Bena Kërluku mori çmimin e parë në konkursin prestigjioz në Gjermani: Nëse ju mbyllen dyert në vendin tuaj, kërkoni mundësi tjera

Portalb.mk sot sjell intervistën me Bena Kërlukun, e cila ka fituar çmimin e parë nga të gjitha universitetet në Gjermani në konkursin “Rohde & Schwarz”, me konceptin për komunikimet 6G të asistuara nga sipërfaqet reflektuese inteligjente. Ekipi Bena Krluku, Shayan Ghanbari dhe Louay Hito, të gjithë studentë të Masterit në Inxhinierinë Elektrike dhe Teknologjinë e Informacionit në TU Dortmund mahnitën jurinë me konceptin e tyre “Përmirësimi i menaxhimit të rrezeve për rrjetet e komunikimit të ndihmuar nga RIS duke përdorur një modul sensor për vlerësimin AoA”. Ideja e tyre ishte mes atyre që u përzgjodhën për prezantim në eventin final në prill në selinë e kompanisë në Mynih. Atje, ata garuan me sukses kundër katër ekipeve të tjera të ftuara nga universitetet gjermane.

Portalb.mk: Bena keni fituar çmimin e parë dhe të vetëm, nga të gjitha universitetet në Gjermani në konkursin Rohde & Schwarz me konceptin për komunikimet 6G të asistuara nga sipërfaqet reflektuese inteligjente, na tregoni më në detaje lidhur me këtë konkurs?

Bena Kërluku: Kompania Rohde & Schwarz, një lider në prodhimin e pajisjeve të matjes në Gjermani dhe më gjerë, organizon çdo vit një konkurs me një temë specifike, duke synuar të përfitojë nga idetë inovative të studentëve për t’i zbatuar ato edhe në praktikë. Në konkurs marrin pjesë ekipe studentësh nga të gjitha universitetet gjermane që ndjekin drejtimin e inxhinierisë elektrike. Një juri profesionale e përbërë nga katër ekspertë përzgjedh katër finalistë, për të shpallur në fund një fitues të vetëm.

Portalb.mk: Cilat ishin kriteret bazë për tu arritur ky qëllim?

Bena Kërluku: Kriteri kryesor ishte inovacioni. Ideja duhet të jetë origjinale dhe e papublikuar më parë. Duhej të përshkruhej në mënyrë të detajuar dhe të qartë në një punim të shkruar, duke përfshirë jo vetëm konceptin teorik, por edhe mënyrën e implementimit dhe zbatueshmërisë në praktikë. Gjithashtu, vlerësohej rëndësia e saj për tregun, kosto-efektiviteti dhe përfitueshmëria për industrinë. Sepse, një ide vizionare nuk mjafton, nëse realizimi i saj nuk është i mundur teknikisht.

Portalb.mk: Ku ishte e përqendruar tema e këtij konkursi?

Bena Kërluku: Tema fokusohej në një nga teknologjitë kyçe të sistemit të ardhshëm të komunikimit 6G: sipërfaqet reflektuese inteligjente (Intelligent Reflective Surfaces). Meqenëse 6G do të operojë në frekuenca shumë të larta, dobësimi i sinjalit do të jetë me i madh, duke shkaktuar një rreze më të shkurtër komunikimi. Sipërfaqet reflektuese inteligjente luajnë një rol thelbësor duke reflektuar dhe forcuar sinjalin, për të mundësuar një mbulim më të gjerë dhe komunikim më efikas.

Fotografi nga arkivi personal i Bena Kërlukut. Foto: Bena Kërluku
Fotografi nga arkivi personal i Bena Kërlukut. Foto: Bena Kërluku

Portalb.mk: Cila ishte tema të cilën ju e prezantuat?

Bena Kërluku: Ne paraqitëm një metodë të re për përmirësimin e menaxhimit të drejtimit të sinjalit në rrjetet e komunikimit të mbështetura nga sipërfaqet reflektuese inteligjente, përmes përdorimit të një sensori për estimimin e këndit të mbërritjes së sinjalit.

Portalb.mk: Çka keni arritur gjatë hulumtimit të kësaj teme?

Bena Kërluku: Duke qenë se menaxhimi i drejtimit te sinjalit është një proces kompleks që shkakton vonesa të mëdha për përdoruesit në rrjet, zgjidhja jonë synon përshpejtimin e këtij procesi dhe reduktimin e latencës, duke siguruar një komunikim më stabil në rrjetet 6G.

Portalb.mk: Nga ju erdhi ideja dhe si u mirëprit nga vlerësuesit?

Bena Kërluku: Ideja erdhi si rezultat i përvojës sonë akademike dhe praktike. Së bashku me kolegët e mi, kemi ndjekur kurse të avancuara në fushën e rrjeteve të komunikimit dhe kemi punuar si asistentë hulumtues në Institutin e Rrjeteve të Komunikimit në Universitetin Teknik të Dortmundit, ku kemi kontribuar në projektin 6G. Pas një muaji analizë nga juria, u përzgjodhëm si finalistë dhe u ftuam në Mynih për të prezantuar para jurisë. Pas një diskutimi të thelluar mbi zbatueshmërinë praktike të konceptit, ideja jonë u shpall fituese.

Portalb.mk: Sa ishte e vështirë që në praninë e shumë konkurentëve ju të dilni fitues?

Bena Kërluku: Ishte padyshim sfiduese, pasi bëhej fjalë për një garë me përmasa kombëtare dhe me një konkurrencë të madhe. Megjithatë, përkushtimi, puna e palodhshme dhe bashkëpunimi ynë i ngushtë na ndihmuan ta arrinim këtë sukses.

Portalb.mk: Sa jemi të rrezikuar si qytetarë nga këto komunikimet 6G dhe të tjerat para kësaj?

Bena Kërluku: Ndryshe nga rrezatimet jonizuese si rrezet X apo gama, që mund të dëmtojnë qelizat dhe të rrisin rrezikun për kancer, komunikimet mobile (përfshirë 6G) përdorin rrezatim jo-jonizues. Deri më sot nuk ka prova shkencore për lidhje të drejtpërdrejtë midis këtij rrezatimi dhe dëmtimeve shëndetësore. Megjithatë, çështja mbetet ende subjekt studimesh. Për këtë arsye, ekzistojnë rregullore strikte që duhet të respektohen nga të gjithë operatorët e rrjeteve. Për shembull, fuqia e sinjalit që përçohet nga një kullë celulare apo nga telefonat duhet të mos kalojë një kufi të caktuar. Po ashtu duhet të ruhet distancë e caktuar nga kulla celulare.

Portalb.mk: Cili do jet mesazhi i juaj për gjithë lexuesit tanë?

Bena Kërluku: Mesazhi im, veçanërisht për të rinjtë, është të punojnë me pasion dhe përkushtim drejt qëllimeve të tyre. Mos u demotivoni nga padrejtësitë apo mungesa e mbështetjes në vendin tonë. Bota është e hapur për ata që kanë vlera dhe punojnë fort. Nëse dyert e suksesit mbyllen për ju në vendin tuaj, mos hezitoni të kërkoni mundësi diku tjetër. Dhe kur të jeni gati, gjithmonë mund të ktheheni për të kontribuar për atdheun, nëse ai ju pret me dyert e hapura.