Bytyqi: Përafrimi me rregulloret evropiane do të krijojë vlerë të shtuar për ekonominë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, sot ka mbajtur takim pune me përfaqësues të Delegacionit të Ekonomisë Gjermane (AHK) në vend, në në të cilat u diskutuan disa tema dhe çështje, të cilat kanë të bëjnë me promovimin e veprimtarisë së biznesit të kompanive gjermane, transmeton Portalb.mk.

Në takim u diskutua për nevojën e harmonizimit të rregulloreve doganore me ato të Bashkimit Evropian (BE), dhe u vlerësua se është e një rëndësie të madhe për lehtësimin e mëtejshëm të punës së kompanive prodhuese të orientuara drejt eksportit.

“Krijimi i një mjedisi biznesi gjithëpërfshirës dhe dinamik që do të çojë në rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik kërkon monitorim të vazhdueshëm, pra miratimin e standardeve dhe rregulloreve evropiane në fushën e tarifave doganore. Harmonizimi me tarifat doganore evropiane në pjesën e lëndëve të para bazë që përdoren në prodhim mund të çlirojë vlerë të shtuar në ekonominë tonë”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Liberalizimi i tregut të punës ishte një nga temat e diskutuara në takimin e punës me përfaqësuesit e disa kompanive gjermane që kanë investuar në vend, ku zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se Qeveria e njeh këtë nevojë, me të cilën përballen kompanitë vendase dhe të huaja, për të cilat mori vendim për rritjen e kuotës së lejeve të punës për të huajt.

“Për të lehtësuar qasjen e kompanive vendase dhe të huaja në vend drejt një fuqie punëtore të kualifikuar që mund të përfshihet menjëherë në prodhim, Qeveria në seancën e kaluar mori një vendim për rritjen e kuotës së lejeve të punës për të huajt nga 5000 në 7000 leje “, informoi zëvendëskryeministri Bytyqi, ndërsa theksoi gatishmërinë për të vazhduar dialogun me ekonominë në drejtim të lehtësimit të mëtejshëm të disponueshmërisë së fuqisë punëtore të kualifikuar dhe lehtësimit të procedurave.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi rëndësinë e zhvillimit të një dialogu të hapur dhe konstruktiv përmes takimeve të punës, siç është ai me AHK-në, me kompanitë e huaja që kanë investuar në vend, sepse, siç vlerësoi ai, kjo çon në nxitjen e rritjes dhe zhvillimit ekonomik dhe krijimi i mundësive për punë dinjitoze të paguara.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.