Blerim Grubi: Kultura dhe arti shqiptar ende mbeten prapa në zhvillim krahasuar me bashkëqytetarët tjerë

Në një kohë kur arti shpesh përballet me mungesë vlerësimi dhe zëvendësohet nga trendet e shpejta të rrjeteve sociale, violisti dhe profesori Blerim Grubi rrëfeu për Portalb.mk rrugëtimin e tij artistik, sfidat, përkushtimin dhe misionin shumëvjeçar në kultivimin e muzikës klasike. Nga pengesat e para gjatë studimeve, te roli i profesorit që formon breza të rinj instrumentistësh, Grubi foli hapur për realitetin kulturor të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për mangësitë institucionale, përgjegjësinë e artistëve dhe vlerën e artit si “oksigjen i një kombi”.

Portalb.mk: Si e keni ruajtur ritmin dhe përkushtimin ndaj muzikës gjatë gjithë këtyre viteve në një kohë kur arti shpesh përballet me mungesë vlerësimi?

Blerim Grubi: Pyetje shumë interesante hmmm!. Shikoni tash në këtë periudhë të jetës kur kthej kokën në gjithë këto përjetime që kam pas, mendoj se njeriu po nuk i dha vetes një strategji është shumë rëndë t’i realizojë idetë dhe synimet qe i ke dhënë jetës, për atë ti mban përkushtimin dhe integritetin ndaj profesionit me shumë përkushtim. Kurse vlerësimi për artin tani për tani ka ra në atë se gjithkush mundet t’i jep mendim si gjysmë profesionist i dështuar. Pra fjala artist është përzier edhe me ata që nuk merren me profesion por janë vetëm këngëtarë ose instrumentist amator. Fjala artist është përdorur në Shqipëri qysh në kohë të komunizmit për arsye se të gjithë ata persona që janë marrë me muzikë kanë qenë të shkolluar dhe kanë të kryer muzikën, shkollë të mesme-liceun ose fakultetin e muzikës, për atë te ne ka mbet kjo tani në përdorim të zhargonit të fjalës artist kjo njësoj kur përzihen autor me kompozitor ose tekst shkrues me shkrimtar! Te popujt tjerë kjo çështje është shumë më bukur e rregulluar.

Portalb.mk: Çfarë ju motivon sot, dashuria për artin, përgjegjësia ndaj brezit të ri apo dëshira për të lënë gjurmë në kulturën tonë muzikore?

Blerim Grubi: Çdo njeri në këtë botë që jeton lë një gjurmë në secilin profesion që ai merret, por kjo e artit është diçka më e veçantë. Për këtë ekziston motivi që ti do të merresh dhe përkushton jetën për profesionin që e zgjedh. Sot shumë kuazi “artist” që shoh mundohen të inprovizojnë por që për fat të mirë kjo gjurmë do të jetë e shkruar në akull, vlerat sa herë do të jetojnë gjatë.

Foto nga arkivi personal i Blerim Grubit. Foto: Blerim Grubi (Facebook)
Foto nga arkivi personal i Blerim Grubit. Foto: Blerim Grubi (Facebook)

Portalb.mk: Si e shihni suksesin sot, si një qëllim që arrihet apo si një udhëtim që vazhdon çdo ditë në skenë dhe në auditor?

Blerim Grubi: Që sot mungon kjo pyetje është shumë e qëlluar, nuk mundesh të bëhesh solist-instrumentist i dalluar vetëm me një projekt ose një koncert dhe të thuash se tani kam kryer detyrat e karrierës sime. Gjatë rrugëtimit tim kam hasur në shumë raste të tilla nga individ që edhe i kanë bë dëm shoqërisë dhe kombit si në skenën artistike dhe atë pedagogjike, por është atmosfera e krijuar në këto 30 vite të tranzicionit kur kjo nuk vlen na verbon dhe krijon vlerësime të rrejshme.

Portalb.mk: A ka pasur momente kur keni menduar të hiqni dorë, por muzika ju ka rikthyer sërish në rrugën e saj?

Blerim Grubi: Po ka pasur, unë kam kryer studimet e mija në periudhën e komunizmit famëkeq për shqiptarët, atëherë në moshën 17 vjeçare mua më detyruan profesorët e fakulltetit të muzikës në Shkup që të lë studimet se nuk qenkam i talentuar dhe se nëse don atëherë mudesh të vazhdosh në Prishtinë studimet që në atë kohë. Mirëpo në Prishtinë nuk ekzistonte katedra e violinës në Akademinë e Arteve. Por për çudi Perëndia të dërgon një person që do të nderoj veprimin, së pari ishte nëna ime kur më tha se unë duhet të vazhdoj studimet në muzikë për shkak të babës tim se dëshira e tij ishte që unë të bëhem profesionist, babi im ishte njëri nga këngëtarët e parë të muzikës popullore në këto treva të Sqhiptarisë pas luftës së dytë botërore. Dhe personi tjetër që më shtriu dorën dhe më ndihmoj në ngritjen time artistike është tani me i ndjeri Prof. Gospodinov me kombësi bullgare i ardhur nga Sofia, ai më nuhati se unë do të bëhesha njëri nga studentet më të dalluar në ish shtetin e atëhershëm Jugosllavi, këtë edhe e realizova me punën time, ai më dha njohuritë dhe fshehtësitë e magjisë të instrumentit të violës.

