“Kur heshtin shqiponjat, çirren papagajtë”, tha Winston Churchill-i. Aty ku nuk dëgjohet zëri i kompetentit, mbizotërojnë klishetë dhe përsëritjet. Nëpërmjet gjuhës së stërmbushur me klishe, manipulohen ata që mendojnë me mendime të gatshme. Sipas Oscar Wilde-it, njerëzit pa mendime origjinale e përsërisin vetëm atë që e dëgjojnë nga më i forti, më i pasuri ose më i njohuri.
Në një shoqëri pa sistem vlerash, mbizotëron njëtrajtshmëria. Ata që nuk ndikohen nga kodet anakronike, shihen si dele të zeza.
Në shoqëri të këtilla, shumëkush flet me kompetencë për gjëra që nuk i di. Kjo na kujton fabulën “Gomari dhe bilbili” të Dritëro Agollit, të bazuar në fabulën e Ivan Krilovit. Porosia e fabulës është se, pa kulturën e duhur, s’mund ta njohësh të bukurën. Gomari e vlerëson më shumë zërin e këndesit sesa zërin e bilbilit.
“Bilbili e vështroi gomarin qetë, / Tek kruante kokën heshtur në një fik, / Dhe i menduar thoshte nën një fletë: / – Na ruani, o miq, nga ky kritik!”
Në një shoqëri pa sistem vlerash, shumëkush beson se është i aftë të debatojë edhe për probleme më të thella filozofike, kulturore a shkencore dhe të udhëheqë me punët publike.
Në shoqërinë pa autoritete morale, pushteti nuk shihet si shërbim publik, kurse njerëzit humbin orientimin dhe përjetojnë boshllëk ekzistencial.
Aty ku nuk ka ideale (që sot kanë marrë kuptim negativ), fillon ligështimi i përgjithshëm, moskokëçarja dhe mungesa e motivimit. Aty nuk ka perspektivë, por krizë identitare, humbje vetëbesimi dhe rrugëtim pa adresë.
Kur antivlera mbizotëron mbi meritokracinë, profesionisti i pavlerësuar bie në depresion ose largohet drejt vendeve ku beson se do të vlerësohet.
Historia na mëson se në shoqëri të këtilla mund të lindin ide e lëvizje të rrezikshme, që e mbushin boshllëkun e vlerave.
Dalja nga kjo gjendje kërkon rregulla të qëndrueshme, institucione të besueshme, shtet ligjor dhe kulturë që e çmon punën, dijen dhe përgjegjësinë.
Në shoqëri të shëndetshme vlerësohet dija e ndershmëria dhe jo fuqia. Aty kemi ndjenjë për jetën e përbashkët dhe jo ndjenjë mbijetese në kaos.
Ky rend nuk krijohet nga papagajtë, por nga shqiponjat. Derisa shqiponjat s’i përfill askush, zëri i këndesit do të vlerësohet më shumë se zëri i bilbilit.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.