Borrell: Jemi pajtuar për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha pas takimeve të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, se është arritur pajtimi për nevojën e mbajtjes ë zgjedhjeve të reaj në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, njofton Zëri i Amerikës.

Ai tha se pas më shumë se katër orë diskutimesh të dy udhëheqësit e kanë të qartë seriozitetin e situatës në veri, por kanë qasje dhe interpretime të ndryshme për situatën.

Zogti Borrell tha se bashku me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak u paraqiti palëve pritjet e Bashkimit Evropian.

“Për Kosovën që menjëherë të pezullojë operacionet policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Serbia të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës”, tha Borrell.

Të dyja palët tha ai, duhet të shpallin zgjedhjet e reja në të katër komunat, me pjesëmarrje të pakusht të serbëve në to.

“Kjo është rrënja e problemit dhe rrënja e zgjidhjes – zgjedhje të reja sa më parë me pjesëmarrje të plotë”, theksoi ai, duke nënvizuar se është arritur pajtimi për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Bisedimet e sotme pasuan arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe me 14 qershor, në një incident që shtoi tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet të dyja vendeve. Kosova akuzon Serbinë për siç thuhet “rrëmbim të policëve” brenda territorit të saj, ndërsa Beogradi thotë se ata u kapën brenda territorit serb.

Borrell tha se i ka kërkuar presidentit serb lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës, një kërkesë e shtruar me forcë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane që kërkojnë hedhjen e hapave për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, kur për gati një muaj grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Kryeministri Kurti është shprehur në favor të zgjedhjeve të reja por duke ngulur këmbë që kjo të ndodhë pas vendosjes së sundimit të ligjit. Beogradi kërkon largimin e forcave të policisë dhe kryetarëve shqiptarë si dhe lirimin e serbëve të arrestuar në lidhje me dhunën që përshkoi protestat në veri.

Borrell tha se misioni i BE-së për sundimin e ligjit do të vëzhgojë nga afër trajtimin e personave të arrestuar në lidhje me dhunën gjatë protestave në veri të Kosovës.

Takimet e sotme, tha Borrell, nuk u përqendruan shumë në atë se çfarë të bëhet por si dhe kur: “si të qetësohet situata në terren, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e dala prej tij, në veçanti nga marrëveshja e fundit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve”.

Vetëm disa muaj më parë, tha Borrell, “ne arritëm një marrëveshje historike për rrugën drejt normalizimit dhe me të vërtetë dukej sikur ishim në një rrugë të mirë për të çuar përpara këtë normalizim të marrëdhënieve. Ne duhet të kthehemi në zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe kjo përfshin fillimin, pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm, të negociatave për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”.

Ai tha se të hënën do t’u raportojë ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së të hënën për situatën dhe rrjedhën e bisedimeve.

Vuçiç: Nuk kemi ndonjë udhërrëfyes për tejkalimin e krizës

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha pas takimit me ndërmjetësuesit evropianë se nuk “ka ndonjë udhërrëfyes”, për rrugëdaljen nga kriza në veri të Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe qëndrueshmëria janë thelbësore, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e (Albin) Kurtit ashtu siç janë detyruar ta durojnë deri tani”, tha presidenti serb.