Bërvenica të dielën do të votojë në rrethin e dytë për kryetarin e ri të komunës, Jahiji përballë Radiçevskit
Më 1 nëntor pritet të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, ku për të parin e Komunës do të garojnë Stojanço Radiçevski nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, dhe Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), raporton Portalb.mk.
Kjo u konfirmua pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i përmbylli rezultatet e raundit të parë, të mbajtur më 18 tetor, pa pranuar ankesa për procesin zgjedhor.
Sipas rezultateve të publikuara nga KSHZ-ja, në raundin e parë Radiçevski mori 2.945 vota, ndërsa Jahiji 2.152 vota. Në vendin e tretë u rendit Jakup Huseini nga VLEN-i me 1.529 vota, ndërsa Jovica Radeski nga LSDM-ja mori 707 vota.
Kandidatët e pavarur dolën të fundit. Në vendin e pestë doli Dushan Bogdanovski, nga grupi i zgjedhësve, me 57 vota, ndërsa në vendin e gjashtë ishte kandidatja Arife Idrizi, po ashtu nga grupi i zgjedhësve, e cila fitoi 21 vota.
Zgjedhjet e parakohshme lokale në Bërvenicë u mbajtën pasi më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare, ndërroi jetë kryetari i atëhershëm i komunës, Jovica Ilievski.