Deri më 22 gusht Prokuroria duhet të vendosë nëse do të ngrejë aktakuzë ndaj Grubit, përndryshe i hiqet arresti shtëpiak

Afati gjashtëmujor dhe i fundit për hetimin ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi nga BDI-ja skadon më 22 gusht. Nëse deri atëherë prokurori nuk ngre aktakuzë ndaj tij, Grubi do të lirohet edhe nga masa e arrestit shtëpiak, transmeton Portalb.mk.

Prokurori i Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, i cili pas 14 muajsh arratie të Grubit e mbajti atë vetëm gjysmë dite në paraburgim dhe më pas ia zëvendësoi menjëherë masën me arrest shtëpiak, ka edhe 17 ditë afat ligjor për ta përfunduar hetimin. Në të kundërtën, Grubi do të jetë i lirë.

“Nëse nuk ngrihet aktakuzë, arresti shtëpiak i të dyshuarit për të cilin po pyesni hiqet dhe Gjykata Themelore Penale në Shkup, sipas detyrës zyrtare, cakton masë për sigurimin e pranisë së tij. Më së shpeshti kjo është konfiskimi i dokumentit të udhëtimit”, tha për SDK Gjykata Penale.

Kujtojmë se pas mbi një viti në arrati, më 23 shkurt në orët e para të mëngjesit, Grubi u vetëdorëzua në pikën kufitare në Bllacë, ku edhe u arrestua dhe u dërgua në Burgun e Shutkës.

Më pas, siç sqaruan autoritetet, për shkaqe sigurie u vendos që ai të shkojë në arrest shtëpiak, ku më pas disa herë iu vazhdua paraburgimi.

Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.

Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u ishte caktuar fillimisht masa e paraburgimit për 30 ditë.

Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.