Kasëm Trebeshina nëpërmjet novelës Odin Moldvalsen e shprehu artistikisht shpërfytyrimin e njeriut nën diktaturë.
Në sistemin shtypës, individi që nuk është levë e sistemit totalitar, që nuk jeton sipas dogmave dhe e thotë të vërtetën tronditëse për regjimin, ose vritet, ose burgoset, ose shpallet i çmendur.
Protagonisti ynë, një shpirt i lirë dhe mendjemprehtë, që ngjante me Odin Mondvalsenin, në rininë e tij përshkoi rrugët e Europës dhe u brumos me ide të reja, por fati i tij ndryshoi pas torturave që përjetoi. Ai fliste hapur kundër pushtetit, e thoshte me zë të lartë atë që të tjerët vetëm e pëshpëritnin dhe nuk i duronte maskat në fytyrat e njerëzve. Dukej sikur ishte larguar nga realiteti, por ai e shihte një realitet tjetër: të pa ndikuar nga propaganda.
Këta protagonistë ishin më të kthjellët se ata që e konsideronin veten të mençur, të privilegjuar dhe të pushtetshëm.
Sipas Aldous Huxley-t, viktimat e vërteta dhe të pashpresa të sëmundjeve mendore janë ata që duken normalë, pasi janë përshtatur me një mënyrë ekzistence. Huxley shton se zëri i tyre njerëzor është heshtur që në fillim, aq sa ata nuk luftojnë, nuk vuajnë dhe nuk shfaqin simptoma si neurotikët. Nëpërmjet përshtatjes ata duken normalë në raport me një shoqëri thellësisht anormale.
Ne i përshtatemi shoqërisë anormale që të dukemi normalë, kurse ata që e thonë të vërtetën duken të çuditshëm, të huaj. George Bernard Shaw tha: “Ajo që na duhet janë disa njerëz të çmendur. Shikoni ku na kanë çuar normalët”. Khalil Gibrani e përshkroi këtë gjendje në tregimin “I çmenduri”.
Në një botë ku normaliteti është maskë, ajo që duket si çmenduri është kthjelltësi dhe rebelim kundrejt hipokrizisë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.