Urimet e krerëve politik në Maqedoninë e Veriut për Fitër Bajramin

Krerët politik në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarëve mysliman në vend festën e Fitër Bajramit. Mesazhi i përgjithshëm i tyre në këtë ditë festive është që të mbizotërojë solidariteti, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe mirësia te të gjithë, mirëqenia ekonomike dhe ngrohtësia familjare le të sundojë në çdo shtëpi në këtë ditë të madhe, njofton Portalb.mk.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski me rastin e festës së Fiter Bajramit ka uruar që në frymën e festës, jo vetëm gjatë tre ditëve festive por edhe gjatë gjithë vitit të jetojmë në paqe dhe në harmoni dhe të jemi solidar të mbushur me gëzim dhe lumturi.

“Festa e madhe e shënon fundin e agjërimit 30-ditor nga mëngjesi në mbrëmje në të cilin çdo mysliman krahas ushqimit dhe pijeve heq dorë edhe nga mendime dhe vepra të këqija, duke iu kushtuar lutjeve dhe shpirtërores. Si një nga shtyllat e islamit, Ramazani është muaj i mirësisë, dashurisë dhe faljes. Të gjithë të bashkuar me të afërmit tanë të ndajmë vizion për mirëqenie, prosperitet dhe zhvillim të atdheut tonë të përbashkët”, potencoi Pendarovski në urim.

Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski ka uruar besimtarët që ditën e sotme ta kalojnë në lumturi, mirëqenie dhe në harmoni me të dashurit e tyre.

“Besoj se pas një muaji agjërim, të gjitha dëshirat Tuaja do të dëgjohen, ndërsa respekti i ndërsjellë, mirëkuptimi, toleranca dhe humanizmi, që duhet të jenë pasqyrë e çdo njeriu, do t’ju ndihmojnë në përmbushjen e tyre. Festat fetare e ngrenë lart dashurinë ndaj njeriut, kështu që muajin që lamë pas treguam se nuk ka rëndësi se cilës fe i përkasim, por rëndësi ka respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, që na bëjnë të gjithëve më të mirë dhe më të pasur shpirtërisht”, theksoi Mitreski.

Kryeministri Talat Xhaferi ka uruar besimtarët myslimanë që festa e Fitër Bajramit të sjellë shëndet, paqe, mirëqenie dhe harmoni në shpirt, në familje, në shtet.

“Është festë që i bashkon familjet, të afërmit, miqtë, fqinjët ndër shekuj, duke përcjellë mesazhin e vlefshëm se
vetëm lumturia e përbashkët sjell lumturi të vërtetë. Është festë e cila nxit solidaritetin dhe forcën shpirtërore te njerëzit për respekt të ndërsjellë, për durim dhe mirëkuptim, si rrugë e vetme drejt paqes së dëshiruar. Prandaj, le të bëjmë vepra të mira, le të jemi gjithmonë pranë njëri-tjetrit dhe me dorën e shtrirë ndaj njëri-tjetrit të përparojmë
bashkë të gjithë. Uroj të keni shëndet të mirë dhe forcë për të kryer misionin fisnik që e keni, për të udhëzuar në rrugë të drejtë dhe të ndershme pjesëtarët e konfesionit islam. Ndërsa ne, si politikan, do të mbështesim akoma më fortë ndërtimin e shtetit tonë të përbashkët, duke plotësuar të drejtat dhe obligimet e çdo një komuniteti, për të vazhduar storjen e suksesshme të shtetit multietnik në rajon, i cili në kohën e sfidave globale u tregua tejet i nevojshëm për familjen e shteteve evropiane”, thuhet në urimin e Xhaferit.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka uruar besimtarët që bekimet e muajit të shenjtë të Ramazanit të kenë ndriçuar shpirtërat dhe vatrat familjare.

“Praktikimi i veprave të mira në shërbim të së mirës së përgjithshme, respekti dhe solidariteti ndërnjerëzor që na i rikujton për çdo vit qofshin kryefjala e përditshmërisë sonë! Qofshin të pranuara agjërimi dhe të gjitha lutjet e bëra! Paçi shëndet, mbarësi e harmoni në çdo hap të jetës suaj!”, shkruan Ahmeti në urim.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka uruar që kjo festë e madhe për të gjithë besimtarët myslimanë  të sjellë paqe, lumturi dhe prosperitet.

“Pas një muaji të bekuar, me sakrificë e solidaritet, pastërti e devotshmëri, sot festojmë Fitër Bajramin. Uroj që Zoti të pranojë agjërimin dhe lutjet tona! Paçi gëzim në zemrat dhe harmoni në familjet tuaja. Sot është një ditë bekimi dhe paqeje, është një ditë për të reflektuar, për të festuar bashkë me familjen dhe për të uruar miqtë e më të dashurit tuaj!”, ka theksuar Sela në urim.

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski u ka uruar besimtarëve lumturi, qetësi, mirëqenie dhe forcë shpirtërore.

“Pikërisht mbi këto vlera, ne bashkërisht e ndërtojmë shoqërinë tonë e cila është e barabartë për të gjithë dhe pikërisht me këtë veçanti e integrojmë shtetin në familjen e madhe evropiane të popujve dhe shteteve”, thotë Kovaçevski.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski kme rastin e festës së Fitër Bajramit besimtarëve ju ka uruar shëndet, lumturi dhe mirëqenie.

“Besimtarëve myslimanë ua uroj festën e madhe të Fitër Bajramit. Ju dëshiroj shëndet, lumturi dhe mirëqenie atyre dhe familjeve të tyre. Të njëjtën ua dëshiroj edhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, thotë Mickoski.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi uron për sa më shumë tolerancë, mirëkuptim dhe mirëqenie në familjet e qytetarëve.

“Festa e Fitër Bajrami karakterizohet me përmbushjen e qëllimit të sakrificës gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Në këtë festë duhet të shtrijmë dorën e solidaritetit e të mirëkuptimit ndaj njëri tjetrit, Ju dëshiroj sa më shumë tolerancë, mirëkuptim dhe mirëqenie në familjet e juaja. Andaj në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, Gëzuar Festën e Fitër Bajramit gjithë besimtarëve mysliman!”, thotë Thaçi në urim.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka uruar që në këtë ditë madhështore familjet e të gjithë besimtarëve të jenë të bashkuara, të mbushura me plot gëzim dhe harmoni.

“Sofrat e të gjithëve të jenë të mbushura plot bereqet e të sundojë dashuria dhe lumturia! Uroj që çdo ditë të jetës suaj, ta kaloni me shëndet të plotë dhe pranë të afërmve tuaj!”, thotë Kasami në urim.