Fragjilitet i pasosur (I)

Kohë më parë, para disa ditëve, Maqedonia e Veriut sërish u lëkund politikisht si pasojë e vizitës së kryeministrit të Kosovës, inaugurimit të ndryshimit të emrit të një rruge dhe organizimeve në Shkup e Tetovë. Edhe një herë u vërtetua se ky vend dhe kjo shoqëri vuajnë nga sindroma e fragjilitetit, thyeshmërisë që është tipike për vendet që Todorova i cilëson si “tjetri i Europës.” Në mediat maqedonase u shfaqën etiketime si “kosovizim i RMV-së”, “Fillim i fundit të Maqedonisë” (Republika.mk), “varrosje e ndryshimeve kushettuese”, “përçmim flagrant i integritetit dhe sovranitetit të shtetit” (tvstanici.net) etj. Ndërkohë ndër shënimet e rralla racionale ishte ai i prof. Maleskit që thoshte se  shqiptarët i kanë pritur maqedonasit etnike për 25 vjet gjatë kontestit me Greqinë. (fokus.mk) Më absurd në gjithë këtë galimatias të krijuar në opinion ishte prononcimi i presidentit të RMV-së i cili njihet me qëndrimet e veta liberale.

Pa marrë parasysh  dimensionin diplomatik dhe lëshimet organizative, ky sensibilitet kundërshqiptar lidhur me rastin “Çair dhe Tetovë” të kujton vitet ’80 dhe ’90 të shekullit të kaluar kur kultura politike maqedonase ishte në akord të plotë me agjendën politike shoveniste dhe raciste të Beogradit. Askush nuk mori guximin të bëjë një analizë të ftohtë se si ky komunitet me dekada ka duruar toponimi të panatyrshme, të “tjetrit”, sllave, serbe në vendbanimet e veta: “Kosta Abrasheviq”, “Bllagoje Paroviq”, “Nikola Grçeto”, “Vasil Anxhelarski”, “Petar Minov”, “Kiril Pejçinoviq” etj. A mundet maqedonasit të imagjinojnë ndonjë emër shqiptar në rrugët e Koçanit, Prilepit apo Negotinës? Ishte vëlëvitur Harta e Shqipërisë së Madhe apo Etnike. Po e Maqedonisë së Madhe-të Bаshkuar (Голема-Обединета), flamuri i Verginës që e shoqëron në shumë evente atë zyrtare? Po mitropoliti Agatangel që në vitin 2021 në TV Alfa si përgjigje ndaj Karakaçanovit tregoi hartën e “Maqedonisë së Plotë”? Ç’ti thuhet mosgatishmërinë e maqedonasve etnikë për të ndryshuar kategorinë kushtetuese 20% në shqiptarë? Ku ka në botë një cilësim të tillë të një grupimi etnik? Çfarë nëse shqiptarët iu drejtohen maqedonasve me: “popullata 57.91 %”? Kuptohet, një pjesë të fajit e kanë politikanët tanë që pranuan një kategorizim të tillë kushtetues.

Sidoqoftë, sociologjikisht del se jetojmë në një shtet fragjil, të cilin do ta trajtojmë si më poshtë vijon. Sipas Çuhadar (2019) shteti fragjil nënkupton atë në të cilin institucionet janë të dobëta dhe jostabiliteti politik mund të shkaktojë konflikt dhe dhunë të brendshme. Fragjiliteti si atribut përdoret për shtetet që nuk ia dalin t’i plotësojnë nevojat bazike të qytetarëve të vet, ku qeverisja është e dobët, ku mbizotërojnë varfëria dhe degradimi permanent, shtet që s’arrin të kontrollojë brendësinë dhe sigurinë kufitare të veten, që janë të prira për konflikt, dhunë dhe luftë qytetare. (Bertocchi ve Guerzoni, 2010:2)

Sipas Unionit Europian, fragjiliteti iu referohet strukturave dhe situatave ku thyhet kontrata sociale për shkak të jokapacitetit ose mosvullnetit të shtetit për t’i kryer funksionet, për t’i realizuar detyrimet dhe përgjegjësitë e vet bazike në aspekt të ofrimit të shërbimeve, menaxhimit të burimeve, sundimit të së drejtës, akcesit të barabartë në pushtet, sigurimit të popullatës dhe në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.