Me mbjelljen e fidanëve dhe me pllakatën ‘Ndalohet hedhja e mbeturinave’ në deponinë e Nikushtakut, banorët tentojnë të ruajnë pastërtinë e vendit

Banorët e Nikushtakut, Orllancës dhe Grushinës mbollën sot pesëdhjetë fidanë dhe vendosën pllakatën ‘Ndalohet hedhja e mbeturinave’ në deponinë e Nikushtakut. Ata theksuan se do të vazhdojnë të protestojnë deri sa të ndalet hedhja e mbeturinave sepse institucionet ende nuk kanë gjetur zgjidhje permanente për këtë problem, shkruan Portalb.mk

Banorët e Nikushtakut, Orllancës dhe Grushinës protestuan kundër hedhjes së mbeturinave në mënyrë më kreative, duke mbejllur fidane dhe duke vendosur pllakatën ‘Ndalohet hedhja e mbeturinave’ në deponinë e Nikushtakut.

“Deri tash ishim mbi 50 persona, por turma është shpërndarë këtu, i kemi mbjellur rreth 50 fidanë dhe e kemi vendosur  pllakatë për t’iu treguar njerëzve që të mos hedhin mbeturina. Siç shihet tymi pas meje, këtu na helmojnë prej 20 vitesh, me fëmijë, pleq e të rinj. Do të kishte qenë më mirë që të na shpërngulnin të tre fshatrat Nikushtakun, Orllancën, dhe Grushinën”, tha Xhelal Kadriu. 

Institucionet luajnë ping-pong me përgjegjësitë, banorët kërkojnë zgjidhje të përhershme

Për të njejtën arsye protestuan dhe me 5 shtator 2025, duke kërkuar nga institucionet të pastrohet me urgjencë si dhe mos të mbulohet me dhe për sy e faqe, por të largohet njëherë e përgjithmonë.  Një ditë pas protestës, (6 shtator) ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti fajin ia hodhi komunës së Likovës. Ai tha se do të vendosen kamera dhe do të ndëshkohet NP “Pisha”.

Asnjë masë konkrete nuk u ndërmor prandaj me 9 shtator, u protestua sërish nga banorët duke penguar kamionët e N.P.K “Pisha” të hedhë mbeturina në deponi. Në vendngjarje ishte edhe policia. Ata këtë herë biseduan me kryetarin e komunës së Likovës, Erkan Arifi përmes një bisede telefonike. Ai tha se “po veprohet në mënyrë institucionale”. 

Por sot (12 shtator) jemi dëshmitarë se ende asgjë konkrete nuk është ndërmarrë,  mbeturinat e hedhura ende nuk janë pastruar kurse vazhdon ndotja e ajrit nga djegia e mbeturinave në të.

Pamje nga deponia në Nikushtak. Foto nga Portalb.mk (12.09.2025)
Pamje nga deponia në Nikushtak. Foto nga Portalb.mk (12.09.2025)

 

Pyetëm dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor se:

  • kur do të vendosen kamerat?
  • kur do të ndëshkohet NP “Pisha” ?
  • kur pritet mbyllja përfundimtare e deponisë?

Pyetje të bazuara në deklaratën e ministrit Mexhiti, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Do të protestohet çdo ditë

Xhelal Kadriu theksoi se do të jenë çdo ditë në protestë dhe  se “nuk do ta ndalim derisa të ndalet hedhja e mbeturinave.”

Ndërkaq, një banor tjetër tha se ata po helmohen prej dekadash. 

“Sot isha në fshatin Mateç, dhe e fala xhumanë. Hoxha i fshatit tha që të mos hedhin mbeturina te varrezat, dhe gjithashtu përmendi se do të ndërtohet stadiumi. Domethënë, ne këtu po helmohemi pasi jemi tre fshatra, ndërsa në vendet e tjera nuk lejohet hedhja e mbeturinave. Bëra këtë krahasim sepse për dekada këtu hedhin mbeturina dhe kështu kemi helmuar edhe fëmijët tanë”, tha një banor. 

Pamje nga deponia në Nikushtak. Foto nga Portalb.mk (12.09.2025)
Pamje nga deponia në Nikushtak. Foto nga Portalb.mk (12.09.2025)

Premtuan pastrim dhe gjelbrim

Ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti dhe zëvendëskryeministri Arben Fetai në mënyrë pompoze mblodhën përfaqësues nga partitë e tyre si dhe funksionerë të tjerë më 25 gusht duke premtuar para banorëve se “pastrimi pritet të bëhet brenda dhjetë ditëve me 5 milionë denarët e ndarë nga Ministria e Mjedisit Jetësor.”

Ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti tha se me këto 5 milionë denarë është paraparë pastrimi, pajisje mekanike për menaxhim të sigurt të mbeturinave, si dhe është përgatitur edhe elbaorat gjeodetik.

Zëvendëskryeministri Arben Fetai gjatë ngjarjes tha se: “Deponia po mbyllet, do pastrohet dhe ky ambient këtu do rregullohet, do gjelbërohet”.

Paraprakisht për pastrimin e kësaj deponie pati dështuar tenderi. 

Kujtojmë se për më shumë se mbi dy dekada kjo deponi është pa zgjidhje, duke rrezikuar shëndetin e banorëve dhe mjedisin jetësor.