KSHZ publikoi rezultatet e para zyrtare për Bërvenicën: Radishiqi i pari me 2.945 vota, Jahiji i dyti me 2.152

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) publikoi rezultatet e para zyrtare nga zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës. Sipas të dhënave, votuan gjithsej 7.572 zgjedhës nga 16.256 të regjistruar, që përbën një dalje prej 46,58 përqind, transmeton Portalb.mk.

Më së shumti vota ka kandidati i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Maqedonia Jote”, Stojanço Radishiqi, për të cilin votuan 2.945 qytetarë, përkatësisht 38,89 përqind e votuesve që dolën në zgjedhje.

Sipas kryetarit të KSHZ-së, Bojan Mariçiq, në vendin e dytë renditet kandidati i “Aleancës Kombëtare për Integrim” (AKI), Arkin Jahiji, i cili fitoi 2.152 vota ose 28,42 përqind. Në vendin e tretë është kandidati i VLEN-it, Jakup Huseini, me 1.529 vota ose 20,19 përqind, ndërsa në vendin e katërt është Jovica Radeski nga LSDM-ja dhe koalicioni, me 707 vota ose 9,34 përqind.

Në vendin e pestë është Dushan Bogdanovski, nga grupi i zgjedhësve, me 57 vota, ndërsa në vendin e gjashtë është kandidatja Arife Idrizi, po ashtu nga grupi i zgjedhësve, e cila fitoi 21 vota.

Ankesat për procedurën e votimit mund të dorëzohen më së voni deri të martën (20 tetor), në orën 19:00, përkatësisht brenda 48 orëve nga përfundimi i votimit. Ndërkaq, ankesat për rezultatet mund të dorëzohen deri të mërkurën (21 tetor), në orën 12:30, që është 48 orë pas publikimit të sotëm të rezultateve të para zyrtare.

KSHZ-ja është e detyruar të marrë vendim brenda 72 orëve nga pranimi i ankesave. Siç theksoi Mariçiq, parashtruesit duhet t’i dorëzojnë ankesat ekskluzivisht në arkivin e KSHZ-së.

Kryetari i KSHZ-së sqaroi se kundër vendimit të KSHZ-së për ankesat, parashtruesi mund të paraqesë padi në Gjykatën Administrative brenda 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata është e detyruar të marrë vendim brenda 48 orëve nga pranimi i padisë.

“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do t’i publikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve menjëherë, por jo më vonë se 24 orë pas përfundimit të afatit përfundimtar të procedurës, që nënkupton 24 orë pas përfundimit të të gjithë procedurës së ankesave”, tha Mariçiq.

Sipas ligjit, dy kandidatët që u renditën të parët, Stojanço Radishiqi dhe Arkin Jahiji, do të vazhdojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve, i cili do të mbahet pas dy javësh.

Zgjedhjet e parakohshme lokale në Bërvenicë u mbajtën pasi më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare, ndërroi jetë kryetari i atëhershëm i komunës, Jovica Ilievski.