Pasuria e sekretarit të Qeverisë tashmë dy vjet nën llupën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit tashmë i ka kontrolluar të dhënat mbi pasurinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev, ndërsa pasi LSDM iu qas Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) me kërkesë që ta hetojë “skandalin dhe lidhjen e tij me një kompani bullgare”, Komisioni do ta kontrollojë edhe këtë në kuadër të të njëjtës lëndë, transmeton Portalb.mk nga Slloboden Peçat.
“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit po vepron mbi bazë të lëndës për kontrollimin e të dhënave mbi gjendjen pasurore dhe interesat e Igor Janushevit, Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë. Procedurat mbi bazë të lëndës janë në vijim. Pas përcaktimit të gjendjes faktike në një seancë të KSHPK-së do të merret një vendim dhe ai do të shpallet publikisht në uebfaqen e Komisionit”, thanë nga KSHPK.
Sipas të dhënave të disponueshme publikisht KSHPK po e kontrollon pasurinë e Janushevit që nga viti 2024, ndërsa tani ata thonë se kanë mekanizma të kufizuar për ta kontrolluar pasurinë në një vend të huaj dhe ende nuk kanë vendosur nëse do të kërkojnë një deklaratë të noterizuar nga Janushev apo do ta verifikojnë informacionin në një mënyrë tjetër.
Kryetari i KSHPK-së, Adem Çuçulj, thotë se nuk e di saktësisht se kur është hapur lënda për Janushevin, sepse në atë kohë ai nuk ka qenë kryetar i KSHPK-së, por sipas arkivave mediatike Komisioni ka hapur lëndë për pasurinë e tij që në korrik të vitit 2024.
Janushev në fletën e tij anketuese ka shkruar se në vitin 2023 është bërë me një apartament prej 165 m2 në Komunën Qendër të Shkupit, i cili kushton rreth 325 mijë euro. Në publikimin fillestar të fletës anketuese ishte shënuar se bëhej fjalë për tokë ndërtimi e ndërtuar.
Më pas nga Qeveria informuan se bëhej fjalë për një dhuratë të bërë nga prindërit e Janushevit, ndërsa ai në profilin e tij në FB shkroi se fillimisht kishte një gabim në fletën anketuese.
“Nuk ka tokë të dhuruar… ka të dhëna të plotësuara gabimisht për të cilat tashmë është bërë një korrigjim nga ana ime. Të njëjtën pasuri që e posedoj aktualisht e kam poseduar edhe në të kaluarën dhe nëse kishte ndonjë gjë problematike, qeveria e LSD-së dhe BDI-së kishin më se kohë të mjaftueshme për të vepruar”, shkroi Janushev.
Tani në fletën e tij anketuese qëndron vetëm apartamenti prej 165 metrash katrorë në Qendër.
Nga Qeveria thonë se Janushev asnjëherë nuk ka dorëzuar kërkesë për shtetësi bullgare, siç pretendonin nga LSDM. Nga Qeveria mohojnë edhe se ai ka realizuar të ardhura nga një kompani në Bullgari, por nuk mohojnë se është një nga pronarët në një kompani bullgare.
“Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, asnjëherë nuk ka dorëzuar kërkesë për shtetësi tjetër, as bullgare, e aq më pak ka realizuar të ardhura nga një kompani në Bullgari. Të gjitha insinuatat në atë drejtim janë plotësisht të pavërteta dhe përfaqësojnë një shembull tjetër të politikës së dezinformimit që LSD po e praktikon që kur është në opozitë. Por nëse po ngrenë pyetje për kompani të regjistruara në vendet fqinje, atëherë presim që ju të kërkoni një qëndrim nga LSD dhe përgjigje nga Venko Filipçe që i pret publiku në lidhje me subjektet e tij afariste të regjistruara në Petriç në rrugën “Goce Dellçev” 12 dhe në lidhje me natyrën e veprimtarive të tyre, çfarë pune bëjnë ato, si dhe për burimet e të ardhurave që i gjenerojnë”, thanë nga Qeveria në përgjigjen e tyre.
Nga ana tjetër, nga LSDM porositën KSHPK-në se nuk duhet të jenë vëzhgues të heshtur të skandaleve të Qeverisë.
“KSHPK duhet të hapë menjëherë lëndë, t’i verifikojë të gjitha faktet, t’i kërkojë të gjitha dokumentet dhe ta informojë publikun sa më parë. A i ka deklaruar Igor Janushevi të gjitha ato që ishte i detyruar t’i deklarojë me ligj apo i ka fshehur? Ligji parashikon edhe një dënim ligjor nëse vërtetohet se ai e ka fshehur pjesën e tij në një kompani dhe ai do të duhet të përgjigjet. Meqenëse Janushevi ka dy ditë që nuk del, institucionet janë të detyruara që të japin përgjigje. Ky skandal e zbulon të gjithë hipokrizinë e Mickoskit dhe VMRO-së, të gjithë narrativin e tyre të rremë. Ata po i realizojnë biznes-interesat në Bullgari, nuk presin si qytetarët me orë të tëra në kufij, ndërsa në të njëjtën kohë e bllokojnë integrimin evropian të Maqedonisë dhe i bllokojnë paratë nga BE-ja përmes fondeve”, tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Sipas të dhënave të disponueshme në Regjistrin Qendror Bullgar, i cili është i hapur për publikun, emri Igor Janushev është një nga pronarët e kompanisë “Flugban Trans” me seli në Qystendil. Kompania është regjistruar në vitin 2015 për më shumë veprimtari. Krahas Janushevit pronarë të kompanisë janë edhe Sasho Apostollovski dhe Kire Geshoski, i cili ka disa kompani në Bullgari.