Ndërroi jetë gazetarja Gordana Duvnjak

Pas një sëmundjeje të gjatë, gazetarja dhe redaktorja me përvojë të gjatë Gordana Duvnjak – një nga figurat më të njohura në gazetari, veçanërisht në fushën e politikës dhe gjyqësorit, ka ndërruar jetë në moshën 61 vjeç. Lajmin për vdekjen e saj e njoftoi djali i saj Martin Duvnjak me një mesazh emocionues, transmeton Portalb.mk.

“Nëna, gruaja, mbretëresha jonë Gordana Duvnjak ka ndërruar jetë. Një luftëtare grua, një nënë që çdo fëmijë mund ta dëshironte dhe ëndërronte vetëm ta kishte. Më e mira në botë! Një profesioniste dhe gazetare e nivelit të lartë që ishte shembull i ndershmërisë, dashurisë për profesionin, sinqeritetit”, shkroi Martin Duvnjak në një postim në Facebook.

Duvnjak e filloi karrierën e saj gazetareske në vitin 1988 në Radiotelevizionin e Maqedonisë. Nga viti 1991 deri në vitin 1999, ajo punoi në gazetën “Nova Makedonija”. Nga viti 1999 deri në vitin 2017, punoi si gazetare dhe redaktore në gazetën “Utrinski Vesnik”, dhe më pas shkurt në portalin “Makfax”. Në vitin 2018, ajo u punësua në 1TV si gazetare dhe për një periudhë të caktuar si redaktore në stacionin televiziv, ndërsa që nga viti 2019 është në gazetën “Fokus”.

Në vitet e fundit të karrierës së saj, ajo punoi si zëdhënëse e Këshillit Gjyqësor.

Varrimi i Gordana Duvnjakut do të mbahet nesër në orën 12:00 në varrezat e qytetit në Butel.

Ngushëllime për ikjen e saj dërgoi edhe SHGM, si anëtare e gjatë e saj dhe ish-anëtare e Këshillit të Nderit të SHGM-së.

“Ajo kontribuoi në mënyrë aktive në avancimin e standardeve etike në gazetari dhe mbrojtjen e vlerave profesionale. Duvnjak ishte e njohur për aftësitë e saj analitike dhe përkushtimin, veçanërisht në raportimin mbi sistemin e drejtësisë. Ajo gëzonte respekt të madh midis kolegëve të saj dhe publikut, si një gazetare me integritet të lartë profesional dhe një ndjenjë të fortë përgjegjësie. Kontributi i saj në profesionin e gazetarisë do të mbahet mend përgjithmonë”, thonë nga SHGM.