Paraburgim për arsimtarin pedofil në Gostivar, e përdhunoi nxënësen dhe e shantazhoi me përmbajtje eksplicite

Një arsimtar 28 vjeçar nga një shkollë fillore e Gostivarit ka përfunduar në paraurgim pasi e ka përdhunuar një nxënëse të tijn 14 vjeçare dhe e ka shantazhuar me përmbajtje eksplicite, raporton Portalb.mk.

Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një personi nga rrethi i Gostivarit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale “Përdhunim të një fëmije që nuk ka mbushur 15 vjeç”, e dënueshme sipas nenit 188 paragrafi 1, si dhe shfrytëzim i paautorizuar i materialeve të huaja (fotografi, video, audio apo dokumente) me përmbajtje seksuale eksplicite, sipas nenit 152-a paragrafi 5 në lidhje me paragrafët 4 dhe 1 të Kodit Penal.

I dyshuari, 28-vjeçar i punësuar në një shkollë fillore, e ka bindur një vajzë 14-vjeçare t’i dërgojë fotografi dhe video me përmbajtje seksuale eksplicite, e më pas e ka shantazhuar se do t’i publikojë nëse ajo nuk dilte me të.

“Viktima ka pranuar të takohet me të, pas së cilës i dyshuari e ka çuar në një shtëpi në Gostivar ku ka kryer marrëdhënie seksuale, vepër penale për të cilën parashikohet dënim me burgim prej të paktën 8 vjetësh”, thotë Prokuroria Publike.

Këtë muaj ai ka tentuar sërish ta shantazhojë për t’u takuar, por vajza ka refuzuar. Si pasojë, i dyshuari ka publikuar në një rrjet social fotografitë dhe videot eksplicite që posedonte, duke i bërë të qasshme edhe për persona të tjerë.

Me këtë ka përmbushur elementet e një vepre tjetër penale, e futur në shkurt të këtij viti, për të cilën parashikohet dënim me burgim nga 3 deri në 10 vjet.

“Duke marrë parasysh dënimet e larta të parashikuara për këto vepra penale, prokurori publik ka vlerësuar se ekziston rrezik i lartë që i dyshuari të arratiset për të shmangur ndjekjen penale. Gjithashtu, ekziston rreziku që të ndikojë mbi viktimën apo të përsërisë veprën.

Për këto arsye, prokurori publik i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.