Botet ranë në tokë – super speciale, fansa dhe hejterë

Dikush është një bot partiak krenar, ndërsa dikush lëvdon liderin e partisë dhe i sulmon kundërshtarët e tij për shkak të kërcënimeve se mund të humbasë vendin e punës. Një gjë është e sigurt, numri i personave të rekrutuar nga partitë politike për të përhapur propagandë në rrjetet sociale arrin në dhjetëra mijëra njerëz. Por, në vendin nga ku burojnë numri më i madh i dezinformatave në rajon, Serbi, këto ditë po zhvillohet një debat i madh, i cili filloi pasi u bënë publike emrat dhe profilet e 14.000 personave që dyshohet se janë bote të Partisë Progresive Serbe (SNS) që është në pushtet, raporton Portalb.mk

Agjencia e lajmeve Meta kontaktoi me personin që e publikoi listën me emrat dhe profilet e disa prej boteve në Serbi: Dragan Vidakoviq – Mrki. Informacioni që ai ndau në deklaratë nuk mund të verifikohet nga një burim i pavarur, por nëse i shikoni vetë profilet në rrjetet sociale, mund të shihni se një pjesë e madhe e tyre vërtet janë bote partiake.

15.000 euro për listë prej 14.000 botesh

Ai thotë se për këtë listë ka paguar 15.000 euro, para që i ka mbledhur nga diaspora serbe. Sipas tij listën e ka blerë nga një prej shefave të ekipit të TI-së të Partisë Progresive Serbe (SNS). Sipase Mrki këto ekipe të IT-së orkestrojnë të gjithë operacionin e boting-ut përmes grupeve në Viber, pasi paraprakisht të kenë marrë udhëzime nga shtabet partiake.

Sa i përket autenticitetit të listës, Vidakoviç thotë se mund të vërtetohet dhe se së shpejti do të publikojë më shumë prova se si funksionon sistemi i boteve në Serbi.

Në listën e publikuar bie në sy ndarja e boteve në tri kategori: “super speciale”, “fansa” dhe “hejterë”. Vidakoviq shpjegon se “super speciale” janë botet më aktive që i sulmojnë kundërshtarët e partisë dhe përhapin informacione të rreme rreth tyre, ndërsa fansat përhapin “mbështetje për regjimin”.

“Hejterët janë ata që e sulmojnë çdo lajm në mediat e lira. Ata shpesh mund të dallohen për komente si ‘Unë nuk jam për Vuçiqin, por këta…’ ose ‘Të gjithë janë njësoj’ dhe komente të ngjashme. Hejterët janë përgjegjës për të vrarë moralin e atyre që janë politikisht neutralë”, shpjegon Vidakoviq.

Vidakoviç nuk tregon shumë mëshirë për njerëzit informacionet personale të të cilëve i postoi në listë, edhe pse dyshon se shumë prej tyre janë detyruar të shërbejnë si bote të SNS-së për të ruajtur vendet e tyre të punës. Ai thotë se njerëzit nga vendet më të vogla në Serbi tani janë vënë në “faqen e turpit”. Ai shton se shpreson që për ta të ketë edhe “përgjegjësi penale”.

Por në kundërshtim me pretendimet e tij, boting-u në vetvete nuk është krim, përveç se nëse përmban elemente që rrezikojnë sigurinë. Ajo që është kriminale në atë operacion është keqpërdorimi i mjeteve buxhetore për tu dhënë ryshfet qytetarëve që të kryejnë aktivitete që nuk janë të parapara me ligj. Këtë e konfirmoi edhe kryetari i Shoqatës së Prokurorëve të Serbisë, Radovan Llaziq, i cili në emisionin Newsnight në TV N1 serb tha se në këtë rast ka elemente të korrupsionit të rëndë.

“Ka dyshim se ata persona që kanë qenë në listën e boteve në fakt kanë qenë të punësuar në ndërmarrje publike dhe organe shtetërore, pa pasur një pozitë konkrete dhe pa pasur detyra konkrete të punës. Ata janë paguar që të shkruajnë disa postime dhe kjo tregon mundësinë e korrupsionit të rëndë dhe kjo duhet të jetë me interes për prokurorët. Nuk jam optimist se do të ndodhë një gjë e tillë, por prokuroria duhet të fillojë një procedurë parahetimore për këtë rast, edhe pse është ende herët të flitet për këtë”, shtoi Llaziq.

Pas publikimit të listës në vend të përgjigjeve publike partia serbe në pushtet e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq filloi një fushatë online të quajtur “Po, unë jam një SNS Bot!”.

“Më së shumti në botë unë e dua Serbinë dhe Partinë Progresive Serbe”, thotë zgjidhja grafike për fushatën, në të cilën mund të shihen disa të rinj duke ngrënë sanduiçe.

