MEPSO pas raportit të revizionit: Dobësitë janë të trashëguara, kemi nisur zgjidhjen e tyre
Pas raportit të Entit Shtetëror për Revizion, MEPSO deklaroi se ka ndërmarrë aktivitete për adresimin e dobësive të evidentuara, të cilat, sipas kompanisë, janë trashëguar nga menaxhmentet e mëparshme dhe datojnë prej vitesh. Sipas MEPSO-s, një pjesë e madhe e problemeve me pronësinë e linjave të transmetimit dhe nënstacioneve lidhen me ndarjen e ish-Elektroekonomisë së Maqedonisë dhe procedurat komplekse për rregullimin e statusit juridik të infrastrukturës energjetike, transmeton Portalb.mk.
Kompania njofton se tashmë ka formuar grupe pune me EVN-në për zgjidhjen e çështjeve pronësore, ndërsa gjatë vitit 2025 ka aktivizuar dhe evidentuar investime të përfunduara në vlerë prej rreth 18 milionë eurosh, të cilat për vite me radhë nuk kanë qenë të regjistruara siç duhet.
MEPSO pranon se disa projekte strategjike janë përballur me vonesa dhe bllokada, por thekson se menaxhmenti aktual ka ndërprerë kontrata jofunksionale, ka zhbllokuar procedura administrative dhe ka rifilluar projekte të rëndësishme, përfshirë interkonektorin 400 kilovolt me Shqipërinë, i cili tashmë po vazhdon me kontraktor të ri. Lidhur me vërejtjet për punësimet, kompania sqaron se konkursi publik dhe procedurat për personat e kontestuar janë realizuar para emërimit të menaxhmentit aktual, por premton kritere më transparente dhe më të kontrollueshme në të ardhmen.
Ndryshe, revizorët konstatuan se, edhe pse shërbimet kompetente në vazhdimësi ndërmarrin aktivitete për harmonizimin e veprimtarisë së shoqërisë me aktet pozitive ligjorë, janë konstatuar dobësi në evidencën dhe rregullimin e pronësisë së infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike, përfshirë edhe tokën.