Besimtarët muslimanë në RMV e botë festojnë Fitër Bajramin pas një muaj agjërim, gëzuar!

Besimtarët muslimanë sot në RMV dhe mbarë botën festojnë Fitër Bajramin, një ndër festat më të mëdha, e cila vijon menjëherë pas mbarimit të agjërimit të Muajit të Ramazanit, shkruan Portalb.mk.

Në ora 5.29 besimtarët në Shkup në RMV kanë falur namazin e sabahut, ndërkaq në ora 6.43 namazin e Fitër Bajramit. Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup, dhe u transmetua drejtpërdrejtë në TVM2.

Pas faljes së namazi i Fitër Bajramit, muslimanët kanë uruar njëri tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie respekti.

Urime kanë dërguar edhe liderët politik në Maqedoninë e Veriut, rajonit e mbarë botës.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema Hafiz. Shaqir ef. Fetai, në porosinë e tij për mbarimin e Muajit të Ramazanit dhe festës së Fitër Bajramit ka theksuar se në këto ditë festive kudo shtrihet dora e mëshirës.

“Në këto ditë festive të Fitër Bajramit do ta falenderojmë Allahun xh.sh. për atë që na e mundësoi të agjërojmë Ramazanin, do ta falënderojmë për të mirat që na i ka dhënë! Por, të mos harrojmë: në gëzimet tona t’i përfshijmë edhe njerëzit tanë që janë në nevojë: skamnorë, të varfër, jetimë, por edhe institucionet tona islame. Prandaj, në fund të Ramazanit na është bërë obligim dhënia e Sadakatul Fitrit, për të cilin Pejgamberi a.s. ka thënë se me dhënien e Sadekatul Fitrit ne pastrojmë agjërimin tonë nga fjalët e tepërta. Po ashtu, me dhënien e Fitrit ne i mëkëmbim dhe përforcojmë institucionet e thirrura për përhapjen e mësimeve islame si dhe ndihmojmë personat në nevojë. Sot, në këtë ditë të gëzimit të Fitër Bajramit, me zemra të pastra i drejtohemi Allahut të Gjithëmëshirshëm që të na japë fuqinë imanit, guximin e faljes dhe të pajtimit, buzëqeshjen me të tjerët, për të hapur rrugët e shpresës për të ardhmen, duke qenë të vendosur në rrugëtimin tonë për të kultivuar një të tashme dhe të ardhme edhe më të ndritur; t’u japë gëzim dhe shpresën në zemrat e tyre skamnorëve, jetimëve, njerëzve me telashe fiziko-shpirtërore, me qëllim që sot dhe gjithmonë në jetë të jemi të lumtur dhe të gëzuar, e mbi të gjitha – falënderues ndaj të Madhit Zot”, tha Fetai.

Redaksia e Portalb.mk ua uron të gjithë besimtarëve muslimanë festën e Fitër Bajramit, duke uruar për shëndet, mirëqenie, dhe solidaritet.