Piloti nga Gostivari, Nasfi Mustafi: Po krijohet brez serioz i pilotëve shqiptarë, në aviacion lidhjet nuk vlejnë

Nga Gostivari drejt kabinës së avionëve të kompanive të njohura ndërkombëtare, Nasfi Mustafi ka ndërtuar një karrierë gati 25-vjeçare në aviacion. Ëndrrën për t’u bërë pilot e kishte që në fëmijëri, ndërsa shkollimin e kreu në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani. Karrierën e nisi në vitin 2003 në kompaninë gjermane “Hamburg International”, ndërsa vetëm pas tre vjetësh e gjysmë arriti në pozitën e kapitenit. Në një intervistë për Portalb.mk, Mustafi foli për rrugëtimin e tij profesional, barrierat që ka kapërcyer, disiplinën dhe sakrificat që kërkon ky profesion, por edhe për mundësitë që sot kanë të rinjtë shqiptarë për të konkurruar në tregun global të aviacionit. Ai rrëfen edhe atë që nuk shihet pas uniformës dhe katër vijave të kapitenit: lodhjen, përgjegjësinë e madhe dhe trajnimet e vazhdueshme.

Portalb.mk: Nga Gostivari deri në pozitën e kapitenit në një kompani ndërkombëtare ajrore, sa e vështirë ka qenë të thyeni barrierat dhe të hyni në një treg ku konkurrenca është globale dhe standardet janë jashtëzakonisht të larta?

Nasfi Mustafi: Kam lindur dhe jam rritur në Gostivar, ku kam ndjekur edhe shkollën fillore. Në moshën 13-vjeçare u shpërngula në Gjermani, ku vazhdova shkollimin e mëtejshëm. Ëndrra ime që në fëmijëri ishte të bëhesha pilot. Shkollimin për aviacion e vazhdova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa pjesën përfundimtare e kreva në Gjermani, ku edhe mora licencën e pilotit.

Portalb.mk: Kur ju nisët karrierën, sa të pranishëm ishin shqiptarët në aviacionin profesional dhe sa ka ndryshuar kjo pamje sot? A po krijohet më në fund një brez serioz pilotësh shqiptarë?

Nasfi Mustafi: Pas përfundimit të shkollimit, sinqerisht, ishte shumë e vështirë të gjeje punë. Kjo ishte periudha pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, kur pothuajse të gjitha kompanitë ajrore po përballeshin me pasoja të mëdha, ndërsa në treg kishte një numër të madh pilotësh të papunë.

Në vitin 2003 e fillova karrierën në kompaninë gjermane “Hamburg International”, duke fluturuar me avionin Boeing 737. Në këtë kompani punova shtatë vjet dhe, për fatin tim të mirë, pas tre vjetësh e gjysmë u bëra kapiten.

Në atë kompani u punësua edhe një shqiptar nga Kosova, i cili po ashtu jetonte në Gjermani. Në të njëjtin vit, në kompaninë maqedonase MAT u pranuan edhe dy shqiptarë të tjerë nga Maqedonia, të cilët jetonin jashtë vendit. Ftesë nga MAT-i mora edhe unë, por vendosa ta refuzoja, pasi tashmë e kisha nisur karrierën në Gjermani.

Sot, falë edhe rrjeteve sociale, ku mund të shihet shumë më lehtë zhvillimi i këtij profesioni, mund të them me bindje të plotë se kemi shumë më tepër pilotë shqiptarë sesa në fillimet e karrierës sime. Nuk mund të them saktësisht sa është numri i tyre, por është e qartë se po krijohet një brez serioz dhe gjithnjë e më i pranishëm i pilotëve shqiptarë.

Foto nga arkivi personal i Nasfi Mustafit
Foto nga arkivi personal i Nasfi Mustafit

Portalb.mk: Çfarë duhet të ketë një pilot shqiptar që dëshiron të konkurrojë në të njëjtin treg me pilotë nga vende me traditë shumë më të gjatë në aviacion: dije, disiplinë, kapital, lidhje apo, mbi të gjitha, durim?

Nasfi Mustafi: Aviacioni është një nga tregjet më globale në botë, por njëkohësisht edhe ndër sektorët me rregullat më të rrepta. Një shqiptar që dëshiron të bëhet pjesë e këtij tregu duhet t’i ketë të gjitha ato që i përmendët.

Dija është baza kryesore. Kërkohet njohja e gjuhës angleze, matematikës, fizikës dhe teknologjisë, si dhe aftësia për t’u përshtatur vazhdimisht. Nevojitet edhe shumë durim, sepse rruga është e gjatë dhe duhen grumbulluar qindra orë fluturimi.

Disiplina luan rol kryesor. Kërkohet disiplinë e lartë mendore, sepse gabimet duhet të jenë zero, ndërsa piloti duhet të jetë gjithmonë i përgatitur. Pikërisht për këtë shërbejnë edhe listat e kontrollit, të njohura në aviacion si “checklists”.

