Reagoi Komuna e Likovës për mbylljen e deponisë në Nikushtak: vendim joligjor i ministrisë
Komuna e Likovës ka reaguar lidhur me vendimin e Ministrisë së Mjedisit, dhe Planifikimit Hapësinor për mbylljen e deponisë në Nikushtak në bazë të vendimi të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Sipas komunës, urdhëresa bie ndesh me Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave për Procedurë të Përgjithshme Administrative si dhe me Planin dhe Programin për Menaxhimin me Mbeturinat dhe deponitë regjionale, ku parashihet ndërtimi i deponisë regjionale në Sveti Nikollë, në bazë të kontratës. Ky vendim erdhi pas protestave të banorëve, të cilët kundërshtuan hedhjen e mbeturinave nga Ndërmarja Komunale Publike “Pisha”, transmeton Portalb.mk.
“Urdhëresa është në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave, Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, si dhe me Planin dhe Programin për Menaxhimin me Mbeturinat dhe deponitë regjionale, ku parashihet ndërtimi i deponisë regjionale në Sveti Nikollë, në bazë të kontratës nr.11-6163/1 ndërmjet Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunës së Likovës nr.03-379/1. Kjo urdhëresë bie ndesh me aktet e mëhershme të sjellura vetë nga ministria, siç janë: Kontrata për furnizim publik të shërbimeve (pjesa 2), ku qartë përcaktohet mirëmbajtja e deponisë jo standarde në fshatin Nikushtak për periudhë 6-mujore. Në kundërshtim me këtë kontratë, pas vetëm 1 muaji sjellet një akt tjetër për mbylljen e të njëjtës deponi. Komunikimi zyrtar i datës 29.08.2025, ku Ministria ka kërkuar nga Komuna e Likovës të caktojë person kontakt për evidentimin e kamionëve dhe formularëve të transportit”, thuhet në reagim.
Nga Komuna e Likovës theksuan se procesverbali i Ministrisë për futjen në punë të kryerësit të punëve, i cili ka për detyrë nivelizimin, mbulimin dhe pastrimin e deponisë deri në momentin e hapjes së deponisë regjionale në Sveti Nikollë. Megjithatë, vetëm 20 ditë më pas, i njëjti institucion sjell akt për mbylljen e deponisë , një veprim kontradiktor dhe i pabazuar.
Sipas tyre, ndërmarrja kontraktuese ka punuar realisht vetëm 3 ditë, ndërkohë që mirëmbajtja e deponisë është kryer në baza javore nga Ndërmarrja Publike e Komunës së Likovës edhe para lidhjes së kontratës.
“Për më tepër, ajo ka kryer gërmime të dheut pranë deponisë pa poseduar dokumentacionin e nevojshëm, gjë që bie ndesh me ligjin.” thonë nga komuna.
Përndryshe, dje ministiri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti kumtoi se deponia në Nikushtak është mbyllur sepse kjo deponi nuk i plotëson standardet për mbeturina, ndërsa vendimi është marrë në përputhje me ligjin për administratën shtetërore dhe ligjin për mjedisin.
“Po ashtu sot kam sjell kërkesë për realizimin e kontrollit inspektues në të gjitha deponitë në lokacionet e pa regjistruara për mbeturina, dhe po ashtu për rekomandim për realizimin e kontrollit të deponive ilegale në territorin e komunave ku u bëjmë thirrje edhe komunave t’i pastrojnë deponitë. Sot ka pasur një vendim edhe për pastrimin dhe kjo shkon në histori pra deponia e Nikushtakut, dhe çështja është e mbyllur dhe Nikushtaku është ish deponi, tash më e mbyllur, e rrethuar, ka filluar të mbjellën edhe fidane, dhe është çështje që i mbetet historisë”, deklaroi dje Mexhiti.
Kujtojmë se për më shumë se dy dekada banorët e fshatrave së Komunës së Likovës kanë problem me këtë deponi. Premtime të shumta u bënë nga autoritetet lokale dhe qëndrore por situata mbetej e njejtë.
- LEXO: Me mbjelljen e fidanëve dhe me pllakatën ‘Ndalohet hedhja e mbeturinave’ në deponinë e Nikushtakut, banorët tentojnë të ruajnë pastërtinë e vendit
- LEXO: Deponia në Nikushtak, Mexhiti: Do të vendosim kamera, do e dënojmë ndërmarrjen publike
- LEXO: Premtime në deklarata, plehra në terren: Deponia në Nikushtak assesi të pastrohet, Mexhiti arsyetohet
- LEXO: Pas dy dekadash pritjeje dhe në prag të zgjedhjeve lokale filloi pastrimi i deponisë rrezikshme në Nikushtak