“BE për Komunat” me udhëzues të ri praktik për komunikim efektiv me qytetarët për tatimin në pronë 

Mbështetja teknike e projektit “BE për Komunat” prezantoi një udhëzues të ri praktik të dedikuar për komunat në Maqedoninë e Veriut. Publikimi “Udhëzues për zbatimin e një fushate për rritjen e ndërgjegjësimit publik për tatimin në pronë” paraqet një mjet konkret për planifikimin dhe realizimin e fushatave efektive të komunikimit në nivel lokal, transmeton Portalb.mk.

Udhëzuesi ofron qasje të strukturuar dhe praktike se si komunat t’i informojnë dhe përfshijnë qytetarët në procesin e pagesës së rregullt dhe në kohë të tatimit në pronë, përmes mesazheve të qarta, kanaleve të përshtatshme të komunikimit dhe aktiviteteve konkrete.  

Qëllimi i tij është të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit publik, përmirësimin e transparencës dhe forcimin e besimit mes qytetarëve dhe pushtetit lokal. 

Me këtë udhëzues, Bashkimi Evropian përmes “BE për Komunat” e thellon mbështetjen për komunat në aspektin e kapaciteteve administrative dhe teknike, si dhe në fushën e komunikimit strategjik dhe ndërveprimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, si elemente kyçe për menaxhim më efikas të të hyrave lokale. 

Në parathënien e tij, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, thekson se komunat janë vendi ku politikat evropiane përkthehen në përmirësime konkrete në jetën e përditshme, përmes shërbimeve më të mira, zgjidhjeve më të gjelbra, ekonomive lokale më të forta dhe qeverisjes më gjithëpërfshirëse. 

Menaxheri programor për vetëqeverisje lokale dhe zhvillim rajonal në Delegacionin e Bashkimit Evropian, Enco Damiani, thekson se menaxhimi efikas i financave publike lokale lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e shërbimeve për qytetarët, ku komunikimi dhe informimi i publikut luajnë rol kyç në nxitjen e pagesës vullnetare dhe në kohë të tatimeve. 

Udhëzuesi është hartuar me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Mbështetjes Teknike të “BE për Komunat” në Maqedoninë e Veriut. Ai shpërndahet falas dhe mund të shkarkohet drejtpërdrejt në këtë link: https://eu4m.myshopify.com/products/handbook-on-property-tax-awareness-raising-campaign 

Ky udhëzues është pjesë e një serie më të gjerë publikimesh praktike të përgatitura në kuadër të “BE për Komunat”, të cilat synojnë të ofrojnë mbështetje praktike, transferim njohurish dhe aftësi konkrete për administratën lokale në Maqedoninë e Veriut, si dhe të kontribuojnë në menaxhim më efikas, transparent dhe të përgjegjshëm të burimeve publike.  

Në gjashtë vitet e fundit, projekti i BE-së “BE për Komunat” ka arritur rezultate të rëndësishme, të matshme dhe të dukshme në forcimin e kapaciteteve të vetëqeverisjes lokale në Maqedoninë e Veriut.