Demiri në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut do të jetë deputet i pavarur

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, nga krahu i Ziadin Selës, Ilir Demiri, ka konfirmuar se në periudhën në vijim do të veprojë si deputet i pavarur në Kuvend, për të hapur rrugën drejt një rigrupimi më funksional të opozitës shqiptare, raporton Koha.

Sipas burimeve nga Kuvendi dhe dokumentit të siguruar nga Agjencia e lajmeve Zhurnal e të dorëzuar në Kuvend nga ana e deputetit Ilir Demiri, nismës së Demirit për krijimin e një blloku të koordinuar opozitar pritet t’i bashkohen edhe deputetë nga subjekte të tjera opozitare, të cilët e vlerësojnë këtë hap si mundësi për rritjen e fuqisë politike dhe institucionale të opozitës në vend.

Nisma e tij po shihet si lëvizje e rëndësishme që mund të sjellë energji të re në skenën politike dhe të krijojë balancë më të fortë në raport me pushtetin aktual, ndërsa në ditët në vijim priten zhvillime të reja dhe zyrtarizime nga deputetë të tjerë që pritet të mbështesin këtë proces.

Ndyshe, Kryesia e Aleancës për Shqiptarët e Ziadin Selës, më 18 nëntor mbajti mbledhje në të cilën u diskutua situata aktuale politike, procesi dhe epilogu i zgjedhjeve lokale, si dhe hapat e mëtejmë të këtij subjekti politik. Nga kjo parti bënë me dije se nga tani e tutje do të veprojnë në mënyrë autonome dhe si grup i pavarur në Kuvend, duke ndarë kështu rrugët me koalicionin AKI.

Kujtojmë se Aleanca për Shqiptarët aktualisht funksionon në tre grupacione, dy në opozitë të udhëhequra nga Arben Taravari dhe Ziadin Sela si dhe një në pushtet e udhëhequr nga Arben Fetai.