Shkollat e aviacionit në mbarë botën janë të kushtueshme dhe pothuajse të gjitha janë private. Vetëm një numër i vogël i tyre ofrojnë mundësi për bursë. Këtë e them edhe nga përvoja ime në kompaninë “Emirates”. Atje kuptova se vendasit kishin mundësi ta përfundonin shkollimin për pilotë me bursë. Ishte një mbështetje që më la shumë mbresa.

Portalb.mk: A është aviacioni ende profesion i rezervuar për një elitë të vogël, apo sot edhe një i ri shqiptar nga Shkupi, Tetova, Gostivari apo Prishtina mund realisht të synojë kabinën e një Airbus-i?

Nasfi Mustafi: Jo, aviacioni nuk është profesion i rezervuar vetëm për një elitë. Është një dëshirë apo ëndërr që mund ta realizojë secili që e do vërtet këtë profesion dhe është i gatshëm të punojë, të mësojë dhe t’i përkushtohet maksimalisht.

Në aviacion lidhjet nuk vlejnë, sepse testet janë shumë të rrepta dhe nuk mund të kalohen pa dije dhe meritë. Megjithatë, vendet e zhvilluara u ofrojnë pilotëve të tyre një rrugë më të lehtë dhe mundësi të ndryshme financiare. Ne shqiptarët, fatkeqësisht, ende nuk i kemi këto përparësi.

Portalb.mk: Pas rreth 25 vitesh karrierë, cili ka qenë çmimi personal dhe profesional që keni paguar për të arritur deri te katër vijat e kapitenit? Çfarë nuk sheh publiku pas uniformës dhe prestigjit të këtij profesioni?

Nasfi Mustafi: Kam pasur fat që, siç e përmenda edhe më herët, katër vijat e kapitenit i kam arritur pas vetëm tre vjetësh e gjysmë punë. Megjithatë, ajo që publiku nuk e sheh është lodhja jonë e përditshme.

Orari është shumë i ngarkuar. Përballemi me çrregullimin e gjumit për shkak të ndryshimit të zonave kohore dhe fluturimeve në orët e vona të natës, me motin e keq dhe me menaxhimin e situatave të papritura që mund të ndodhin gjatë fluturimit.

Edukimi ynë profesional nuk përfundon kurrë. Çdo gjashtë muaj zhvillojmë trajnime në simulator, ku çdo gabim serioz mund të na kushtojë me humbjen e licencës. Gjithashtu, çdo vit u nënshtrohemi kontrolleve të rregullta mjekësore.

Foto nga arkivi personal i Nasfi Mustafit
Foto nga arkivi personal i Nasfi Mustafit

Portalb.mk: Shqiptarët kanë tashmë pilotë në kompani të mëdha ndërkombëtare, por ende nuk kemi një traditë të fuqishme institucionale në aviacion. Çfarë na mungon që nga sukseset individuale të kalojmë në një brez të organizuar profesionistësh shqiptarë në këtë industri?

Nasfi Mustafi: Mendoj se duhet t’i mbështesim dhe t’i përkrahim njerëzit tanë për çdo arritje dhe sukses individual. Xhelozinë, si një ves të keq, duhet ta largojmë nga vetja. Duhet të funksionojmë bashkërisht, duke kultivuar bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe respektin. Vetëm në këtë mënyrë sukseset individuale mund t’i shndërrojmë në një forcë të organizuar profesionale.

Portalb.mk: Nëse sot do të kishit përballë një grup të rinjsh shqiptarë që duan të hyjnë në aviacion, çfarë do t’u thoshit pa e zbukuruar realitetin: sa e vështirë është kjo rrugë, sa kushton dhe çfarë duhet të sakrifikojnë për të konkurruar në tregun ndërkombëtar?

Nasfi Mustafi: Jam shumë i sinqertë nga natyra dhe i drejtpërdrejtë në përgjigjet e mia. Pa u menduar dy herë, do t’ua rekomandoja këtë profesion, sepse çdo profesion i ka anët e tij pozitive dhe negative.

Nëse e duan vërtet aviacionin dhe janë të gatshëm të punojnë e t’i përkushtohen, padyshim se do t’ia dalin. Jam shumë optimist se brezat e rinj shqiptarë do të na përfaqësojnë gjithandej nëpër botë dhe do të dëshmojnë se nuk kemi asgjë më pak se evropianët apo popujt e tjerë në vendet më të zhvilluara.

Fatkeqësisht, historikisht kemi qenë shpesh të pushtuar dhe të sunduar nga të tjerët, por përsëri kemi ditur t’ia dalim. Në fund, uroj që në të ardhmen të shohim shumë më tepër shqiptarë dhe shqiptare me uniformën e pilotit.