Nis punën grupi për stragjinë për apelin në Hagë, Konjufca: Mbështetje e plotë për krerët e UÇK-së

Grupi punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara ka mbajtur mbledhjen konstituive të martën, raporton Koha.net. Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, i cili është në krye të këtij grupi, ka thënë se në mbledhje u diskutuan drejtimet kryesore të strategjisë, u caktuan grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe përcaktuan planin e përgjithshëm të punës. 

“Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel. Krahas kësaj mbështetjeje, do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën e luftës sonë çlirimtare në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojmë çdo përpjekje për shtrembërimin e saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Konjufca ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës i bashkon të gjithë përtej dallimeve dhe se në betejën për mbrojtjen e saj të gjitha institucionet e Republikës dhe forcat politike kanë përgjegjësi dhe do të qëndrojnë të bashkuara, “me përkushtimin dhe vendosmërinë që kërkon mbrojtja e një të drejte historike të popullit tonë”.

E, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, si anëtare e këtij grupi, ka thënë se pjesëmarrja e përfaqësuesve të partive parlamentare shqiptare dëshmon një vetëdije të përbashkët politike, qytetare, shtetërore dhe kombëtare për rëndësinë e kësaj çështjeje.

Qeveria më 14 tetor formoi grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e katërshes së UÇK-së.