Darkë joformale e liderëve nga rajoni në Athinë, është paralajmëruar edhe prania e Zelenskit

Zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe e ardhmja evropiane e rajonit do të jenë në qendër të darkës së sotme joformale të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Athinë të organizuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis me rastin e 20 vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe Deklarata e Selanikut, transmeton Portalb.mk.

Në takim, siç është njoftuar mbrëmë, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski, i cili do të shoqërohet nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

Të pranishëm do të jenë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidentët e Serbisë dhe Malit të Zi, Aleksandar Vuçiq dhe Jakov Milatoviq, presidenti i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe liderët e vendeve anëtare të BE-së nga rajoni – kryeministrat e Bullgarisë, Kroacisë dhe Rumanisë. Ftesë për të marrë pjesë në darkën joformale kanë marrë edhe autoritetet e Shqipërisë, por në takim nuk do të ketë përfaqësues.

Botapress raporton se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka thirrur në takim informal liderët e Ballkanit Perëndimor, por ftesa për Shqipërinë nuk i ka shkuar kryeministrit Edi Rama. Zyrtarisht pala greke i ka përcjellë ftesë presidentit Bajram Begaj për të përfaqësuar Shqipërinë. Por në Athinë nuk ka shkuar as presidenti i Republikës, duke dhënë si arsye agjendën e tij të paracaktuar.

Mungesa e Shqipërisë në darkë nxjerr në pah “ngrirjen” e marrëdhënieve greko-shqiptare, pas burgosjes së kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri. Mediat greke shkruajnë se qeveria e tyre tentoi një “driblim”, duke qenë se në asnjë rrethanë Rama nuk mund të ftohet për të diskutuar perspektivën evropiane të vendit të tij, ndërkohë që Beleri qëndron në burg.

Media greke Kathimerini në një shkrim për çështjen Beleri dhe për tensionet mes Tiranës e Athinës, flet për prapaskena dhe lojëra nga ana e Shqipërisë. Një tjetër çështje që shtron është dhe ajo e rivalitetit Rama-Berisha, ku Beleri mund të shihet si viktima e betejës. Sipas medies greke Rama mund të rrezikojë pasi Berisha është i padëshiruar nga SHBA.

Jozyrtarisht, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në takimin në Athinë.

Në takim, përveç liderëve nga Ballkani Perëndimor, do të marrin pjesë edhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.

Në prag të takimit të sotëm, kryeministri Kovaçevski njoftoi se do të ketë takim zyrtar me Presidenten e Komisionit Evropian ku do ta informojë për ecurinë e ndryshimeve kushtetuese. Takimi pritet të zhvillohet para darkës informale të planifikuar për në orën 20:15 me orën lokale.

Iniciativa e kryeministrit grek Mitsotakis për takimin e liderëve nga rajoni, siç informojnë burime të qeverisë greke, shënon rolin udhëheqës të Greqisë si shtyllë e stabilitetit, paqes dhe sigurisë energjetike në Ballkan dhe Evropën Juglindore. Takimi do të zhvillohet në pallatin e kryeministrit.