërfshirëse dhe jondërhyrëse”

Përkujtojmë që edicioni i 19-të i konferencës ndërkombëtare “E-shoqëri.mk” nga Fondacioni Metamorfozis filloi mbrëmë me “Cyber ​​Shake” diskutimin për të rinjtë “Pse të mësoj kur ka inteligjencë artificiale?”Cyber ​​Shake” diskutimin për të rinjtë “Pse të mësoj kur ka inteligjencë artificiale?”.

Folësit, në panel diskutimi me temë “Pse të mësoj kur ka inteligjencë artificiale?” theksuan se studentët mund ta përdorin Inteligjencën Artificiale (IA) si vegël shtesë për studimet e tyre, por nuk duhet të mbështeten plotësisht në programe të tilla, pasi që para se gjithash ata duhet të mësojnë atë të cilën IA-ja e ofron të gatshme.

Përndryshe, Konferenca Ndërkombëtare “e-Shoqëria.mk” organizohet nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri Metamorfozis, në sinergji me projektet “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor” financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës dhe projekti “Qeverisja e mirë në sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor” i realizuar nga Qendra e Menaxhimit të Sektorit të Sigurisë së Gjenevës (DCAF) dhe Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.