BUKURI VRASTARE
“Ke lindur origjinal/e. Mos vdis si kopje e dikujt!”
John Mason
Industria moderne prioritet ka përfitimin, profitin, materialen, dhe s’çan kokë shumë për vlerat, shëndetin, njerëzoren. Kjo është premisë dhe konstatim i shumë autorëve, mjekëve, sociologëve që merren me ndikimin e zhvillimit në mjedisin ku jetojmë, në shëndetin e njerëzve dhe gjallesave në përgjithësi. Këtë e vërtetojnë edhe vëzhgime të njerëzve të thjeshtë, si rasti i një miku që në një fabrikë buke kishte parë thasë ngjyrëkafeje dhe në pyetjen drejtuar punëtorit se çfarë është kjo, kishte marrë përgjigjen: “Ngjyrë për bukë dietale!” “Mbeta pa tekst” – rrëfen ai. Ky është një segment ku shkilet mbi normat morale, mbi besimin që qytetari ka te prodhuesi i cili target të vetëm ka maksimizimin e produktivitetit. S’është e rastësishme që “Këshilli i Etikës Ushqimore” ka vënë një titull që mes tjerash thotë se “sistemi ushqimor global thjesht po na vret” (is literally killing us). Fukushima, Exxon Waldez kanë shkaktuar kataklizma ambientale. Sipas një hulumtimi industritë më destruktive në botë janë: e lëndëve djegëse & energjisë, agrikultura dhe prodhimi i ushqimeve, moda, tregtia e ushqimeve me pakicë, prodhimi i plastikës, industria e transportit, e ndërtimtarisë… (oizom.com)
Industria e bukurisë dhe mirëqenies (wellness) – nga kujdesi për flokët, lëkurën, trajtimet anti-mplakje, kirugjia kozmetike, klinikat estetike, menaxmenti i sëmundjeve, studiot e jogës, spatë etj. – sot është shndërruar në sektor global që vërtit financa, para të majme, 5.6 trilionë për vitin 2023. Teksti i Mike Spector dhe kolegëve i titulluar “Thousands of Black women claim hair relaxers gave them cancer”, i publikuar në “Reuters.com” (2023), trajton lidhjen e relaksuesve të flokëve me kancerin, gjegjësisht racizmin si shkaktar i nevojës për të ndryshuar identitetin, pamësinë e njerëzve, mes tjerash edhe përmes kozmetikës. Studimi i Institutit Kombëtar (Amerikan) të Shëndetit (NIH, 2022) zbuloi një lidhje, megjithëse jo shkakësore, midis përdorimit të shpeshtë të relaksuesve kimikë të flokëve dhe kancerit të mitrës. Autorët konkretisht vënë nën llupë kompanitë “L’Oreal” dhe “Revlon” që janë prodhues të “drejtuesve të flokëve” (hair straighteners), që i bëjnë njerëzit të kërkojnë të jetojnë sipas “standardeve europiane të bukurisë” (European standards of beauty). E kundërta, pra bukuria jo e bardhë deestetizohet, shpallet si shëmti, si gjë e papranuar. Diskriminimi në bazë ngjyrës së lëkurës ilustrohet edhe nga rasti i zonjës Bush, 69 vjeçe, që i tha Reuters-it se ishte përballur me tallje nga fëmijët e bardhë në oborrin e shkollës në St. Louis për “flokët e saj pambuk”, një term denigrues i përdorur për teksturën e flokëve të zeza. “Ishte ndjenja se nuk iu përkisje atyre, ose se nuk ishe po aq e mirë sa ata,” tha Bush, e lindur në vitin 1954, vit kur një vendim historik i Gjykatës së Lartë të SHBA e shpalli të paligjshëm segregimin racor në shkollat publike.
Racizmi i kompanisë për bojëra flokësh vërehet edhe në formulën e saj: “How beautiful Black hair can be” (Sa të bukura mund të jenë flokët e zeza!), gjithnjë duke shoqëruar me sintagmën “Olive Miracle” (Mrekullia e ullirit) dhe me paketime ku dominon ngjyra e bardhë. Në një padi lidhur me këtë çështje në SHBA në pikën 7 thuhet se sistemet e diskriminimit, pra të paditurit, minimizojnë identitetin dhe trashëgiminë kulturore të grave me prejrdhje afrikane duke reklamuar produktet e veta si organike, të shëndetshme, botanike, natyrale dhe super-ushqyese.
Standardet e bukurisë së sotme të imponuara nga makineria e marketingut përforcojnë seksizmin, racizmin, kolorizmin, klasizmin, aftësinë, moshimin dhe normat gjinore. Tendenca për t’u zbardhur edhe trupërisht është një psikozë shkatërrimtare. Ajo shkakton anksiozitet, depresion, dismorfi, çrregullime ushqimi, vetëdëmtim dhe vetëbesim të ulët. Standardet e bukurisë perëndimore janë produkte të një shoqërie kapitaliste, kolonialiste, patriarkale dhe supremaciste të bardhë, të krijuara për t’i mbajtur të tjerët të konsumojnë dhe të konsumuar. (Defino, 2020) Amira Adawe, themeluese e OJQ-së “The Beautywell Project” thotë se kolonializmi ka ikur, por ama ka lënë pas vetes trashëgiminë e bardhësisë, që është një mendësi kolonizuese aktive. Psikologjia e ngjyrave lidhet me mënyrësn se si ngjyra mund të nxjerrë ose të nxisë ndjenja, perceptime dhe sjellje të caktuara. (McMichael, 2024)
Këtu do shënuar se faji nuk qëndron vetëm te prodhuesit, por edhe të blerësit, të cilët supozojnë se blejnë bukuri, se mund të ndryshojnë krijimin e tyre, se mund të bëhen tjetri sipas një matrice të servuar si “modeli ideal i bukurisë”. Populli thotë: “Bukuria s’bëhet me zor, edhe nëse bëhet, s’del e hijshme.” Operacionet plastike trendy të kohës sonë, janë pasqyrime të kësaj manie globale për të ndryshuar identitetin, për t’u dukur si yjet e botës së filmit, muzikës dhe sportit, për t’u bërë “star”, nga hunda deri te mollëzat, flokët e veshmbathja. Një gjë që duhet parasysh është se njeriu duhet të diferencohet me bëmat, veprimet, sjelljen e tij shembullore, me njerëzillëkun e vet e jo me look-un, dukjen, fizikusin e vet që me kalimin e kohës në këtë ose në atë mënyrë deformohet, e humb vitalitetin e periudhës juvenile. Bukuritë artificiale janë vrastare, ngase vrasin orgjinalitetin, autentiken dhe veçanësinë e njeriut. Çdo njeri është një i pashoq, andaj dytëshorizimi i vetes ose nënshtrimi një identiteti të huaj është irracional. Çdo kopje është e shëmtuar.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.