Dezinformimi digjital në prag të zgjedhjeve

Paralelisht me fushatën për zgjedhjen e kandidatëve presidencialë dhe kalkulimet partiake për zgjedhjet parlamentare të prillit, në Maqedoninë e V., një valë e re e dezinformatave politike si pjesë e dezinformatave digjitale ka filluar të nxehë konkurrencën politike dhe emocionale të grupeve etnike. Jemi mësuar që dezinformimi në dhjetë vitet e fundit të ketë burimin rus. Duke qenë pjesë e një fushate më të gjerë dezinformuese të Rusisë dhe Serbisë, në shtetet që mbajnë një kurs pro- perëndimor, gjatë garës zgjedhore për habi janë duke u promovuar disa metoda të kamuflazhit.

Si aktorë të kësaj fushata të përhershme janë zyrtarë të lartë të partive politike, qeveritarë, opozitarë dhe sigurisht këtu përfshihen uebfaqet online të mbështetura pa gjurmë nga partitë politike dhe individë të fuqishëm. Dezinformimi digjital është vënë gjerësisht në funksion të politikanëve dhe partive për të përhapur fushatën e tyre, dhe sigurisht diskredituar gjithashtu kundërshtarët politikë. Pasi që zgjedhjet po afrohen jo vetëm në Maqedoninë e V., BE dhe në SHBA, në veçanti po shohim se një valë informatash politike po qarkullon në uebfaqe apo portale që kryesisht janë burime të brendshme të partive politike që cak kanë kandidatët e partive për president në Maqedoni të V., dhe se kush do të qeverisë vendin pas muajit maj.

Një mënyrë e tillë po vazhdon gjatë tre javëve të fundit ku zyrtarë të lartë nga qeveria dhe opozita po i fryjnë një fushate kundër standardeve demokratike. Për shkak të fraksionimeve politike dhe ndarjeve etno- fetare, rrjedha e dezinformatave që vijnë nga burime të ndryshme digjitale mund të jetë shkatërruese për të gjitha komunitetet, dhe në veçanti për votuesin shqiptar dhe maqedonas. Këtu është e rëndësishme të rishikohet fluksi i informacionit digjital, i cili besohet të jetë vdekjeprurës për të gjitha demokracitë, e veçanërisht ato të brishta në Ballkan.

Duke qenë se pjesa e shteteve demokratike të botës perëndimore është në sezonin e zgjedhjeve, në këtë rast dezinformimi po fuqizohet nga vetë aktorët vendas. Së fundmi diplomatë perëndimorë në Maqedoni të V., janë shprehur se partitë duhet të fokusohen jo në sulme personale, në gënjeshtra dhe dezinformata. Mirëpo në lojëra të tilla për pushtet, pavarësisht partive të majta dhe të djathta, të gjithë përhapin propagandë dhe gënjeshtra e ndonjëherë duke i kopjuar metodat ruso-serbe. Për lexuesit tanë duhet sqaruar se dezinformimi digjital i cili tashmë ka lëshuar rrënjë në Ballkan, është një formë e komunikimit me opinionin publik që ka për qëllimin mashtrimin me të gjitha format, e duke shpërndarë informacione të rrejshme.

Sulmet kryesisht bëhen me anë të shfrytëzimit të teknologjive të fundit. Institucionet e BE-së kanë njoftuar se Ballkani është hapësira ku dezinformimi digjital po merr shpejtësi duke i penguar demokracitë e sidomos gjatë proceseve zgjedhore. BE dhe shtetet e prekura nga dezinformimi digjital kanë promovuar disa strategji të parandalimit, por realisht dezinformimin digjital nuk mund ta parandalojnë as SHBA-ja, dhe as shtetet e BE-së. Banorët e shteteve të Ballkanit dhe të Maqedonisë së V. për habi kanë një përqindje të ulët të besimit për sa u përket informatave të sakta. Më shumë ju besojnë narracioneve të partive politike, dhe të portaleve online që për qëllim plasimin e informatave të qarqeve të interesuara për forcimin e dezinformimit digjital.

Dezinformimi digjital ka një ndikim të madh jo vetëm në botën perëndimore dhe demokracitë e brishta, por edhe vende të tjera pavarësisht zhvillimit ekonomik dhe demokratik. Jetojmë në një epokë që askush nuk mund t’i shpëtojë dezinformimit dhe mashtrimit, e veçanërisht në rajonet e nxehta ku tensionet ndërshtetërore, politike dhe etno-fetare prodhojnë më shumë se keqkuptime. Strategjia afatgjate qëndron në angazhimin apo në edukimin mediatik. Aktualisht është e vështirë të gjendet një zgjidhje në Ballkan dhe Maqedoni të V. Por një gjë duhet thënë se të gjithë aktorët mund të kontribuojnë në stabilizimin e fushatës të dezinformimit digjital.

Nëse vërtetë janë të interesuar për stabilitetin dhe paqen, atëherë fuqia e dezinformimit digjital në kohë të zgjedhjeve mund të zvogëlohet. Dhe kjo është strategjia e vetme e mbrojtjes në kohën e shpërndarjes së dezinformatave digjitale në epokën e vështirë të demokracisë liberale. A mund të bëjnë më shumë të gjithë aktorët e interesuar për paqe? Sigurisht se mund të bëjnë nëse do të mbajnë premtimet se në demokracitë e brishta, angazhimi serioz dhe respektimi i standardeve janë shtytësit kryesorë për të luftuar armiqtë, dhe të gjitha format e dezinformimit të këtij shekulli.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.