“Max van der Stoel” – bibliotekë e përgjegjshme ekologjike, Abdulahi: Qoftë edhe një kapak i mbledhur është i vlefshëm
Biblioteka “Max van der Stoel” në Tetovë përveç se u mundëson studentëve të studiojnë, shërben edhe si një pikë ekologjike ku ata mund të jenë edhe qytetarë të përgjegjshëm ndaj mjedisit jetësor. Në këtë bibliotekë mblidhen kapakët e shisheve të plastikës të cilat më pas riciklohen, ndërsa fondet e mbledhura destinohen për qëllime humanitare. Në lidhje me këtë aktivitet Portalb.mk bisedoi me drejtoreshën e kësaj biblioteke – Elmedina Abdulahin.
Tani e disa vite, kjo bibliotekë krahas librave dhe shërbimeve që ofron për studentët, shërben edhe si një pikë grumbullimi për kapakët e shisheve të plastikës të cilat më pas riciklohen Aty përveç studentëve, gjithkush mund të dhurojë kapakë dhe të jetë ekologjik.
Drejtoresha Abdulahi na sqaron se ky aktivitet ka filluar që nga viti 2019 në bibliotekën e tyre, ku tani më disa aktorë janë të përfshirë në të.
“Së pari kemi filluar grumbullimin e kapakëve vetëm me lexuesit e bibliotekës, pastaj duke i vetëdijesuar studentët filluam të kemi përkrahje edhe nga studentë që nuk janë të rregullt në bibliotekë por nisën ti sjellin kapakët këtu. Kemi pasur bashkëpunim me disa shkolla fillore, më të rregullt kanë qenë nxënësit e shkollës “Liria”, me shkollën e mesme “Maarif”, me bufenë e UEJL, ata rregullisht të gjithë kapakët që mblidhen atje i sjellin këtu në bibliotekë, thekson Abdulahi.
Biblioteka “Max van der Stoel” është pikë grumbullimi për Tetovën, këtu grumbullohen të gjithë kapakët, pastaj të njëjtat nëpërmjet Pakomak edhe përmes Ministrisë së Ambientit Jetësor dorëzohen deri te shoqatat të cilat janë të angazhuara për ta përcjellë projektin deri në fund.
Ky projekt përveç se është ekologjik, ai është edhe humanitar, pasi mjetet të cilat merren nga riciklimi i kapakëve shkojnë për bamirësi.
“Qëllimi i projektit është që përveç vetëdijesimit për nevojën për mbrojtje të ambientit, gjithashtu të ardhurat që mblidhen nga kapakët, në fillim ka qenë projekti “një kapak një shpresë” dhe me të ardhurat e atyre janë blerë karroca për fëmijë që kanë pasur nevoja të posaçme. Pasi përfundoi ai projekt, tani vazhdon me projektin tjetër “çdo kapak ka vlerë”, tani me të ardhurat e këtyre kapakëve rinovohen pediatritë nëpër spitalet në Maqedoninë e Veriut, është një projekt mjaft fisnik në të cilin ne marrim pjesë aktive nga viti 2019”, tregon Abdulahi.
Këto ditë, biblioteka është e mbushur me studentë të cilët po bëhen gati për provimet e fundit të qershorit, ndërsa vërehet rritje e sasive të kapakëve të dhuruar në këtë periudhë.
Interesimi për mbledhjen e kapakëve për çdo vit është në rritje, Abdulahi tregon se më parë grumbullimi bëhej një herë në vit, ndërsa tani ndodh që brenda një viti të vijnë dy apo tre herë nga Pakomak që t’i marrin kapakët prej tyre.
Mesazhi i kësaj nisme është shumë i rëndësishëm, thotë Abdulahi duke sqaruar se edhe fëmijë që shkojnë në vizitë por edhe studentëve ua përcjellin rëndësinë e mbrojtjes së ambientit dhe dëmin që mund të vjen nga plastika për ambientin.
“Definitivisht ka ndikim pozitiv, e shoh që më parë nuk ka pasur aq interesim, madje u vinte interesant kohë pas kohe se çka ndodh me këto kapakë, me kalimin e kohës jo që vetëm ne i informojmë, por vijnë enkas dhe pyesin. Përveç që kapakët i lejnë aty, tash studentët pyesin edhe shishet e plastikës ku mund t’i çojmë, gjë që hap mundësi që të angazhohemi, të shohim ndonjë projekt edhe në atë drejtim që të mund të ketë hapësirë që mund edhe shishet e plastikës për t’i ricikluar”, tha Abdulahi.
Ajo shton se ngrohja globale është problemi më serioz që përballet bota sot, ndikimi negativ i industrisë në ambient është shumë i madh, ndërsa Abdulahi thotë se ne si individë mund të kontribuojmë në këtë drejtim me aq sa mundemi.
“Është me rëndësi që ne si individë të bëjmë aq sa mundemi edhe mundësitë sa i kemi, është shumë me rëndësi që ne të bëjmë pjesën tonë dhe tu japim mesazh të rinjve, fëmijëve tanë që në fakt nuk duhet që gjithmonë të presim prej të tjerëve dhe të ankohemi por duhet të veprojmë qoftë edhe një kapak i mbledhur është i vlefshëm së pari për individin pastaj për shoqërinë dhe më gjerë”, porositi Abdulahi.
Krahas këtij aktiviteti ekologjik, kjo bibliotekë organizon edhe aktivitete të tjera ekologjike, si ajo “recycle, reuse, renew” gjatë periudhës së festave të fund vitit.