Një banesë në Komunën Qendër në Shkup u shit për 3.360 euro për metër katror
Një banesë prej 50 metrash katrorë, nga të cilat katër metra janë tarracë, në Komunën Qendër është shitur për 168 mijë euro ose 3.360 euro për metër katror, sipas të dhënave nga Regjistri i çmimeve dhe qirave për tregun e pasurive të paluajtshme për gjysmën e parë të vitit 2026, të publikuar nga Agjencia për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme, transmeton Portalb.mk.
Kjo është çmimi më i lartë i shitblerjes për metër katror për një banesë i arritur në gjysmën e parë të vitit 2026.
Shtëpia më e shtrenjtë, ndërkaq, është shitur në Karposh – ka 575 metra katrorë dhe ndodhet në një truall me sipërfaqe prej 1.731 metrash katrorë. Kjo pronë është shitur për 1,5 milionë euro.
Sa u përket hapësirave afariste, me çmimin më të lartë është shitur një sipërfaqe prej 3.478 metrash katrorë. Çmimi i përgjithshëm ishte 6.798.924 euro ose 1.954 euro për metër katror.
Pavarësisht çmimeve të larta, sipas Regjistrit gjashtëmujor të çmimeve dhe qirave për tregun e pasurive të paluajtshme në gjysmën e parë të vitit 2026, tregu i pasurive të paluajtshme shënon rritje të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.
Për gjashtë muaj janë evidentuar gjithsej 16.126 transaksione që kanë të bëjnë me kontrata shitblerjeje ose qiraje. Prej tyre, 11.395 janë për shitblerje, ndërsa 4.731 për qira.
“Në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2025, kur ishin regjistruar 15.779 transaksione, në gjysmën e parë të vitit 2026 është shënuar rritje e lehtë e numrit të përgjithshëm të transaksioneve prej 2,2%“, thuhet në Regjistrin e Agjencisë për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme.
Nga numri i përgjithshëm i transaksioneve, 11.395 janë për shitblerje, ndërsa 4.731 për qira. Këtu nuk përfshihen vetëm banesat, shtëpitë dhe objektet afariste, por edhe pasuri të tjera të paluajtshme, si toka ndërtimore dhe bujqësore, garazhe e të tjera.
Sipas asaj që është evidentuar në raport, rritja e moderuar e numrit të transaksioneve “tregon aktivitet të qëndrueshëm në tregun e pasurive të paluajtshme” në gjysmën e parë të këtij viti.