Janë gjetur mbetjet e nëndetëses “Titan”, të gjithë udhëtarët janë të vdekur

Kompania “Oceangate” njoftoi se pesë udhëtarët nga nëndetësja e “Titan” janë të vdekur, me çka i është dhënë fund kërkimit, njofton BBC, transmeton Portalb.mk.

“Drejtori ynë ekzekutiv Stokton Rash, Shahzada Davud dhe djali i tij Sulejman, Hamish Harding dhe Pol-Anri Narzheole kanë vdekur. Këta persona kanë qenë hulumtues të vërtetë të cilët kanë ndarë frymë avanturiste dhe pasion të thellë ndaj hulumtimit dhe mbrojtjes së oqeaneve”, kumtuan nga “Oceangate”.

Admirali i rojës Bregdetare të Amerikës Poll Mauxher konfirmoi se anija robotike e anijes kanadeze “Horajzon Arktik” e ka gjetur bishtin konik të “Titan” rreth 500 metra nga mbetjet e “Titanikut”.

“Janë gjetur edhe gjurmë tjera të cilat tregojnë se ka pasur humbje katastrofike të presionit në dhomë. Anija robotike e cila ka operuar në thellësinë e oqeanit në afërsi të “Titanikut” mbetet në vendin e fatkeqësisë”, tha Mauxher.

Ai tha se janë gjetur pesë pjesë të mëdha të “Titanit”.

“Nuk e di nëse mund t’i tërheqim trupat. Është mjedis tepër i ashpër dhe i pafalshëm”, shtoi Mauxher.

Gilermo Zenlajn, njëri prej themeluesve të “Oceangate”, paraprakisht deklaroi se në nëndetësen ndoshta ka ndodhur “shpërthim momental”.

“Kur jeni në thellësi të madhe, trysnia është aq e madhe saqë nëse ka defekt, do të vinte në shpërthim momental. Nëse ka ndodhur ajo, ka ndodhur që prej para katër ditësh”, tha Zenlajn.