Gerasimovski: Komunat do të mund t’i konfiskojnë ndërtimet pa leje, në vend të rrënimit të tyre do t’u jepen grupeve të prekshme

Komunat do të mund të konfiskojnë ndërtimet pa leje dhe në vend që t’i prishin, t’i ndajnë për përdorim në grupet e ndjeshme apo organizatat rinore. Siç tha në konferencën e sotme për media, kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, këtë e parasheh Ligji i ri për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar, përfitimit pasuror, sendeve të konfiskuara në procedurë penale dhe kundërvajtëse, transmeton Portalb.mk.

Me rastin e hartimit të zgjidhjes ligjore, Komuna Qendër ka paraqitur iniciativë për futjen e një neni në të që do të rregullojë konfiskimin e objekteve të ndërtuara pa leje.

“Në nenin 66 të Ligjit është përkthyer iniciativa që e kam dorëzuar në BNJVL, e cila i jep mundësi Agjencisë për pronën e konfiskuar që me vendim të Qeverisë t’ia dorëzojë Komunës ndërtimet pa leje. Kjo do të thotë se ne komunat kemi dy mundësi, ose ta legalizojmë objektin ose nëse ka kushte ta prishim brenda 6 muajve nga pranimi. Nëse vendosim ta legalizojmë, do të mund t’ua japim kategorive të rrezikuara sociale të qytetarëve ose ta shfrytëzojmë për shtëpi të ndryshme kulturore, të pensionistëve, të rinisë”, tha kryetari i komunës Goran Gerasimovski.

Ligji i ri për meaxhimin e pasurisë së konfiskuar, përfitimeve pronësore, sendeve të sekuestruara në procedurë penale dhe kundërvajtëse nuk vlen për ndërtimet pa leje që janë në tokë private, për të cilat tashmë është duke u zhvilluar një procedurë inspektimi për shembje ose ka nisur procedura për legalizim.

“Në vend ka afër 100 mijë ndërtime pa leje, këtu në Komunën Qendër ka ndërtime pa leje edhe në tokë shtetërore edhe në zonë të gjelbër. Për të pamundësuar dy objekte të tilla më të mëdha, shumat janë jashtëzakonisht të larta, rreth 5,5 milionë denarë për të pamundësuar funksionimin e dy objekteve. Por tani me zgjidhjen e re ligjore, ndërtimet pa leje do të mund të ripërdoren për nevoja të tjera, pra mund të jenë shtëpi pleqsh, punishte kreative ose klube rinora apo t’u jepen familjeve të rrezikuara social”, shtoi GerasimovskI.

Kujtojmë se më 14 mars, në Kuvend u miratua ligji për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar, të përfitimeve pasurore dhe sendeve të sekuestruara në procedurë penale dhe kundërvajtëse. Miratimi i ligjit të ri, përkatësisht 1/3 e ndryshimeve dhe plotësimeve në ligj, është rezultat i nevojës për përmirësimin e dispozitave ligjore si rezultat i mospërputhjeve dhe problemeve të konstatuara në praktikë nga ana e punonjësve të Agjencisë për menaxhimin e pronës të konfiskuar.