Hulumtimi në RMV: Plane gjenerale urbanistike të vjetërsuara, PDU që ndryshojnë shpesh dhe shumë ndërtime pa leje

Një pjesë dominuese e komunave në Maqedoninë e Veriut nuk kanë plane të gjenerale urbanistike (PGJU) , vlefshmëria formale e të cilave ka skaduar. Në anën tjetër, në komuna për pesë vite janë miratuar shumë plane urbanistike të detajuara (PDU) për të cilat janë bërë shumë ndryshime, tregon hulumtimi “Plane të Përgjithshme Urbanistike (PPU) të vjetruara, ndryshim i shpeshtë i planeve detajore urbanisike (PDU)” i publikuar sot nga Qendra për Komunikime Qytetare, transmeton Portalb.mk.

Ndryshe nga periudha planifikuese 10 vjeçare e parashikuar me ligj, në disa komuna PGJU nuk ka ndryshuar as pas më shumë se 20 vitesh. Përditësimi dhe përgatitja në kohë e PGJU-ve të reja krijon rrezikun e menaxhimit të paplanifikuar të tokës ndërtimore dhe rrezikimit të interesit publik dhe cilësisë së jetës, tregon hulumtimi.

Më tej, bëhet e ditur se rreth tre të katërtat e ndryshimeve në PDU janë bërë me kërkesë të personave fizikë apo juridikë, që do të thotë se është praktikë e vendosur ndryshimi dhe përshtatja e dokumentacionit planor sipas nevojave të subjekteve të jashtme.

Çdo e treta kërkesë për ndërtim në periudhën 2018-2022 është refuzuar apo tërhequr, gjë që sipas studiuesve tregon se procedurat për dhënien e lejes së ndërtimit nëpër komuna, në raste të caktuara, mund të zgjaten në mënyrë të padrejtë.

“Kërkesat për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje të paraqitura në vitin 2018 janë më shumë se dyfishi i kërkesave për leje ndërtimi të paraqitura në të gjithë periudhën pesëvjeçare, nga viti 2018 deri në vitin 2022. Kjo pa mëdyshje flet për pasojat e miratimit të Ligjit për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje, i cili kërcënon parimet e sundimit të ligjit dhe zhvillimin e planifikuar të planifikimit hapësinor në vend”, thuhet në hulumtim.

Për joefikasitetin e mbikëqyrjes inspektuese flet edhe numri i objekteve të ndërtuara pa leje, këto objekte në vend që të rrënohen janë në pritje të legalizimit dhe kjo në një numër disa herë më të lartë se kërkesat e parashtruara ligjërisht për ndërtim.

Pothuajse në çdo komunë ka mbizotëruar praktika e kryerjes së mbikëqyrjes së jashtëzakonshme inspektuese për dallim nga ajo e rregullt dhe e kontrollit. Përdorimi i tepruar i mbikëqyrjes së jashtëzakonshme, thuhet në analizë, krijon rrezik për subjektivizëm në përzgjedhjen e subjekteve që i nënshtrohen mbikëqyrjes inspektuese, si dhe favorizim të subjekteve të caktuara juridike, pra mosveprim të tyre nga mbikëqyrja inspektuese.

Subjekt i hulumtimit të Qendrës për komunikime civile ishin tetë komunat e RMV-së, Manastiri, Kërçova, Kumanovë, Negotina, Tetova, Strumica, Çairi dhe Shtipi.