Portalb.mk: Si ndiheni kur shihni që studentët tuaj ecin në skenat ku dikur keni qenë ju, është krenari, reflektim apo përgjegjësie e re?

Blerim Grubi: Po këtë e kam pasur si amanet nga babai im, se instrumenti është një zanat ku duhet të lëvrosh për tu realizuar dhe nëse e mbërrin këtë atëherë do të kesh suksese në brezat që do ti edukosh, pedagogjia sidomos për instrument ka një specifik krejt ndryshe se ndonjë profesion që ligjërimi bëhet në grup. Pra instrumenti ose zëri duhet të qëndiset çdo ditë e çdo orë që mbahet në mënyrë individuale, pra sikur një skulpturë që fillon të bësh nga një material që në fund vjen te një figurë që skluptori e ka paramendu. Ushtrimet mbahen hap pas hapi, është një punë me shumë përkushtim edhe me energjinë që e harxhon me studentin dhe nxënësin veç për të arritur te rezultati në arritjen deri tek gjetja e pasurisë që individi e posedon dhe tani e shfrytëzon për tu bërë personalitet i kompletuar. Në përmbushjen time gjithashtu janë studentët e mi që tani më veç marrin pjesë dhe janë të barabartë me kolegët e tyre në skenat Evropiane dhe më gjerë, kjo mua më gëzon në misionin që unë ja kam dhënë vetës gjatë këtyre decenieve përkushtim për ta, gjithashtu ish studentët i shoh në orkestra dhe grupe kamertale të ndryshme pastaj në Filharmoninë dhe Operën e Kosovës ku veç aty është bërë një ushtri e tërë me studentët e mi, kurse më së shumti më gëzon vlerësimi i instrumentistëve dhe dirigjentëve të huaj që drejtojnë orkestrat dhe që japin kritika pozitive për instrumentistët e orkestrave të Kosovës.

Portalb.mk: Si e përjetoni rolin e pedagogut në një kohë kur muzika klasike shpesh zëvendësohet me “tinguj të shpejtë” dhe trende momentale në rrjete sociale?

Blerim Grubi: Mundohem të mbaj sa të mundem nivelin e duhur sa i takon për të mbajt standardet që duhet të ketë një student, që do të thotë studenti të arrijë nivelin sa më të lartë dhe të mundohemi bashkarisht të avansojmë dhe pozicionojmë muzikën klasike në rrethin më të gjerë te popullata jonë. Tani në këtë kohë të internetit dhe të shpejtësisë së informatave, me intelegjencën artificiale dhe mediat sociale është njësoj si me qenë në një front lufte ku betajat i zhvillojmë për të ruajtur dhe kultivuar gjërat e bukura të muzikës artistike.

Foto nga arkivi personal i Blerim Grubit. Foto: Blerim Grubi (Facebook)
Foto nga arkivi personal i Blerim Grubit. Foto: Blerim Grubi (Facebook)

Portalb.mk: Cilat janë sot sfidat më të mëdha të artistëve në Maqedoninë e Veriut, mungesa e institucioneve të forta, vëmendja publike apo mbështetja shtetërore?

Blerim Grubi: Kjo është një pyetje politike ku duhet të përgjigjem si intelektual. Historia e zhvillimit kulturor në këtë vend ku jetojmë ka kaluar në faza shumë të rënda sa i takon zhvillimit dhe ruajtjes të kulturës përmes artit pse e them këtë?, e them se sa herë kur duhej të marrim iniciativa ne si shqiptarë në kohët e pushtimit Osman, pushtimi i Mbretërisë Jugosllave, koha e komunizmit atëherë shumë intelektual kanë qenë të persekutuar dhe atë deri në burgosje dhe shfarosje të individëve të caktuar, këto fakte i kemi në histori të shkruar me emër dhe mbiemër! Ne në këtë shekull kemi pas fat që kemi qenë të përqendruar në interesat e fuqive të mëdha botërore dhe Evropiane, thjesht kemi thënë sa herë se koha tani punon për shqiptarët? Por ka diçka tjetër këtu, sa herë kur ka qenë e nevojës të shprehet intelektuali me ndonjë ide në këto treva, kemi hasur në mospajtueshmëri dhe vesh të shurdhër te politikëbërësit.

