Para disa kohësh, duke dëgjuar një podcast të The Minimalists, më mbeti në mendje një lojë e thjeshtë fjalësh. Joshua Fields Millburn fliste për dallimin mes të qenit i suksesshëm (successful) dhe të qenit i tepruar (excessful) — diçka mes suksesit dhe teprimit.
Në pamje të parë, ndryshimi duket i qartë. Në jetën reale, të rrallë janë ata që vërtet mund ta bëjnë këtë dallim.
Jetojmë në një kulturë ku “më shumë” pothuajse gjithmonë përkthehet si “më mirë”: më shumë para, një shtëpi më e madhe, një veturë më e mirë, një pozitë më e lartë, më shumë udhëtime, më shumë arritje. Edhe kur arrijmë diçka që dikur e kemi konsideruar qëllim, shumë shpejt vija e finishit zhvendoset përsëri.
Prandaj pyetja “kur është mjaft, vërtet mjaft?” është shumë më e vështirë sesa duket.
Natyrisht, “mjaft” nuk është e njëjtë për të gjithë. Për dikë që lufton për të paguar qiranë, për të ushqyer familjen apo për t’u siguruar fëmijëve arsimim, problemi nuk është teprimi, por mungesa. Ideja e të pasurit mjaft fillon të marrë kuptim vetëm pasi nevojat reale dhe një nivel i arsyeshëm sigurie janë plotësuar.
Por pas kësaj pike hyn në lojë diçka tjetër: egoja dhe krahasimi.
Morgan Housel, në The Psychology of Money, e formulon shumë bukur këtë ide kur thotë se kursimi është diferenca mes egos dhe të ardhurave tona. Sa më shumë që rriten të ardhurat, aq më lehtë rriten edhe pritjet, standardet dhe dëshira për të dëshmuar statusin tonë përmes asaj që kemi. Në literaturën e financave personale kjo njihet si lifestyle inflation: prirja që, sa herë rriten të ardhurat, të rriten pothuajse automatikisht edhe shpenzimet dhe standardi që e konsiderojmë normal.
Një shtëpi është e mjaftueshme derisa shohim një më të madhe. Një veturë është shumë e mirë derisa dikush pranë nesh ka një më të shtrenjtë. Të ardhurat duken të kënaqshme derisa fillojmë t’i krahasojmë me të ardhurat e dikujt tjetër.
Dhe kështu, ajo që fillon si sukses mund të kalojë pothuajse pa u vënë re në teprim.
Problemi nuk qëndron te ambicia. Ambicia na shtyn të mësojmë, të punojmë, të krijojmë dhe të ecim përpara. Problemi fillon kur nuk kemi më një pikë ku dimë të ndalemi. Kur “më shumë” bëhet qëllim në vetvete.
Sepse çdo gjë që fitojmë kërkon diçka në këmbim. Një shtëpi më e madhe kërkon më shumë mirëmbajtje. Një pozitë më e lartë kërkon më shumë përgjegjësi. Më shumë të ardhura shpesh kërkojnë më shumë kohë dhe energji. Dhe ndonjëherë, pikërisht gjërat që supozohej të na jepnin liri, fillojnë të na marrin atë.
Ndoshta prandaj të dish se çfarë është “mjaft” nuk do të thotë të heqësh dorë nga ambicia. Do të thotë të dish çfarë nuk je i gatshëm të sakrifikosh për të.
Të kesh mjaft mund të nënkuptojë të kesh siguri financiare, por edhe kohë. Të mund të thuash jo. Të mos kesh nevojë që çdo arritje ta pasojë menjëherë një tjetër. Të mos e masish vlerën e jetës me atë që ende nuk ke.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron dallimi mes suksesit dhe teprimit: suksesi na jep më shumë mundësi, ndërsa teprimi na bën robër të nevojës për të pasur gjithmonë edhe pak më shumë.
Në një nga tekstet e tij të fundit, Millburn u thotë të rinjve se, nëse nuk e përcaktojnë vetë se çfarë do të thotë “mjaft”, bota do ta përcaktojë për ta. Dhe për botën, asgjë asnjëherë nuk është mjaft.