RMV, administrata gjyqësore në protestë, kërkon paga më të larta

Me pankarta ku shkruhej “Pagat evropiane për ne dhe ju”, Sindikata e pavarur e administratës shtetërore (SPASh) dhe Sindikata e pavarur për shërbim gjyqësor, që funksionon në kuadër të saj, dolën sot në protestë për të shprehur pakënaqësinë e tyre për pagat e ulëta dhe mospagesën e shtesave të pagave, transmeton Portalb.mk.

Protesta është shenjë revolte ndaj pagave të ulëta. Ata kërkojnë rritje të pagave me 30 për qind. Nëse nuk merret parasysh kërkesa e tyre, paralajmëruan se  do të protestojnë duke bllokuar rrugë dhe duke mos lëshuar vërtetime për mosdënim dhe dokumente të tjera. Ata nuk pajtohen me K-15 në vlerë prej 10 mijë denarë.

“Është shumë revoltuese që bëhet fjalë për fondet tona. Prandaj, ta sqaroj qëndrimin tonë edhe atë vetëm në një segment, gjegjësisht në kërkesat tona me pjesën e punës sonë në buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do ta ilustroj me numër – punën e Gjykatës Penale, dhe atë për arkëtimin e faturave paushalle të gjykatës. Në periudhën prej 1.1.2023 e deri më sot, paushall janë ngarkuar 13 milionë denarë, për 12 muaj do të ishte shuma prej 39 milionë denarë nga një paushall. Inkasimi për vërtetime në kurriz të buxhetit për mosdënim dhe ndalim të veprimtarisë në periudhën prej 1.1.2023 deri më sot janë mbledhur 9.420.000 denarë, për vitin 2022 në shpenzim të buxhetit të certifikatave janë mbledhur 16.232.000 denarë.Me vendime të formës së prerë në vitin 2022 në buxhetin e Gjykatës Penale për gjoba janë ndarë 82.597.000 denarë”, tha Jasmina Veliçkova, kryetare e Sindikatës së Pavarur të Administratës së Gjykatave.

Ajo thekson se janë futur në një situatë ku të emëruarit dhe të zgjedhurit kanë pasur rritje të pagave prej 78 për qind, punonjësve të shërbimit gjyqësor po u hiqen të gjitha shtesat dhe tani, siç tha, ka një hendek të madh në paga me gjyqësorin.

Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore (SPASh) dhe Sindikata e Pavarur e Shërbimit Gjyqësor, për herë të fundit protestuan më 13 korrik, me po të njëjtat kërkesa, ndërsa qysh atëherë i paralajmëruan protestat e sotme.