“Bëhuni gati për mungesë uji ditëve në vijim në Tetovë”, pasojat e ndryshimeve klimatike dhe mungesës së reshjeve po ndihen dita ditës

Pa ujë të mjaftueshëm këtë fundjavë mbetën disa pjesë të Tetovës pasi ujësjellësi i ri (Leshnicës) ndaloi furnizimin me ujë për shkak të turbullirës e cila u paraqit nga reshjet e shiut, ndërkaq qyteti aktualisht furnizohet me ujë nga burimet e vjetra të cilat nuk disponojnë sasi të mjaftueshme. Ky problem sipas Ndërmarrjes Publike Komunale lidhet me ndryshimet klimatike të cilat kanë rritur presionin mbi burimet e ujit, nga ku prurjet vjetore nga të reshurave të shiut janë në rrezik të zvogëlohen si dhe se ka zvogëlim të ujit, shkruan Portalb.mk.

Që të mos ketë mungesë të ujit në Tetovë nevojiten të ketë minimumi 300 apo 310 litra ujë në sekondë, megjithatë kjo sasi aktualisht është rreth 210-220 litra në sekondë.

Lulzim Shaqiri, udhëheqës i Njësisë së Ujësjellësit dhe Kanalizimit në NPK “Tetova” sqaroi se për shkak të ndryshimeve hidrometeorologjike të cilat ndodhin dhe që nuk janë karakteristike të muajit nëntor dhe mungesës së reshjeve të konsiderueshme gjatë muajit tetor, ballafaqohen me reshje që paraqesin problem dhe vjen deri te turbullira e ujërave të hapura të Leshnicës, dhe mu për këtë arsye është ndërprerë furnizimi me ujë nga ky sistem.

Lulzim Shaqiri, udhëheqës i Ujësjellësit dhe Kanalizimeve në NPK Tetova. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Lulzim Shaqiri, udhëheqës i Ujësjellësit dhe Kanalizimeve në NPK Tetova. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Sistemi i Leshnicës funksionon si sistem autonom, ne e kemi në mbikëqyrje dhe në situata kur rritet niveli i turbullirës, turbidimetri e nxjerr prej sistemi d.m.th. nuk mund ta fus në sistem të furnizimit të qytetit, për arsye se e kalon pragun ligjor dhe rregulloren për furnizim me ujë të pijshëm të qytetarëve i cili është deri në 2, për momentin ne kemi diku nivel të ndotjes 14 i paraqitur, që është jashtë normales afërsisht 10 herë. Ashtu që jemi të obliguar që ta ndërpresim sistemin e Leshnicës dhe të furnizohemi ekskluzivisht vetëm prej burimeve të vjetra të cilat në këtë kohë janë shumë pak, prurjet janë shumë të vogla, dhe prej pusetave”, tha Shaqiri.

Ai thekson se burimet e vjetra dhe pustetat ofrojnë rreth 210-220 litra ujë në sekondë dhe se Tetova ka mungesë të 80 litrave ujë në sekondë për funksionim normal.

“Kjo situatë që e shoh unë dhe si që janë parashikimet e meteorologëve me siguri që do na përfaqësojë problem edhe ditëve në vijim. Ne do bëjmë çmos që të mos vijë deri te ajo mirëpo situata është kjo që është”, tha Shaqiri.

I pyetur nëse ekziston mundësia e mbrojtjes së sistemit të hapur të Leshnicës, Shaqiri tha se “për momentin ndalesën e ujit e bën filtër stacioni, nuk është ndotje kjo është turbullirë, burimet e hapura nuk mund ti mbyllim, nuk mund ti ndalim reshjet.”

Ndërkaq i pyetur për investimin e paralajmëruar për rregullimin e sistemit të ujësjellësit Shaqiri tha se po punohet në këtë drejtim nga ana e Komunës së Tetovës për zgjidhje.

Nuk do të ketë restrikcione, pasi nëse kjo ndodh sipas NPK-së paraqiten defekte të tjera.

Këtë mungesë të ujit më së shumti e ndjejnë lagjet që ndodhen në pjesët e larta të qytetit dhe ata periferike.

NPK-ja kërkon nga qytetarët të sensibilizohen dhe të ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e burimeve të ujit dhe në promovimin e përdorimit të qëndrueshëm.

Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.

Sistemi i Leshnicës është sistem i hapur, që domethënë se merr ujërat e hapura dhe i fut ato në sistem, ndërsa ai i burimeve të vjetra është i mbyllur.

Qyteti ka mungesë të ujit, prandaj përmes stacionit të filtrimit të lëshuar në përdorim në vitin 2017 sigurohen sasi shtesë të ujit, kur rezervarët e Malit Sharr nuk sigurojnë ujë mjaftueshëm.

Uji që merret nga Leshnica, nuk është burim i mbyllur por është ujë sipërfaqësor i marrë nga lumi. I njëjti kalon në disa faza, filtrohet përmes stacionit të filtrimit dhe sillet në rrjetin e ujit të qytetit.

Edhe pse e planifikuar është që stacioni i filtrimit të lëshohet në funksion nga muaji dhjetor e deri në mars, kur njerëzit, kafshët dhe vegjetacioni ndalojnë lëvizjet atje, kjo nuk ndodh, e njëjta është në përdorim gjatë gjithë viti për shkak të mungesës së ujit.

Kështu, gjatë vjeshtës kur gjethet kalben dhe bien në burimin e ujit, e njëjta më pas shkakton ndryshim të shijes, aromës dhe ngjyrës së ujit. Ky fenomen në Tetovë ndodh nga viti 2017.

Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.