Kush është Dragan Vidakoviq – Mrki?

Vidakoviq prezantohet si president i lëvizjes serbe – “Pokret Srbije – Guerila”, të cilën ai thotë se e ka themeluar pas bllokadave të udhëkryqeve në Serbi si një reagim ndaj çmimeve të larta të karburanteve në vitin 2018.

“Unë kam arsim të mesëm profesional, nuk jam me arsim të lartë dhe nuk e fsheh këtë gjë”, thotë Vidakoviq për Meta.mk. Ai shton se është arrestuar dhe është ndaluar disa herë, ndër të tjera, për kërcënimin e sigurisë së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me një postim në Twitter. Siç tregon ai për momentin është azilkërkues politik në Zvicër.

Në të njëjtën kohë vështirë mund të gjesh informacion më të detajuar për lëvizjen e tij, “Pokret Srbije – Guerila”.

Sa i përket vlerave të tyre Vidakoviq në një nga postimet e tij në Twitter thotë se lëvizja është për “autonominë e Vojvodinës, njohjen e Kosovës, sanksionet kundër Rusisë, hyrjen në BE”. Por pastaj u shton komenteve disa emoji ku shkel syrin, gjë që mund të lërë të kuptohet se një shpjegim i tillë është sarkastik. Në kanalin e kësaj lëvizjeje në YouTube gjendet një video e titulluar “Nuk e japim Kosovën” – por nuk mund të vërtetohet me siguri nëse ky kanal i përket lëvizjes.

Në maj të vitit 2019 kjo Lëvizje organizoi një protestë me tenda dhe një pankartë ku shkruhej “As Kurta, as Murta”. Gazeta e përditshme Danas njofton se në këtë protestë kanë marrë një fletëpalosje në të cilën shkruhej se nëse nuk plotësohen 11 kërkesat e tyre, populli serb do të fillojë mosbindje civile dhe grevë të përgjithshme. Gjatë asaj periudhe nuk u vu re asnjë mosbindje civile e theksuar dhe as grevë e përgjithshme.

Në qershor të vitit 2019 Lëvizja paralajmëroi një protestë para Ambasadës së SHBA-së në Beograd, siç thanë “kundër politikave amerikane ndaj Serbisë dhe Kosovës”. Protesta nuk u realizua për shkak të mungesës së një tekniku që do të mund të operonte mjetet piroteknike që ata i kishin sjellë me vete, si bomba tymi dhe pishtarë, njoftoi atëkohë Radio Evropa e Lirë.

Kolegët gazetarë nga Serbia për Mrki thonë se ai nuk është një person shumë i dukshëm dhe se është shumë e vështirë të verifikohen pretendimet e tij.

“Ai është një djathtist që mbledh rreth vetes të rinj që besojnë se ndryshimi i qeverisë në Serbi (qoftë edhe i dhunshëm) është mënyra e vetme për ta rindërtuar shtetin dhe shoqërinë”, thotë Nikolla Petrović nga Fondi ISAK (The International and Security Affairs Centre – ISAC Fund) në Beograd.

Ajo që mund të vihet re është se për disa çështje Vidakoviq ka qëndrime mjaft ekstreme. Për shembull, ai jo rrallë herë në Twitter shkruan se do kishte dashur që Vuçiqi të mos i mbijetojë vizitës së radhës te mjeku.

Numri i boteve partiake është shumë më i madh

Vetë Vidakoviq për Meta.mk thotë se ajo që ai ka publikuar nuk është e gjithë lista e SNS boteve në Serbi dhe se ka shumë gjasa që numri të jetë më i madh. Nëse bëjmë një paralele dhe krahasojmë aktivitetet e disa partive parlamentare maqedonase, mund të vëmë re se aktivitete të ngjashme të mbështetjes masive në rrjetet sociale ekzistojnë edhe në vendin tonë. Deri më tani në disa raste, ish-ministra dhe deputetë kanë thënë publikisht se janë shënjestër e sulmeve online nga bote partiake.

Kështu, ish-ministri i shëndetësisë dhe arsimit në qeverinë e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov, në një intervistë në vitin 2018 zbuloi se partia ka bote partiake që përdoren për të kryer linçime në rrjetet sociale, për përhapjen e gënjeshtrave dhe gjuhës së urrejtjes.

Një deklaratë të ngjashme ka bërë edhe ish-deputetja nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, e cila në vitin 2019 publikisht e konfirmoi ekzistencën e boteve partiake.

Përveç këtyre deklaratave publike për ekzistencën e boteve partiake në Maqedoninë e Veriut, deri më tani nuk ka prova konkrete se kush janë këta persona, nëse janë pjesë e administratës publike apo anëtarë të degëve rinore të partive.