Mesazhe paqeje dhe solidariteti nga krerët shtetërorë në RMV me rastin e Kurban Bajramit

Krerët e shtetit në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe bashkëjetese. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në urimin drejtuar kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, theksoi se Kurban Bajrami bart vlera të rëndësishme si humaniteti, empatia dhe përgjegjësia ndaj të tjerëve, raporton Portalb.mk.

Ajo vlerësoi se në kohë pasigurish dhe sfidash, festat fetare kanë fuqi të veçantë shpirtërore dhe shërbejnë si urë për forcimin e respektit dhe mirëkuptimit ndërmjet qytetarëve.

“Në një botë të ngarkuar me pasiguri, mosbesim dhe një ndjenjë të dobësuar të përkatësisë së përbashkët, festat e mëdha kanë një dimension dhe fuqi të fortë shpirtërore. Kurban Bajrami, nëpërmjet simbolikës së tij të thellë të dhënies dhe sakrificës, tregon vlera të rëndësishme për pjekurinë morale të komunitetit: humanitetin, empatinë, solidaritetin dhe përgjegjësinë ndaj të tjerëve. Pikërisht në aftësinë për të ruajtur dhe shprehur dashurinë dhe kujdesin për të afërmin, edhe në momente dallimesh dhe sfidash, njihet dhe matet integrimi i shoqërisë. Vetëm nëpërmjet mirëkuptimit, respektit të ndërsjellë dhe një kulture respekti, diversiteti mund të jetë një avantazh, jo një dobësi, të bëhet një urë, jo një pengesë, të rritet në unitet, duke kapërcyer përçarjet. Gëzuar Kurban Bajramin”, thuhet në urimin e Siljanovska Davkovës.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në urimin e tij theksoi se Kurban Bajrami është festë e sakrificës, humanizmit dhe afërsisë mes njerëzve.

Ai u bëri thirrje qytetarëve për më shumë unitet, paqe dhe harmoni, duke shtuar se vetëm së bashku mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë për të gjithë qytetarët. Gashi uroi që festa të sjellë begati, shëndet dhe qetësi shpirtërore në çdo familje.

“Në diten e Kurban Bajramit, festës së sakrificës, humanizmit dhe afërsisë mes njerëzve, përtërihen vlerat më të larta të solidaritetit, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Kjo festë e shenjtë na rikujton rëndësinë e kujdesit për njëri-tjetrin, të ndarjes së mirësisë me familjen, fqinjët dhe të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje dhe ngrohtësi njerëzore. Kurban Bajrami është gjithashtu një thirrje për më shumë unitet, paqe dhe harmoni në shoqërinë tonë, duke forcuar besimin se vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Në emër të Kuvendit dhe në emrin tim personal, ju uroj që kjo festë të sjellë begati, shëndet, qetësi shpirtërore dhe lumturi në familjet tuaja. Urime Kurban Bajramin!”, thuhet në urimin e Gashit.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski dërgoi mesazh urimi, duke kujtuar se kjo festë paraqetë vlera të solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë.

“Të dashur qytetarë të besimit islam, me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit, ju shpreh urimet e mia të sinqerta juve dhe familjeve tuaja, me dëshira për shëndet të mirë, paqe, qetësi dhe mirëqenie në çdo shtëpi. Kurban Bajrami na kujton vlerat e solidaritetit, humanizmit, respektit të ndërsjellë dhe kujdesit për fqinjët tanë. Në frymën e festës, le të vazhdojmë të ndërtojmë së bashku një shoqëri mirëkuptimi, uniteti dhe respekti, ku diversiteti është forca jonë, dhe bashkimi është e ardhmja jonë. Ditët festive sjellin gëzim, ngrohtësi dhe shpresë, dhe dashuri, paqe dhe begati në çdo familje. Gëzuar Kurban Bajramin!”, shkroi Mickoski.

Pas faljes së namazit, muslimanët uruan njëri-tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie dhe respekti.

Kurban Bajrami, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e profetit Ibrahim të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.