RMV, përdorimi i inteligjencës artificiale në institucionet e arsimit të RMV-së i arsyeshëm për disa profesorë

“Chatbot”-i Chat GPT është një modeli i avancuar i Inteligjencës Artificiale (IA) në internet i aftë për të krijuar tekste akademike, ese si dhe për të biseduar ngjashëm si njeriu. Kushtet dhe lejet për përdorimin e tij në procesin e lartë arsimor të Maqedonisë së Veriut, universitetet ende nuk i kanë definuar. Disa universitete e kanë ndaluar krejtësisht si masë kundër plagjiaturës ndërsa disa të tjerë e lejojnë përdorimin e tij. Profesorët me të cilët bisedoi Portalb.mk, vlerësojnë se chatbot-et dhe aplikacionet e ngjashme duhet lejuar të përdoren gjatë përgatitjes akademike të studentëve si dhe stafit universitar me qëllim që të mos krijohen keqkuptime se këto aplikacione janë manipuluese dhe të dëmshme.

Për të mësuar më shumë rreth mënyrave sesi përdoren aplikacionet e chatbot-eve, sa përdoren dhe në përgjithësi, a duhet përdorur ato në universitetet me studentë shqiptar, Portalb.mk bisedoi me Emin Idrizi-n, profesor i gjuhës angleze dhe Meral Veseli-n, profesoreshë e gjuhës shqipe.

Idrizi, tha se universitetet duhet të gjejnë mënyrë sesi ta integrojnë inteligjencën artificiale në mësimdhënie për shkak se ofron mundësi të zhvillimit akademik të studentëve, si dhe duke i përdorur ato largohet perceptimi se janë manipulative.

“Institucionet e arsimit të lartë duhet të gjejnë mënyra sesi ta integrojnë teknologjinë me inteligjencë artificiale në mësimdhënie dhe mësim-nxënie, dhe kjo për dy arsye. E para, platforma ofron shumë mundësi dhe të mira si për studentë ashtu edhe profesorët. Perceptimi i ChatGPT-së vetëm si mjet me të cilën mund të manipulohet nuk është i drejtë dhe duhet të ndryshojë.”, tha profesor Idrizi.

Ai gjithashtu shtoi se kjo temë është mjaft e debatueshme për shkak të mosnjohjes së mjaftueshme të platformës nga profesorët dhe për shkak të mundësisë për plagjiaturë nga ana e studentëve.

I pyetur nëse ai personalisht e përdor Chat GPT-në, ai u përgjigj se atë e përdor si mjet reference për informata rreth botës por edhe në kuadër të lëndës që ai ligjëron.

“E shfrytëzoj platformën në disa mënyra, njëra është për nevojat e mia personale, si për shembull, si mjet reference për informata rreth botës. Mënyra e dytë është në mësimdhënie, në kuadër të lëndës “Mësimdhënia e gjuhës së huaj me ndihmën e teknologjive”. E kam në plan t’i pajis studentët e mi, mësimdhënës të ardhshëm të gjuhës angleze, me njohuri teorike dhe praktike për atë sesi mund të përdoren teknologjitë me inteligjencë artificiale në mësimdhënie.” tha profesor Idrizi.

Ai tha se nuk ka rrezik për plagjiaturë me përdorimin e ChatGPT, sepse platforma përdor një gjuhë shumë të lartë dhe të avancuar që bie lehtë në sy nga profesorët si dhe ka softuerë që e zbulojnë atë.

“Një profesor me përvojë ka mundësi të dallojë nëse studenti ka përdorur ChatGPT-në në një shkrim akademik edhe atë në dy mënyra. E para është se platforma përdor një gjuhë të lartë e të avancuar, dhe kjo bie në sy lehtë. E dyta është se krahas zhvillimit të teknologjive si ChatGPT, janë në zhvillim e sipër edhe softuerë të cilët zbulojnë nëse një tekst është kopjuar nga një platformë me IA. Për shembull, programi “Turnitin” veçmë ka opsionin për të zbuluar kopjime nga platforma me inteligjencë artificiale”, tha profesor Idrizi.

Përveç edukimit të studentëve për inteligjencën artificiale, Idrizi mban edhe punëtori me shkollat e mesme lokale për t’i njoftuar gjeneratat e reja me mundësitë e përdorimit të ChatGPT-së në arsim.

Ilustrim i krijuar nga Portalb.mk me IA, me aplikacionin Bing
Ilustrim i krijuar nga Portalb.mk me IA, me aplikacionin Bing

Meral Veseli, profesoreshë e gjuhës shqipe tha se duhet të lejohet përdorimi i Chat GPT-së nga ana e studentëve për të marrë informacione të sakta për pyetjet që i parashtrojnë, njëjtë siç e përdorin Google, por në mënyrë të përgjegjshme.

“Studentët duhet ta përdorin, pasi Chat GPT është njësoj siç ka qenë Google në fillimet e saja. Ai ndihmon studentët për të marrë informacione të sakta, rreth pyetjeve qe i parashtrojnë. Po ashtu, nuk mendoj se duhet çdo gjë te merret siç na jep ChatGPT, por te përpunohet për nevojat e detyrës së studentit”, tha profesoresha Veseli.

Në lidhje me plagjiaturën, profesoresha tha se për shkak se e përdor platformën për një kohë të gjatë është në gjendje të dallojë në qoftë se studenti e ka marrë një tekst të gatshëm.

“Unë pasi e përdor për një kohë më të gjatë platformën, jam në gjendje ta dalloj tekstin që ma dërgon studenti siç e ka marrë nga Chat GPT. Mirëpo, kujdesem që detyrat të jenë sa më kreative që të mos kenë mundësi të merren të gatshme. Por gjithashtu Chat GPT për momentin jep përgjigje të gabuara në gjuhën shqipe si ato sintaksore dhe ato drejtshkrimore, por me kalimin e kohës do të avancohet dhe do të përmirësohen ato gabime”, deklaroi profesoresha e gjuhës shqipe.

Portalb.mk ka parashtruar pyetje deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës në lidhje me masat dhe rregullativat shtetërore që parashihen për përdorimin e inteligjencës artificiale në arsim, mirëpo deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë përgjigje.