Çairi s’ka inspektor ndërtimor, për 5 vite ka miratuar gjysmën e kërkesave për leje ndërtimi

Komuna e Çairit për pesë vite nuk ka realizuar asnjë inspektim mbikëqyrës, me arsyetimin se nuk kanë të punësuar inspektor të autorizuar ndërtimor. Prej vitit 2018-të deri në vitin 2022 në Komunën e Çairit janë parashtruar 210 kërkesa për leje për ndërtim, ndërkaq Komuna ka vepruar ndaj të gjitha kërkesave dhe ka lëshuar leje për 119, gjegjësisht 57% të numrit të përgjithshëm, tregon hulumtimi “Plane të Përgjithshme Urbanistike (PPU) të vjetruara, ndryshim i shpeshtë i planeve detajore urbanisike (PDU)” i publikuar nga Qendra për Komunikime Qytetare, transmeton Portalb.mk.

Komuna e Çairit, e cila prej vitit 2017-të udhëhiqet nga Visar Ganiu, sipas përqindjes së miratimit të kërkesave për leje ndërtimi, më së shumti ka miratuar në vitin 2021, ndërkaq më së paku në vitin 2018-të, tregojnë të dhënat e QKQ-së. Sipas të dhënave, mbi gjysmën e kërkesave të parashtruara komuna i ka miratuar.

Kërkesa të parashtruara për leje për ndërtim sipas viteve në Çair
Kërkesa të parashtruara për leje për ndërtim sipas viteve në Çair

Sipas hulumtimit, Komuna nuk ka Plan të Përgjithshëm Urbanistik, por Plani i Detajuar Urbanistik për Komunën e Çairit është në suazat e PPU-së të Qytetit të Shkupit, i cili është miratuar më 03.12.2012.

“Ndryshimet e fundit të planit detajor urbanistik të komunës së Çairit janë bërë në vitin 2021 edhe atë katër ndryshime gjithsej, ndërkaq nuk është dërguar informacion me iniciativë të kujt janë bërë ato ndryshime. Asnjë parcelë në pronësi të RMV-së me dedikimin shesh, park, kompleks sportiv nuk është ridedikuar në parcelë ndërtimore”, thuhet në hulumtim.

Plani Detal Urbanistik nuk është publik, komuna s’ka inspektor ndërtimor 

Por, këto ndryshime qytetarët nuk mund t’i shohin në ueb-faqen e komunës, ku edhe pse ka sekcion të veçantë, aty linku për Planin Detal Urbanistik nuk funksionon.

Portalb.mk, e ka kërkuar këtë dokument nga Komuna, megjithatë të njëjtit nuk e kanë dorëzuar.

Në lidhje me numrin e kërkesave për përcaktimin e statusit juridik, në Komunën e Çairit janë dorëzuar 1.929 kërkesa, kurse deri më sot, me aktvendim janë përfunduar vetëm çereku i tyre, gjegjësisht 530.

Sipas hulumtimi në Sektorin për Urbanizëm, Rregullim të Tokës Ndërtimore, Punë Komunale dhe Mbrojtje të Mjedisit Jetësor të Komunës së Çairit ka të punësuar vetëm 16 persona, pavarësisht se janë paraparë të jenë 32.

I përgjysmuar me punëtorë është edhe Seksion për Mbikëqyrje Inspektuese në të cilin ka udhëheqës, por në vend 6 të punësuar ka vetëm 3, ndërkaq nuk ka të punësuar inspektor ndërtimor.

“Në lidhje me mbikëqyrjet inspektuese, Komuna Çair nuk ka zbatuar asnjë mbikëqyrje, me arsyetimin që nuk kanë inspektor të autorizuar ndërtimor dhe për të njëjtin shkak nuk përpilojnë program vjetor dhe raport për punën e seksionit përkatës”, thuhet në hulumtim.

Mungesa e inspektorit ndërtimor në një prej komunave më të dendura në vend, e cila në vazhdimësi është në qendër të kritikave për ndërtime pa leje dhe betonizim, është shqetësuese.

hulumtimin e portalit “360 Gradë” me titull “Makineri kohe” në Çair: Shumëkatëshet e ndërtuara në dy-tre vitet e kaluara, janë legalizuar sikur të ekzistonin në vitin 2011, tregohet dukuria e manipulimit të Ligjit të miratuar në kohën e Gruevskit, i cili ka lejuar që të legalizohen ndërtimet e leja, të cilat janë ndërtuar deri në vitin 2011, ndërkaq kërkesat për legalizim do të duhej të dorëzohen deri në fund të vitit 2018-të.

Sipas hulumtimit, gjithashtu theksohet se në Çair, në periudhën prej vitit 2019-të deri në vitin 2022 janë ndërtuar më shumë ndërtesa se sa janë dhënë leje.