Gjatë kërkimit të saj për praktikantë hulumtuesja Prof. dr. Natalia Kosmina ka vënë re se letrat motivuese që i kishin dorëzuar të interesuarit ishin shumë të ngjashme. Ishte e qartë se për t’i shkruar letrat e tyre aplikantët po përdornin modele të mëdha gjuhësore (LLM/Large language model), një formë e inteligjencës artificiale që i “ushqen” chatbot-et si Chat GPT, Google Gemini dhe Cloud, shkruan “BBC“.
Gjatë ligjëratave në kampusin e Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT), Kosmina, e cila e hulumton raportin mes njerëzve dhe kompjuterëve, ka vënë re se një numër i madh i studentëve e harronin përmbajtjen më lehtë sesa studentët e disa viteve më parë.
Me varësinë gjithnjë e më të madhe nga LLM ajo dyshoi se kjo gjë mund të ndikonte në aftësitë kognitive të studentëve të saj, kështu që ajo u mundua të zbulonte më shumë në lidhje me këtë.
Shqetësimi i hulumtuesve si Kosmina është se nëse bëhemi shumë të varur nga IA kjo mund të ndikojë në gjuhën që përdorim, madje edhe në aftësinë tonë për të kryer detyra themelore kognitive. Sot ekziston një numër i madh i hulumtimeve që sugjerojnë se ky “kalim” në IA mund të ketë një ndikim shkatërrues në aftësitë tona mendore.
E dimë mirë se mjetet që përdorim mund ta ndryshojnë mënyrën se si mendojmë. Me shfaqjen e internetit, për shembull, detyrat që dikur kërkonin hulumtim të thellë tani mund të zgjidhen me një kërkim të thjeshtë. Me rritjen e mënyrave të kërkimit, hulumtimet kanë treguar se kemi më pak të ngjarë t’i kujtojmë detajet, një fenomen i quajtur “efekti Google”. Megjithatë, disa argumentojnë se interneti shërben si një sistem memorjeje të jashtme që e liron trurin për detyra të tjera.
Por, tani po rritet shqetësimi se sa më shumë që përdorim modele të mëdha gjuhësore dhe forma të tjera të IA në vend se të mendojmë, memorja dhe aftësitë tona për zgjidhjen e problemeve zvogëlohen. Mjetet e inteligjencës artificiale mund të shkruajnë poezi, të japin këshilla financiare, ndërsa studentët gjithnjë e më shumë po përdorin mjete të tilla në vend që ta bëjnë punën e tyre.
Hulumtimet tashmë kanë treguar se të rinjtë mund të jenë veçanërisht të prekshëm ndaj efekteve negative që përdorimi i inteligjencës artificiale mund t’i ketë ndaj aftësive kryesore kognitive, siç është të menduarit kritik. Megjithatë, Kosmina ka dashur që t’i hulumtojë këto efekte të mundshme më thellë.
Ajo dhe kolegët e saj në Universitetin e Kalifornisë kanë angazhuar 54 studentë që të shkruajnë ese të shkurtra dhe i kanë ndarë ata në tre grupe. Njërit grup i është thënë të përdorë Chat GPT. Grupit të dytë iu lejua të kërkonte në Google, por pa i përdorur përmbledhjet e gjeneruara nga IA. Grupit të tretë nuk i është lejuar të përdorë teknologji, ndërsa gjithë kohës është bërë matje e valëve të trurit të secilit student.
Temat e eseve ishin qëllimisht të hapura, që do të thotë se kërkohej pak hulumtim, me pyetje që kishin të bënin me besnikërinë, lumturinë ose jetën tonë të përditshme.
Sipas Kosminës rezultatet nuk janë botuar ende në një revistë shkencore, por gjithsesi janë mbresëlënëse. Ata që e kanë përdorur vetëm mendjen e tyre e kanë pasur trurin “në zjarr”, me aktivitet të përhapur në shumë pjesë të trurit. Grupi që ka përdorur Google ka pasur aktivitet të fortë, sidomos në pjesët vizuale të trurit, por grupi që ka përdorur Chat GPT ka demonstruar aktivitet të trurit dukshëm më të ulët, e që ka rënë deri në 55 përqind.
“Truri nuk ra në gjumë, por ka pasur shumë më pak aktivitet në fushat që lidhen me kreativitetin dhe përpunimin e informacionit”, thotë Kosmina.
Chat GPT ka pasur ndikim edhe në memorien e njerëzve. Pas dorëzimit të eseve të tyre pjesëmarrësit në grupin e IA-së nuk kanë qenë në gjendje të citonin nga shkrimet e tyre, disa prej tyre madje kanë menduar se shkrimi nuk ishte e tyre. Edhe hulumtime të tjera kanë treguar se njerëzit bëhen më pak të aftë ta ruajnë dhe ta kujtojnë informacionin kur përdorin mjete të IA si Chat GPT.
Edhe pse gjetjet janë ende duke u shqyrtuar nga kolegët, ato janë në përputhje me rezultatet e studimeve të tjera. Një studim nga hulumtuesit në Universitetin e Pensilvanisë tregon se disa njerëz përjetojnë atë që ata e quajnë “dorëzim kognitiv” kur përdorin Chatbot-e gjeneruese të IA. Kjo do të thotë se ata kanë tendencë ta pranojnë atë që IA ua servon me shqyrtim minimal, madje edhe lejojnë që tua mbisundojë intuitën e tyre.
Efekte të ngjashme mund të vihen re edhe jashtë botës së Chatbot-eve të IA, madje edhe në situata të jetës a vdekjes. Një ekip hulumtues ndërkombëtar pak kohë më parë zbuloi se punonjësit mjekësorë që kanë përdorur mjete të IA për ta kontrolluar kancerin e zorrës së trashë gjatë një periudhe tremujore më vonë kanë rezultuar më të dobët në njohjen e tumoreve pa ndihmën e tij.