Mbi 7 muaj pas promovimit, ende nuk funksionon platforma “Çairi Vendos”

Për shkak ngecjeve teknike, 7 muaj pas promovimit, ende nuk është vënë në funksion platforma digjitale “Çairi Vendos”, e cila qytetarëve të kësaj komune do t’u mundësojë që përmes debateve, ideve dhe propozim-projekteve të bëhen pjesë e vendimmarrjes, njofton Portalb.mk.

Më 5 korrik të vitit 2023 kryetari i Komunës së Çairit Visar, Visar Ganiu bashkë me zëvenëdsshefen e Sektorit për Marrëdhënie me Publikun në Ambasadën e SHBA-së, Augusta Philip, drejtorin ekzekutiv të Demokracy Lab, Sefer Selimi dhe përfaqësues të administratës publike e promovuan projektin i cili parasheh kyçje të qytetarëve në vendimmarrjen e komunës.

Por, prej atëherë kanë kaluar mbi 7 muaj dhe e njëjta ende nuk është në funksion. Nga Komuna e Çairit për Portalb.mk theksojnë se ka ngecje teknike, por nuk tregojnë se kur do të jetë gati.

“Platforma digjitale “Çairi Vendos”, momentalisht has në ngecje teknike dhe e njëjta nuk mund të lëshohet në përdorim deri në funksionimin e plotë të saj”, thonë nga Komuna e Çairit.

Kryetari i Çairit, Ganiu gjatë promovimit të platformës, tha se e njëjta ka për qëllim që të ndryshojë mënyrën e komunikimit tradicional mes qytetarëve dhe komunës.

“Për Komunën tonë është nderë i veçantë që jemi pjesë e një projekti të këtillë, sepse fundja qytetarët i kemi patur dhe vazhdojmë t’i kemi partnerin e vërtetë në zhvillimin e komunës sonë. Kjo është platformë që synon të ndryshojë mënyrën e komunikimit nga ajo tradicionalja dhe burokratikja, në atë të shpejtë, të drejtpërdrejtë dhe inovative”, tha Ganiu gjatë promovimit të platformës.

Platforma online Çairi Vendos është një produkt i përbashkët nga Shoqata për avancimin e demokracisë – Democracy Lab dhe Komuna e Çairit, me mbështetje financiare nga Ambasada e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut.