Brezi i udhëkryqit dhe dritaret imagjinare

Në kafenenë e errët dhe pa dritare, nëpërmjet dritareve tona imagjinare, shihnim diku larg, përtej kohës sonë, një botë më të bukur.

Në kafenenë “The Doors”, me pikturën “Sarajeva e përgjakur” të Nehat Beqirit, atdhedashurinë e mësonim nga vargjet e Bob Dylan-it, siç thoshte Fadil Bajraj. Dhe besonim se roku kishte më shumë fuqi se çdo ushtri vrastare.

Shpresonim fort në të nesërmen, edhe pse rreth nesh mbizotëronin padrejtësia, dhuna, vdekja e dhunimi. Ishim të bindur se historia jonë do të përfundonte me fund të lumtur. Nuk e dinim dhe s’donim ta pranonim që ishim brez i humbur – një brez në udhëkryq, për të cilin sfidat dhe vështirësitë nuk do të përfundonin kurrë.

Pamë e përjetuam shumëçka që s’mund të harrohet, por librin e jetës e mbajtëm të fshehur, që të mos i rëndonim të tjerët me rrëfime për traumat tona.

Jetuam sipas mënyrës sonë, me xhepat e zbrazur, shpesh pa para për kafe e cigare.

Ishim jashtë çdo strukture, elite e autoriteti dhe kishim si kryefjalë vargun e Lou Reed-it: “Çfarëdo sistemi që të shpikni pa ne, do të rrënohet”.

Qëndruam larg politikës, sepse nuk ishim të gatshëm për kompromise që na cenonin lirinë personale. Nuk mund të mendonim me statute e programe partiake.

Humbjen nuk e pranonim si mundësi. Parullat dhe refrenet e mërzitshme nuk na trazuan kurrë.

Donim të flisnim me gjuhën e harruar, që nuk i kursen autoritetet. Besonim se kishim lindur për të qenë të lirë në një botë plot kufizime. E dinim se për të qenë i lirë duhet të paguash një çmim.

Nuk e ndryshuam botën, por së paku nuk u bëmë kukulla. Mbase ky është ngushëllimi i vetëm për pjesëtarët e brezit të udhëkryqit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.