Struktura etnike e punonjësve në sektorin publik: 72,5% maqedonas, 21,4% shqiptarë, të tjerët 2% ose më pak (Infografik)
Nga numri i përgjithshëm i punonjësve në sektorin publik të përfshirë në Regjistrin e fundit për vitin 2024, 72,59% janë maqedonas etnikë, 21,39% janë shqiptarë etnikë, 2,07% janë turq, ndërsa bashkësitë e tjera etnike janë të përfaqësuara me më pak se 2%. Në Regjistrin e Punonjësve në Sektorin Publik për vitin 2024 vihet në dukje edhe heqja e “balancuesit” nga Gjykata Kushtetuese, shkruan analiza javore e Portalb.mk.
“Duke filluar nga viti 2015, çdo institucion në sektorin publik përgatit një plan vjetor punësimi dhe në përputhje me të i zbaton procedurat e punësimit. Shpërndarja e punësimeve të reja të planifikuara, në përputhje me përfaqësimin adekuat dhe të drejtë, kryhet elektronikisht përmes mjetit në ueb, që është i disponueshëm në faqen e internetit http://balancer.mioa.gov.mk/. Përdorimi i mjetit të lartpërmendur u shfuqizua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut U.Nr. 90/2024 të datës 09.10.2024”, thuhet në raport.
Në vitin 2024, në sektorin publik punonin 127.322, ndërsa raporti mbulon 108.670 punonjës.

Çfarë tregojnë të dhënat mbi strukturën etnike të punonjësve?
Analiza e punonjësve sipas llojit të institucioneve tregon se shqiptarët etnikë janë më pak të përfaqësuar në këto institucione: Presidenti i RMV-së me 11,86%, Shërbimi në Qeveri me 12,14% dhe në Qeverinë e RMV-së me një përfaqësim prej 15,01%.
Në nivelin e të gjitha komunave, përfaqësimi i shqiptarëve etnikë është 20,51%, në ministri është 25,47%, ndërsa përfaqësimi më i lartë me një pjesëmarrje prej 60% është në organet e pavarura profesinale.
Në institucionet gjyqësore, në Prokurorinë Publike 80,56% janë maqedonas, ndërsa 15,93% janë shqiptarë, në Gjykatën Kushtetuese raporti i përfaqësimit është 74,58%, kundrejt 15,25%, ndërsa në gjykata përfaqësimi i shqiptarëve etnikë është 17,03%, ndërsa ai i maqedonasve etnikë është 78,68%.

Të dhënat më të fundit nga Regjistri i Punonjësve në Sektorin Publik tregojnë një shpërndarje dhe përqendrim të ndryshëm të punonjësve sipas përkatësisë etnike në nivel të ministrive.
Përqindja më e lartë e përfaqësimit të shqiptarëve etnikë, 54.10%, është në Ministrinë e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive Etnike, në të cilën 34,02% janë maqedonas, 3,28% janë turq, 2,87% e të punësuarve janë romë dhe serbë, ndërsa 1,23% janë boshnjakë dhe 0,41% janë vllehë.
Përfaqësim prej mbi 30% të qytetarëve nga komuniteti shqiptar ka në Ministrinë e Ekonomisë – 42,37%, Ministrinë e Shëndetësisë – 37,39%, Ministrinë e Arsimit – 34,58%, Ministrinë e Drejtësisë – 37,99%, në Ministrinë e Administratës Publike përfaqësimi është – 33,33%, në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale 35,29%, në Ministrinë e Mjedisit Jetësor – 37,69% dhe në Ministrinë e Çështjeve Evropiane – 31,00%.
Nga ana tjetër, përqindja më e ulët e përfaqësimit të shqiptarëve etnikë është në Ministrinë e Sportit – 12,50%, në Ministrinë e Mbrojtjes 13,74%, në Ministrinë e Transformimit Digjital 16,34%, në Ministrinë e Bujqësisë – 19,45% dhe në Ministrinë e Transportit – 19,47%, ku 19,47% e numrit të përgjithshëm të punonjësve janë shqiptarë etnikë.
Të dhënat e reja tregojnë se numri më i madh i punonjësve nga komuniteti turk janë në Ministrinë e Ekonomisë, në Ministrinë e Administratës Publike dhe në Ministrinë e Çështjeve Evropiane.
Përqindja më e lartë e romëve, mbi 2%, gjendet në disa ministri, si në Ministrinë e Çështjeve Evropiane, Ministria e Transformimit Digjital, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Politikës Sociale, ndërsa përqindja më e lartë prej 6,25% e përfaqësimit të romëve është në Ministrinë e Sportit.
Në analizën e radhës do të publikohen punonjësit e sektorit publik sipas përkatësisë etnike dhe arsimit në institucionet dhe agjencitë shtetërore.