Bojmacaliev: Hetimi zgjerohet edhe për dy kolegë tjerë në lidhje me sulmin e punonjësit të MPB-së

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Mitko Bojmacaliev, në lidhje me ish-zyrtarin e lartë të policisë i cili sulmoi kolegun e tij gjatë kryerjes së veprimeve zyrtare, theksoi se hetimi zgjerohet edhe për dy kolegë të tjerë, transmeton Portalb.mk.

“Ngjarja e ndodhur mëngjesin e së dielës, tashmë është bërë kallëzim penal ndaj një personi që ka penguar një koleg në kryerjen e veprimeve zyrtare. Sot në mëngjes u informova se hetimi po zgjerohet edhe për dy kolegë të tjerë”, tha Bojmacaliev.

Me 18 shkurt 2024 Policia e RMV-së njoftoi se në bulevardin “Shën Klimenti i Ohrit” në qendër të Shkupit, ndërsa polici V. G. nga Shkupi së bashku me pesë policë të tjerë nga Njësia për tregti të paligjshme (NjTP) ishte në punë sipas planit për të kontrolluar një objekt hoteliere për të gjetur persona të përfshirë në drogë, V. G. fillimisht është sulmuar verbalisht e më pas edhe fizikisht nga Ivica B., punonjës i MPB-së në Departamentin për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të caktuara (DMPOC) dhe pjesëtar i sigurimit të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.