Ja po e tregoj një rast: pas Luftës Çlirimtare Kombëtare në vitin 2002, ne, disa artistë dhe inetlektualë patëm dhënë një ide që të formohet në kuadër të Ministrisë të Kulturës një Departament i veçantë vetëm për kulturën shqiptare me të gjitha resoret që i ka gjegjësisht ministria: muzika, piktura, teatri, muzetë etj, që në fakt edhe do të formonim një autonomi kulturore për shqiptarët e këtyre trevave! Por na u dha një përgjigjje politike që mua dhe shumë tjerëve nuk na pëlqeu duke na thënë se “departemente mund të ekzistojn vetëm për pakica kombëtare” që s’është e vërtetë, por nga ky moment unë vërejta se punën nuk do ta kemi mirë sa i takon ngritjes së kulturës nëpërmjet artit të mirëfillt në këto shtete.”Për një komb kultura është oksigjen” pra presim ditë më të mira edhe pse ndër vite kemi krijuar institucione muzikore shtetërore dhe të tjera por prapë nuk kemi mundur të ecim me hap me bashkëqytetarët që i kemi këtu ku veç ata tani festojnë gati se 8 dekata nga themelimet e institucionet e tyre shetërore nacionale.

Portalb.mk: A ndiheni ndonjëherë si një lloj “misionari kulturor” që përpiqet ta mbajë gjallë artin në një kohë kur audienca shpesh kërkon më shumë zhurmë se vlerë?

Blerim Grubi: Misionar është fjalë që nuk e pranon shqiptari, të gjithë misionarët në histori nuk janë respektuar nga këshillat dhe mesazhet që kanë dhënë në kohën që kanë jetuar por janë vlerësuar pas vdekjes së tyre duke u nisur nga Konica, Fishta, Frashërit dhe shumë tjerë misonar. Pra jemi një fenomen i çuditshëm. Dëmin më të madhë e bëjnë individët që me vetëdije apo të instrumentalizuar nga qendra armiqësore për të njollosur dhe shantazhuar persona të caktuar nëpërmjet rrjeteve sociale dhe ata/arijnë qëllimin për të bë këtë punë. Te faqja ime në rrjetet sociale shpesh më ka ndodhur nga disa persona të kam sharje dhe fyerje por çudi edhe nga ish student të mi këtu në Shkup, por asnjeherë s’kam reagur dhe ra në grackën dhe kurthën që më janë përgaditur, duke më fyer në mospërkrahje edhe institucionet dhe Ministria e Kulturës. Por unë i tejkaloj me një reagim dy fjalësh të shkurt dhe nuk kam durim të polemizoj për të humbur kohë dhe nuk dua të humbi energjinë.

Portalb.mk: Ju që keni përfaqësuar artin në skena ndërkombëtare, a ndjeni mungesën e një bashkëpunimi më të gjerë mes institucioneve artistike?

Blerim Grubi: Po, unë vazhdoj të kam kontakte me artistë dhe festivale ndërkombëtare pasi që ajo me jep një energji dhe ushqim për të mbajtur kondicionin dhe ecur përpara me njohje interesante me instrumentist të kalibrit të lartë artistik dhe pastaj edhe ftesën që bëjë në festivalin të organizuar nga Muza-SkupiKamerfest ata japin kontributin edhe këtu tek ne. Këto janë mënyra që gjej që këta artist pastaj kur vijn për koncert të mbajn master klass-seminar me talentë të rinjë dhe shumë nga këta student dhe nxënës kanë mbajtur kontaktet në vazhdim me profesora të ndryshëm.

Portalb.mk: Çfarë do të donit të mbetet pas jush, cili është mesazhi juaj për të rinjtë dhe lexuesit tanë?

Blerim Grubi: Kur të shoh dhe ndjej se kanë arritur rezuletate të shkëlqyera studentët e mi në hapësirën kombëtare dhe ndërkombëtare kjo është gjeja më e vlefshme për mua. Apeloj deri te prindërit që fëmijët e tyre të merren me një instrument muzikor për shkak të ngritjes së intelegjencës së tyre që kjo veç është konstatuar tek institucionet kërkimore nga Japonia dhe Amerika, dhe tjetra, që rinia të merret me art dhe muzikë të studiojnë muzikën që në kohën e fundit po mungon të jetë e pranishme te rinia në studime universitare. Muzika është gjuha e Perendisë ku gjithë kombet komunikojnë me të njetën mënyrë. Mos të harrojmë se sa më shumë kemi kujdes ndaj kulturës dhe artit aq do të kemi ngritjen më të madhe Kombëtare. Bota ka nevojë sidomos në këtë kohë të vështirë sa më shumë art dhe dashuri.