Protestë në Nikushtak: Deponia duhet të pastrohet siç premtoi Qeveria dhe jo të mbulohet me dhe (VIDEO)
Në vend që të pastrohet siç premtoi me 25 gusht 2025, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe zëvendëskryeministri Arben Fetai, deponia e egër në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës po mbulohet me dhe. Madje, për të qenë ende më keq situata, aty sërish janë hedhur mbeturina tjera. Sot u mbajt protestë nga banorët që kërkuan nga institucionet të pastrohet me urgjencë duke theksuar se deponia nuk duhet të mbulohet me dhe sa për sy e faqe, por të largohet njëherë e përgjithmonë. Ata paralajmërojnë bllokimin e rrugës nëse kjo deponi nuk pastrohet sipas gjitha standardeve që premtuan përfaqësuesit e VLEN-it, shkruan Portalb.mk.
Banorët kërkuan një zgjidhje të përhershme, duke theksuar se mbeturinat nuk duhet të mbulohen, por të largohen njëherë e përgjithmonë.
Bastri Rexhepi, këshilltari komunal nga partia Aleanca për Shqiptarët theksoi se protesta është organizuar së bashku me banorët e fshatit Nikushtak, Orllancë, dhe Grushinë.
“Kjo protestë është organizuar bashkërisht nga banorët e fshatit Nikushtak, Orllancë, dhe Grushinë. Ne si organizatorë duam të përçojmë mesazh dhe t’iu bëjmë apel organeve kompetente, ata të cilët nuk e respektojnë këtë vendim të cilin e përcjellim sot, dhe ne do të bllokojmë vazhdimisht rrugën. “Ne kërkojmë zgjidhje”, “zgjidhje të përhershme”, të mos bëhen vetëm politika ditore por të ketë zgjedhje”, tha Bastri Rexhepi.

Ndërsa, kryetari i bashkësisë lokale, nga fshati Orllancë thotë se kjo deponi duhet të largohet njëherë e përgjithmonë.
“Qëllimi është i njëjtë për sanimin e kësaj deponie, të largohet njëherë e përgjithmonë, shembull njëra parti vjen e largon, tjetra vjen i hedh mbeturinat”, tha kryetari i bashkësisë lokale, nga fshati Orllancë.
Nga ana tjetër, Omer Ajdini, banor i fshatit Nikushtak u shpreh i revoltuar duke theksuar se ata e thithim këtë ajër i cili dëmton shëndetin e tyre.
“Në baza ditore e di se çka domethënë të jetohet në tym, të jetohet me kancer, me i pas fëmijët në rrezik, prej tymit, prej kancerit prej tyre mbeturinave që për çdo ditë na i sjellin këtu. Është e padrejtë që në shekullin 21, në vitin 2025 me u çu organet shtetërore edhe me i helmuar njerëzit e vet, kjo është e padrejtë, dhe për atë arsye kemi dal sot këtu. Ligji për menaxhim të mbeturinave neni 91 saktësisht tregon se kur duhet të mbyllet një deponi, në momentin që ajo deponi legale është në afërsi të njerëzve, si të arave, organet kompetente detyrohen me mbyll, ata janë të obliguar ta mbyllin sepse i dëmton jetët e njerëzve edhe nuk ka obligim më të madh për çdo njeri, për çdo institucion, se sa me mbrojt jetën dhe dinjitetit e njerëzve. Komuna nuk ka as leje që ti hedh këtu mbeturinat, dhe qeveria është e obliguar që të marrë masa dhe me mbyll këtë deponi që konstatohet se këtu dëmtohet shëndeti i njerëzve, dëshmi që dëmtohet shëndeti i njerëzve është prezenca jonë, sepse ne e thithim këtë ajër”, tha Ajdini.

“Ky tym i cili krijohet këtu shkon deri në Shkup nëse nuk e beson, ministri duhet të dal me helikopter dhe ta sheh se ka shkon tymi, që e dëmton edhe qytetin e Shkupit, nëse shteti nuk e ruan ambientin për rreth nuk mund të bëjë asgjë. Mbeturinat nuk hidhen ku të duan ata, duhet ta gjejnë vendin, po a aq nuk ka kapital ministri por po na tregon politikë neve. Neve nuk na duhen polikanë, por na duhen njerëz që e rregullojnë problemin tonë njëherë e përgjithmonë”, u shpreh një banor tjetër.
Premtuan pastrim dhe gjelbrim
Ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti dhe zëvendëskryeministri Arben Fetai në mënyrë pompoze mblodhën përfaqësues nga partitë e tyre si dhe funksionerë të tjerë më 25 gusht duke premtuar para banorëve se “pastrimi pritet të bëhet brenda dhjetë ditëve me 5 milionë denarët e ndarë nga Ministria e Mjedisit Jetësor.”
Ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti tha se me këto 5 milionë denarë është paraparë pastrimi, pajisje mekanike për menaxhim të sigurt të mbeturinave, si dhe është përgatitur edhe elbaorat gjeodetik.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai gjatë ngjarjes tha se: “Deponia po mbyllet, do pastrohet dhe ky ambient këtu do rregullohet, do gjelbërohet”.
Paraprakisht për pastrimin e kësaj deponie pati dështuar tenderi.
Kujtojmë se për më shumë se mbi dy dekada kjo deponi është pa zgjidhje, duke rrezikuar shëndetin e banorëve dhe mjedisin jetësor.