Feja përbën një nga agjentët më të rëndësishëm të jetës individuale, shoqërore dhe globale. Është një mister që fascinon dhe trondit qenien njerëzore, që prodhon sociabilitet, krijon ndërgjegjen etike dhe vetëdije kolektive. Ndërkohë ajo ndërton vetëperceptimin që e dallon njeriun nga tjetri fetar dhe e bën atë të pretendojë për ekzkluzivitet në këtë dhe botën tjetër. Sado që laiciteti i shtyrë përpara pas Revolucionit Francez ka bërë që impakti social i fesë të relativizohet në përmasa globale, sërish ajo ruan potencialin e vet për të mobilizuar masat, për të gjeneruar kohezion, por edhe keqkuptime, mosmarrëveshje, madje edhe luftëra mes kombeve dhe qytetërimeve. Si ka mundësi një entitet që niset nga fryma e së shenjtës e cila duhet të jetë inkluzive, e cila bazohet në mëshirë, dashuri, në jetën reale të marrë këto nuanca të këtilla që e trazojnë botën në pika të ndryshme. Me gjasë gjithçka buron nga faktori njeri i cili di të shtrembërojë edhe gjënë më të drejtë, të keqinterpretojë edhe fjalën hyjnore.
Një nga ngjarjet që shënojnë agjendën globale çdo vit kalendarik është Forumi Ekonomik Botëror (WEF) që mbahet në Davos të Zvicrës, ku marrin pjesë elitat kulmore qeveritare, ato të biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile. Në takimin e 56-të që u mbajt mes 19-23 janar 2026 u diskutuan sfidat globale, mes tjerash edhe feja si një dukuri që ndonëse parashihej që të jetë një relikt muzeor i shekullit XX, vazhdon të mbetet faktor dinamik edhe në atë XXI.
Takimi i Davosit 2026 kumtoi se 85% e njerëzve në mbarë botën i përmbahen një tradite fetare ose shpirtërore, duke bërë që udhëheqësit globalë të marrin në konsideratë rolin e besimit në adresimin e “polikrizës” dhe sfidave gjeopolitike, ekonomike dhe mjedisore. Nga ana tjetër, numri i afetarëve ose indiferentëve në aspektin fetar, po rritet vazhdimisht. Një studim i vitit 2025 nga Pew Research Center zbuloi se përqindja e të moshërriturve në Shtetet e Bashkuara që identifikoheshin si të krishterë ka shënuar rënie për 16 % nga viti 2007 deri në vitin 2019. Bota nga njëra anë po shfetarizohet, nga ana tjetër po konservatizohet, po fundamentalizohet sado që lëkundet nga zhvillimet e kohës, mes tjerash edhe nga zhvillimi i teknologjive digjitale.
Temat kryesore fetare në “Davos 2026” sihin si më poshtë vijon:
- Iniciativa “Besimi në veprim” (Faith in Action): udhëheqësit fetarë dhe organizata me bazë besimin diskutuan çështjet globale si ndryshimet klimatike, pabarazia sociale dhe ekonomitë morale.
- Dialogu ndërfetar i nivelit të lartë: aktorë kryesorë ishin Rabin Richard Jacobs (Unioni për Judaizmin Reformator), Sheikh Muhammad Al-Issa (Lidhja e Botës Myslimane) dhe mendimtari budist Shoukei Matsumoto.
- Lidershipi i Lidhjes së Botës Myslimane (MWL): Sheikh Dr. Mohammed Al-Issa elaboroi “Kartën e Medinës”, mirëkuptimin ndërfetar, bashkëjetesën dhe rolin e dialogut fetar në paqen globale.
- Përfaqësimi i Krishterë dhe “USA House”: përpjekje për të futur besimin e krishterë në diskursin publik, ku u përfshinë folës si Walter Kim, President i Shoqatës Kombëtare të Evangjelistëve.
- Lutja/Meditimi “Kripë dhe Dritë” (Salt & Light): Organizata “Youth With a Mission” (YWAM) mbajti seanca lutjeje “Kripë dhe Dritë” pranë vendit të ngjarjes, panele publike dhe lutje, me theks te besimi nga baza (grassroots) krahas takimeve të nivelit të lartë.
- IA dhe feja: ndërthurja e teknologjisë dhe besimit; “feja e teknologjisë”.
Një nga panelet e këtij takimi planetar ishte edhe ai mbi relacionin besimi-teknologjia: “Feja dhe e ardhmja: Ndikimi i teknologjisë mbi besimin, kulturën dhe traditat”. Revolucioni i inteligjencës artificiale vazhdon të ndryshojë strukturën e shoqërisë, duke shkaktuar luhatje në shumë paradigma dhe institucione fetare.
(Hipo)teza e eventit ishte: Inteligjenca artificiale mund të ndikojë dhe “marrë përsipër” funksione që tradicionalisht lidhen me tekstet fetare dhe interpretimin e tyre. “Nëse ligjet përbëhen nga fjalë, atëherë inteligjenca artificiale do ta marrë nën kontroll sistemin juridik. Nëse librat janë thjesht kombinime fjalësh, inteligjenca artificiale, e cila mund të mendojë, do t’i zëvendësojë librat. Nëse feja ndërtohet nga fjalët, atëherë inteligjenca artificiale dhe sistemet e saj (AIS) do ta marrin nën kontroll fenë.” – u shpreh historiani Yuval Noah Harari, autor i bestsellerit Homo Deus. /vazhdon/
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.