Pas dy dekadash pritjeje dhe në prag të zgjedhjeve lokale filloi pastrimi i deponisë rrezikshme në Nikushtak
Pas shumë zvarritjeve dhe premtimeve, sot, pak javë para zgjedhjeve lokale, filloi pastrimi i deponisë në Nikushtak të Komunës së Likovës, e cila përbën rrezik për shëndetin dhe mjedisin, raporton Portalb.mk.
Pastrimi pritet të bëhet brenda dhjetë ditëve me 5 milionë denarët e ndarë nga Ministria e Mjedisit Jetësor.
Ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti tha se me këto 5 milionë denarë është paraparë pastrimi, pajisje mekanike për menaxhim të sigurt të mbeturinave, si dhe është përgatitur edhe elbaorat gjeodetik.
“Ka pasur vonesë për shkak se kanë qenë procedura të ngatërruara me fondet evropiane, aty kanë dështuar për shkak se janë udhëhequr keq dhe se këto mjete janë ndarë nga Ministria e Ambientit. Pastrimi do të bëhet në dhjetë ditët e ardhshme”, tha Mexhiti.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai gjatë ngjarjes tha se kjo faqe e errët e Komunës së Likovës nga sot i takon të kaluarës.
“Deponia po mbyllet, do pastrohet dhe ky ambient këtu do rregullohet, do gjelbërohet”, tha Fetai.
Paraprakisht për pastrimin e kësaj deponie pati dështuar tenderi.
Ndryshe, për më shumë se mbi dy dekada kjo deponi u la pa zgjidhje, duke rrezikuar shëndetin e banorëve dhe mjedisin jetësor.